Banda shqiptare, trafik droge me balerina nate
Një rrejt trafikantësh ndërkombëtar të drogës i përbërë nga 26 persona, pjesa dominuese e të cilëve shqiptarë, u godit dje nga policia e Milanos në Itali. Droga sigurohej në vendet e ulëta dhe nëpërmjet dy korriereve femra, balerina franceze lokalesh natë, të martuara me dy shpërndarës droge shqiptarë, mbërrinte në Itali. Aty sasia narkotike përpunohej dhe prodhohej një substancë narkotike stimuluese e pagëzuar nga rrjeti kriminal si "Speedball Milano", që ishte një përzierje kokaine, heroine dhe amfetaminë. Droga e re, çmimi i së cilës ishte 100 euro për një gram kishte fituar treg të gjerë shitjeje në lokalet e natës ku bëhej striptizëm në Milano. Lajmi u bë i ditur nga agjencitë italianë të lajmeve, të cilat pohonin se operacioni i djeshëm ka përfunduar me arrestimin e 21 prej të identifikuarve si pjesëtarë të rrjetit, ndërsa pesë të tjerë ndodhen ende në arrati. Sipas burimeve, drejtues të kësaj organizate dyshohen të jenë shqiptarët Shpëtim Memolla dhe Robert Haderi. Hetimi për këtë çështje ishte mbyllur në dhjetor të vitit 2008, por për "goditjen" përfundimtare është pritur dita e djeshme.
TRAFIKU
"Dy femrat, bionde dhe shumë tërheqëse, kishin bindur bashkëshortët e tyre t'ua besonin atyre tra-fikimin e drogës nga Franca në Itali, sepse do të shfaqnin më pak dyshime", citonte dje burimet policore gazeta italiane "Corriere Della Sera". Sipas burimeve, në këtë mënyrë dy femrat kalonin nga Franca në Itali, duke udhëtuar në trena të shpejtësisë së lartë çdo fundjavë nga një kilogram kokainë të pastër në masën 80 për qind duke e mbajtur në bagazhet e dorës. Korrieret e dërgonin drogën në Milano, ku përpunohej nga tre "kimistë", një maroken, një Italian dhe një tunizian. Mësohet se ishin ata që pas përzierjes së kokainës, heroinës dhe amfetaminës "prodhonin" "speedball Milano". Droga e re shpërndahej më pas në qytete të tjera të Italisë. Sasia narkotike ishin të destinuara kryesisht për klientët e lokaleve të striptizmit dhe atyre për festa intime private. Në banesat e të arrestuarve është bllokuar edhe një sasi heroine, e dyshuar se kishte ardhur nga Kosova. Referuar burimeve, "puna" e dy korriereve nuk mbaronte vetëm me transportin e drogës. Ato përdornin në doza të mëdha "speedball Milano" në momente eksperiencash seksuale me meshkuj të njohur mes internetit ose me trafikante të tjerë shqiptarë.