Ina Rama: Krimet e Rënda të zbatojnë "Antimafian"
TIRANE - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama kërkoi dje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, fillimin e hetimeve kundër pasurive kriminale në bazë të ligjit Antimafia. Drejtuesja e organit të akuzës ishte e pranishme në analizën 1-vjeçare të punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për vitin 2009, ku kërkoi avancimin e hetimeve ndaj pasurive të vendosura në mënyrë kriminale. "Një nga kërkesat e Kryeprokurores drejtuar prokurorëve të pranishëm të Krimeve të Rënda ishte fokusimi i punës në drejtim të hetimit pasuror, në zbatim të ligjit të ri Antimafia", tha Prokuroria e Përgjithshme, referuar fjalës së mbajtur nga Kryeprokurorja në analizën me dyer të mbyllura. Sipas burimeve zyrtare, Prokurorja e Përgjithshme ka kërkuar më tej nga vartësit e Krimeve të Rënda, rritjen e bashkëpunimit me strukturat e policisë së shtetit në luftën kundër trafiqeve të paligjshme. Në analizën e djeshme, drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Olsian çela, prezantoi më pas të dhënat statistikore të punës për vitin 2009. Sipas burimeve zyrtare, gjatë vitit 2009 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hetuar në total 220 dosje penale në të cilat shumica prej tyre bëjnë fjalë për trafik armësh, me rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, dosjet për akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë si dhe trafikimi i qenieve njerëzore. "Veprat e ndryshme penale të kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara janë hetuar për vitin 2009 në 21 procedime penale", tha Prokuroria e Përgjithshme. Në analizën e djeshme është bërë me dije se është rritur numri i çështjeve që kanë marrë zgjidhje brenda vitit, ndërsa është konfirmuar ashpërsimi i dënimeve për krimet e trafikimit të njerëzve dhe të armëve e municionit. Sipas të dhënave zyrtare, në analizën e djeshme është evidentuar fakti se në shtatë raste, Gjykata e Apelit e ka konsideruar të padrejtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për refuzimin e gjykimit të shkurtuar, duke zbatuar drejtpërdrejt zbritj-en e dënimit. Krimet e Rënda thanë se kanë arritur të shkurtojnë edhe kohëzgjatjen mesatare të paraburgimit për personat e dërguar për gjykim me një mesatare prej 154 ditësh për rast. Problematike mbeten vonesat në ekzekutimin e letër-porosive jashtë shtetit dhe hetimet paralele me vendet e huaja. tr.so