Eurobondet, tregu ndërkombëtar përkeqësohet
Tirana zyrtare nuk ka hequr dorë nga emetimi i eurobondeve dhe aktualisht po pret për përmirësimin e situatës në tregun financiar ndërkombëtar, por ndërkohë, tregu duket se po përkeqësohet. Një plan rezervë i Ministrisë së Financave parashikonte emetimin e eurobondeve brenda dy javëve të ardhshme, duke supozuar se paketa e ndihmës e FMN-së dhe BE-së për Greqinë, do të qetësonte tregjet. Në fakt, tregjet duken larg të qenët të qetësuar. Gjatë tri ditëve të fundit, interesat e bondeve të vendeve në zhvillim, (ku klasifikohet edhe Shqipëria), kanë vijuar të rriten, bursat kanë rënë dhe euro ka humbur një pjesë të konsiderueshme të vlerës së vet kundrejt monedhave të tjera. Nga ana tjetër, agjencia e lajmeve “Bloomberg” njoftoi dje se për herë të parë që nga viti 2008, posedimi i bondeve të vendeve në zhvillim po shkakton humbje për investitorët.
“Rusia mund të jetë vendi i fundit në zhvillim që arriti të emetojë bonde me interesa të ulëta, për shkak se përhapja e krizës greke në botë i ka bërë bondet e vendeve të tilla jofitimprurëse për investitorët”, thotë “Bloomberg”.
Sipas “JPMorgan Chase”, bondet pesëvjeçare në euro të Rusisë, të cilat u shitën dy javë më parë përkundrejt interesave shumë të ulëta, u rishitën në treg ditët e fundit për tre për qind më shtrenjtë, gjë që do të thotë se blerësit e parë humbën 3 për qind. Ukraina duket se do të detyrohet të shesë bonde në euro me interesa deri në 7.75 për qind, ndërkohë që bondet aktuale të saj kanë interes prej 7.5 për qind.
Sipas të dhënave të “Bloomberg”, interesat e bondeve të vendeve në zhvillim kanë një interes mesatar aktual prej 6.4 për qind.
“Bloomberg” citoi zëvendësministrin shqiptar të financave Nezir Haldeda, duke thënë se Shqipëria “po monitoron tregjet” për të gjetur “kohën më të përshtatshme” për debutimin në tregun e bondeve në euro. Shqipëria pati planifikuar fillimisht të shesë bondet në fund të prillit, por përkeqësimi i situatës në politikën e brendshme, si dhe përkeqësimi i situatës në tregun botëror, e bënë të pamundur për momentin.
“Ka shumë gjasa që kushtet nuk do të bëhen më mirë për të gjithë këtë vit nga sa ishin në mes të prillit”, komentoi një analist i “Raiffeisen Bank” në Pragë, duke folur për vendimin e qeverisë çeke për të shtyrë për më vonë daljen në treg. “Natyrisht kjo nuk është koha më e përshtatshme për vendet në zhvillim për shitjen e bondeve”, komentoi një ekspert tjetër në Londër. Gj. Erebara
#