E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bandat frymore i kthehen Sarandës e Himarës

Festivali

Edicioni i pestë i Festivalit të Bandave Frymore nis nga data 10 e deri më 20 korrik. Në këtë edicion do të marrin pjesë 20 orkestra dhe ansamble frymore nga vendi e rajoni. Ndërkohë, festivali prej pesë vitesh me radhë është i përfshirë në kalendarin e projekteve artistike e kulturore kombëtare që mbështeten nga MTKRS-ja. Ai është një ndër aktivitetet më të rëndësishme që zhvillohen në qytetin e Sarandës, si dhe të Himarës. Festivali i Orkestrave Frymore është i vetmi aktivitet i këtij lloji në Shqipëri. President i festivalit është zoti Edmond Gjoka, kryetar i Bashkisë Sarandë dhe roli i drejtorit artistik, ashtu si edhe në edicionet e shkuara, i është besuar dirigjentit Edmond Doko.

Për herë të parë këtë vit do të realizohet njëkohësisht me festivalin si seksion i veçantë i tij dhe “Akademia Muzikore Verore”, cikël seminaresh dhe mësimesh të hapura në ndihmë të instrumentistëve të rinj. Përmes këtyre aktiviteteve synohet të rizgjohet dhe gjallërohet tradita më se 100-vjeçare e orkestrave frymore në Shqipëri. Promovimi i vlerave që përçojnë këto formacione artistike gjallëron jetën kulturore artistike në çdo qytet, e sidomos ndikon pozitivisht në zhvillimin e turizmit kulturor. Krahas orkestrave frymore të bashkive Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, Sarandë, të orkestrës frymore të Forcave të Armatosura si pjesëmarrëse nderi e përvitshme në festival, apo të ansambleve të ndryshme nga vendi, në këtë edicion do të marrin pjesë KOA Brass Ensemble dhe Filarmonia e Bashkisë “Αgias Paraskevis“ Athinë (Greqi), Macbrasskuintet (FYROM) apo dhe Banda musicale di Contessa Entellina (Itali). Në fund të aktivitetit, një juri e përbërë nga personalitete artistike do të vlerësojë me çmime orkestrat frymore pjesëmarrëse në festival.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›