Berluskoni, financues i një rrjeti mashtrimi
Mbiemri i Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, është përdorur nga dy shtetas shqiptarë për të krijuar një zyrë të ashtuquajtur Interpoli, duke mashtruar rreth 100 persona se do t’i punësonin në këtë strukturë të ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë. Operacioni “Agjenti i rremë” u realizua pasditen e djeshme dhe në pranga ranë Fatmir Fllaga, 55 vjeç dhe Adriana Ura, 26 vjeçe. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke u prezantuar sikur përfaqësonin Zyrën e Interpolit Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, kanë mashtruar rreth 100 qytetarë, të cilëve u premtonin se do t’i punësonin si agjentë të Interpolit, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme në para. Ndërkohë viktimat e mashtrimit të tyre i pajisnin me dokumente identifikimi dhe pasaporta diplomatike false”, thanë burimet nga Policia e Shtetit.
“Berluskoni”Ajo çka ka tërhequr vëmendjen e organeve të drejtësisë ka qenë se të arrestuarit kanë përdorur një skemë të mirëfilltë mashtrimi, duke përdorur edhe mbiemrin e Kryeministrit italian, me qëllim që të bëheshin të besueshëm. “Shtetasit Fatmir Fllaga dhe Adriana Ura kishin krijuar një staf zyre me financierë e punonjës të tjerë dhe u paraqiteshin qytetarëve sikur financoheshin nga shtetas të huaj, me drejtor të përgjithshëm një shtetas me emrin e rremë Romollo Berluskoni”, thanë burimet zyrtare nga Policia e Shtetit. Sipas tyre, finalizimi me sukses i këtij operacioni u bë i mundur pas një hetimi 2-mujor të strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë. Ndërsa në momentin e arrestimit këtyre shtetasve iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme dokumentesh dhe provash materiale, të cilat i përdornin për kryerjen e veprës penale. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë nën akuzën e kryerjes së veprave penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim dhe falsifikimit të dokumenteve.
HetimetNjësia e përbashkët hetimore Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka filluar hetimet prej dy muajsh, në bazë të një informacioni nga policia, e cila kishte marrë një ankesë nga një qytetar i mashtruar prej këtyre personave. Dy organizatorët e këtij rrjeti janë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim, ndërsa janë siguruar të gjitha provat e duhura se aktiviteti i tyre ishte kriminal dhe i jashtëligjshëm. Për të mundësuar aktivitetin e tyre kriminal, prokuroria kërkoi disa herë në gjykatë edhe leje për përgjim, ndërsa së fundi kërkoi arrestimin e tyre. Mësohet se prokuroria ka kërkuar arrestimin e katër shtetasve, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim. Krahas hetimeve për këtë grup mashtruesish, Policia e Shtetit ka ftuar edhe njëherë të gjithë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm e të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji dhe për çdo rast të kontaktojnë me strukturat e policisë.
#