E Diel, 1 Nëntor 2026

Marco Turco

Regjisori italian, Marco Turco, asistentregjisor i filmit “L’America”, xhiruar në Shqipëri nga Giani Amelio, i kthehet Tiranës për të shfaqur filmin e tij më të ri, “Na ishte një herë qyteti i të çmendurve”. Filmi dokumentar sjell historinë e mjekut psikiatër, Franco Basaglia, i cili ndryshoi mënyrën e të funksionarit dhe të trajtimit të të sëmurëve mendorë në Italinë e viteve ‘70 Një rrëfim për “qytetin e të çmendurve”

I rikthehet Shqipërisë, Tiranës, tashmë si një regjisor i njohur në Itali. Kanë kaluar plot shtatë vite qysh kur shkeli për të parën herë në Shqipëri, ku qëndroi për rreth dy vjet për të përgatitur dhe xhiruar filmin “L’America”, me regji të Giani Amelios. Atëherë ai ishte ndihmësregjisor. Sot kthehet me një film dokumentar, një miniserial televiziv, realizim i vitit 2010, i titulluar “C’era una volta la citta’ dei matti” (“Na ishte një herë qyteti i të çmendurve”). Një film domethënës jo vetëm për temën e zgjedhur, por edhe për vetë regjisorin, i cili është i dhënë ndaj historive të ndjeshme dhe gjithnjë kërkon të dalë në krah të më të pambrojturve. Përmes këtij filmi dokumentar që u shfaq dje në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, erdhi historia e jetës së mjekut psikiatër, Franco Basaglia, i cili në vitet ‘70 ndërmori një betejë për të drejtat dhe dinjitetin e të sëmurëve mendorë dhe mbylljen e tyre në spitale psikiatrikë. Më parë ishte qyteti i të çmendurve, çmendina, me të gjitha tmerret brenda saj, të mëdha e të vogla, këmisha force, qeli izolimi, elektroshok, infermierë-gardianë dhe të sëmurë-të burgosur. Nuk ishte një vend kure, por një vend mbylljeje, fshehje i atij “skandali” social që ka qenë gjithnjë sëmundja mendore. Në të gjithë botën perëndimore, asnjë nuk e kishte vënë në diskutim çmendinën. Asnjë nuk kishte guxuar të sfidonte përballë pushtetin e psikiatërve, të paktën deri në fillimin e viteve ‘60, kur në një qytet provincial një psikiatër i ri rebel, Franco Basaglia, ndezi shkëndijën që provokoi një zjarr të pamendueshëm... “Jam shumë i lumtur që jam kthyer në Shqipëri për të shfaqur filmin tim të fundit, të cilin e kam shumë përzemër, sepse përballet me një temë tepër delikate, që është ajo e sëmundjes mendore. Filmi ndër të tjera tregon një histori të vendit tim, Italisë, për të cilin ne mund të jemi shumë krenarë. Ai tregon për një psikiatër që me punën e tij arriti të mbyllë çmendinat dhe të realizonte një ligj që të garantonte dinjitetin për ata persona që kishin probleme me shëndetin mendor. Sepse kur i dërgonin në çmendinë, ata e humbnin këtë të drejtë për të jetuar denjësisht dhe trajtoheshin si kafshë”, tregon regjisori. Filmi, prodhim i RAI-t, përbën edhe një moment të rëndësishëm informimi mbi tema thelbësore etike dhe sociale të lidhura me sëmundjet mendore. “Mendoj që filmi im është një kontribut, edhe pse i vogël, për t’i dhënë një informacion atij që nuk e ka njohur historinë dhe domethënien e fjalës çmendinë. Jo të gjithë e dinë se çfarë ishte ky vend, se si vuanin personat që mbylleshin aty. Sipas meje, vuanin njësoj si ata që ishin të mbyllur në kampet e përqendrimit. Përballja me tema të tilla është një nder i madh edhe për mua”, shton më tej Turco. Filmi sjell historinë e Margherita-s, një vajzë e bukur e gjithë jetë. Faji i saj i vetëm është se kishte një nënë e cila jetonte me fiksimin se e kishte krijuar me një ushtar amerikan, i cili u zhduk më pas. Për të mos e pranuar as me veten e vet peshën e mëkatit që mban brenda vetes, gruaja e shkarkon të gjithin tek e bija, dhe kur murgeshat e kolegjit ku është besuar vajza ankohen për karakterin e Margherita-s, për pulsimet e saj të para të dashurisë, e ëma e shtron në një spital psikiatrik. Në pak muaj, ambienti shtypës dhe i dhunshëm i çmendinës e transformon vajzën. Kthehet në një krijesë rebele dhe e pabindur, deri në atë pikë sa mjekët e mbajnë të mbyllur në një kafaz, si të ishte një bishë e egër... Margherita, por edhe personazhet e tjerë të cilët vuajnë njësoj e ndoshta edhe më shumë se ajo, janë të gjithë personat me të cilët përballet Franco Basaglia kur bëhet drejtor i çmendinës së Gorizia-s. Një vend ku ai duhej vetëm të merrte rrogën dhe të vazhdonte të shkruante librat e tij. Por Basaglia dhe bashkëshortja e tij tronditen me të rënë në kontakt me këtë realitet të tmerrshëm. Dhe vendosin ta ndryshojnë. Nis kështu një aventurë e jashtëzakonshme, me të cilën bashkohen edhe shumë psikiatër të tjerë. Nën drejtimin e Basaglia-s eliminohet çdo lloj keqtrajtimi fizik dhe ndërpriten terapitë e elektroshokut. Hapen qelitë dhe të sëmurët lihen të lirë të shëtisin në park, madje edhe të punojnë. Një administrator lokal i kohës, i cili viziton spitalin, tregon në këtë mënyrë atë që kishte parë: "Mund të shihja një spital të gjallë, plot me njerëz që nuk dallonin nga njëri-tjetri: të sëmurë, mjekë, vizitorë, vullnetarë e infermierë. Nuk ishte e thjeshtë t’i njihje, t’i dalloje në rolet e tyre. Por mbi të gjitha pashë se si Basaglia ishte i aftë të kuptonte nevojat më elementare të të sëmurëve. I njihte të gjithë. Hynin në zyrën e tij pa lajmëruar, porta ishte e hapur”. Falë drejtimit të ri që mori ‘qyteti i të çmendurve’, të sëmurët u përballën edhe një herë me jetën. Për herë të parë, pacientët u konsideruan qenie njerëzore. Nën regjinë e Marco Turco-s, interpretuan aktorët Fabrizio Gifuni, Vittoria Puccini, Michela Cescon, Branko Djuric, Tomas Trebecchi, Sandra Toffolotti etj. Filmi është një prodhim i “Ciao ragazzi” (Claudia Mori) për “RAI Fiction”. Ai është shfaqur në muajin shkurt në Itali.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›