E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të lajmëtarëve të ndryshimit

Ekspozita Në MHK, imazhe të panjohura të 2 korrikut të ambasadave

“Në datën 2.7.1990, pati një intensifikim të hyrjes me dhunë në territorin e disa ambasadave të akredituara në vendin tonë. Në orën 10.30, hyjnë 6 persona në ambasadën italiane me një makinë tip ‘Tatra’, duke shqyer murin rrethues, kangjellat. Në orën 19.00, 34 persona hyjnë në ambasadën e RF Gjermane me një makinë skodë, duke shpërthyer murin nga ana e prapme e ambasadës. Në orën 21.00, një makinë skodë e mbushur me njerëz ka hyrë në ambasadën greke duke shpërthyer murin anësor. Pas këtij veprimi kanë hyrë edhe persona të tjerë në ambasadën greke, Polake, çeke, Gjermane etj., numri i të cilëve nuk është arritur të evidentohet... Organet e policisë kanë qëlluar me pistoletë për të mbrojtur rendin. Pasi është qëlluar nga policia, grupi i personave është larguar dhe është mbledhur në Rrugën e Kavajës. Mund të kenë qenë mbi 5000 veta në këtë zonë”, është ky një raportim i hetuesisë së përgjithshme drejtuar Ministrisë së Brendshme për hyrjen e qytetarëve në ambasadat e huaja në Tiranë. Të tilla faksimile të raportimeve, fotografi, portrete të protagonistëve e dëshmi janë ekspozuar dje në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në kujtim të 2 korrikut, ditës kur shqiptarët, siç e quan Kryeministri Sali Berisha, nisën rrëzimit e “Murit të Berlinit në vendin e fundit komunist të Europës”. 20 vjet nga 2 korriku i ambasadave, janë ekspozuar rreth 54 fotografi, si dhe 140 portrete të njerëzve që hynë nëpër ambasada. Ato janë ekspozuar nga Ministria e Brendshme, për të bërë pasaportat me të cilat do të iknin jashtë. Përveç këtyre, ka fotografi të njerëzve të ndryshëm gjatë ditëve të pritjes nëpër ambasada, deri në ditën kur do të iknin nga vendi. Shumica e këtyre imazheve publikohen për herë të parë dhe janë nxjerrë nga arkivat e Ministrisë së Brendshme. I pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite, Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, u shpreh se ngjarja e ambasadave është një nga momentet e rëndësishme historike për shqiptarët, sepse ata njerëz të guximshëm u dhanë shqiptarëve shpresë, duke larguar frikën 45-vjeçare të izolimit diktatorial. “Ata u ngritën me një heroizëm dhe trimëri, e cila zgjoi një popull të tërë, por mesazhi i tyre pati një jehonë të gjerë europiane dhe botërore. Atyre që menduan se shqiptarët nuk do të mund të çlirohen për shkak të indoktrinimit të tyre të thellë, varfërisë dhe mjerimit që dobëson më shumë se çdo gjë tjetër qenien njerëzore, djemtë e vajzat, të rinjtë e Tiranës, më 2 korrik, u dhanë mesazhin tjetër, ne jemi këtu për t’u bashkuar me ju”, u shpreh Berisha. Sipas të dhënave, ishin plot 4755 qytetarë, të cilët u futën nëpër ambasada duke u bërë lajmëtarët e parë të ndryshimit, shenja më e madhe që regjimi komunist kishte marrë fund. Ata kaluan plot 11 ditë ankthi brenda ambienteve të ambasadave, në pritje për t’u vendosur fati i tyre.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›