E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bandat kriminale” nuk duhet të diktojnë kushtet në gjykatë

07/10/2009  Kreshnik Spahiu flet për zvarritjen e proceseve. Fajtorë janë gjyqtarët ose ligji

TIRANË- Gjyqtarët janë gjendur dje për të disatën herë përballë kritikave të shumta të bëra nga numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kreshinik Spahiu mblodhi dje në një tryezë të rrumbullakët të gjithë krerët e gjykatave dhe disa përfaqësues të gjykatave të rretheve gjyqësore. Objekt i debatit të bërë mes nënkryetarit të KLD-së dhe gjyqtarëve ishin dy pika kryesore. E para, i binte në kohë të gjithë gjyqtarëve për problematikën më thelbësore dhe që ka lidhje me zvarritjen e proceseve dhe e dyta, ishte reforma në gjyqësor. Për pikën e parë Kreshnik Spahiu ka lëshuar “doza” të ashpra kritike kundër gjyqtarëve. Ai është shprehur se një nga faktorët që ndikon në zvarritjen e proceseve gjyqësore për vite me radhë është aftësia profesionale e paktë e gjyqtarëve. Por më tej Spahiu u shpreh se për të gjitha mangësitë dy janë faktorët që ndikojnë, ose ligji ose gjyqtari. Në këtë rast, pika më e fortë e kritikave i drejtohet gjyqtarëve. Por nga ana tjetër ka qenë Kreshnik Spahiu ai që ka pranuar se gjyqtarët në disa raste janë të kërcënuar. “Shpesh gjyqtarët nuk kanë kurajon, iniciativën, vullnetin, dëshirën për të përfunduar një çështje. Bandat kriminale, të cilat akuzohen për shumë vrasje apo vepra penale me rrezikshmëri të lartë, nuk mund të diktojnë punën e gjykatës”, u shpreh Spahiu. Ai shtoi se avokatët e të pandehurve si anëtarë të bandave kriminale bëjnë hapa akrobatikë për të zvarritur me vite proceset gjyqësore. Riorganizimi i gjykatave në të gjithë vendin ishte pika tjetër dhe që ka lidhje me reformën në drejtësi. Spahiu theksoi dje se shumë shpejt gjyqtarët do t’i nënshtrohen një lëvizje nëpër rrethe gjyqësore, kjo për të shmangur familjarizimin. Sipas tij në disa rrethe të vogla, gjyqtarët janë familjarizuar dhe është e pamundur që të marrin një vendim të pandikuar. Ndërsa është diskutuar për shpërndarjen e gjyqtarëve nëpër rrethe, Spahiu ka deklaruar se kjo gjë do të bëhet shumë shpejt. Nga ana e tyre gjyqtarët kanë dhënë versionin sipas të cilëve nuk është e vërtetë që ata ndikojnë në zvarritjen e proceseve duke sjellë raste të avokatëve për të cilët kanë kërkuar heqjen e licencave.

Paralajmërimi në “Metropol”

Një ditë para se të mblidhej KLD-ja e Spahiu do të lëshonte këto deklarata, gazeta “Metropol” publikoi një artikull me titullin “Shtatë kryetarë gjykatash marrin raportin e inspektorëve”. Aty thuhej se “Shkak për të ndërmarrë këtë iniciativë me qëllim kontrollin e kryetarëve të gjykatave janë bërë disa ankesa të qytetarëve të adresuara në KLD dhe puna e dobët e bërë me mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore. Kryetarët që i janë nënshtruar kontrollit janë ata që kanë drejtuar, gjykatat e rretheve gjyqësore, Tiranë, Fier, Lushnjë, Shkodër, Durrës, Korçë dhe Gjykata e Apelit Tiranë. Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit kanë pasur problematikat më të mëdha, të cilat lidhen konkretisht me zvarritjet e proceseve gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›