E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria refuzon propozimet e ALUIZNI-t

07/10/2009  Komisioni i Ligjeve miraton variantin e qeverisë për ligjin e legalizimeve

Komisioni parlamentar i Ligjeve nuk mori në shqyrtim asnjërën prej propozimeve të ALUIZNI-i mbi ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin pa leje”, duke gjykuar se propozimet nuk kishin ndjekur rrugën procedurale ligjore. Ky komision miratoi me shumicë votash vetëm ndryshimet e sjella nga qeveria përmes një projektligji të propozuara nga ministri i Financave Ridvan Bode. Projekti synon përshpejtimin e procesit të legalizimit, duke ligjëruar përdorimin e bonove të privatizimit një mënyrë pagese për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Sipas ndryshimeve që i janë bërë projektit, parashikohet që të ardhurat e arkëtuara nga procesi i kalimit të pronësisë së shtetit drejt vetëdeklaruesit i parcelave ndërtimore, t’i shkojnë buxhetit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si fond kompensimi financiar të pronës. Sipas të njëjtit projekt, bonot e privatizimit të përftuara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Ndërsa taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimet e së drejtës së pronësisë bëhen vetëm me lekë. Lejimi i pagesës me bono privatizimi, si një mënyrë alternative e pagesës, është futur edhe për pagesën e gjysmës së vlerës për sipërfaqe të mëdha. Konkretisht për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, me sipërfaqe mbi 500 m² çmimi i shitjes është sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë dhe deri në 50 për qind të vlerës pagesa mund të kryhet me bono privatizimi. Kjo mënyrë përcaktohet edhe për gjysmën e vlerës së shitjes së parcelave ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha me sipërfaqe mbi 300 m² si dhe për sipërfaqet e trojeve të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje, brenda vijave të verdha për sipërfaqe mbi 100 m². Me qëllim përdorimin e pagesës me bono privatizimi, në dispozitën që lidhet me dokumentacionin ligjor për legalizimin e ndërtimeve informate, është parashikuar që subjekti mund të paraqesë kërkesë për mënyrën e pagesës së parcelës ndërtimore të ndërtimit pa leje.

Propozimet e ALUIZNI-t

Për ndërtimet e legalizuara për të cilat vetëdeklaruesi nuk ka shlyer pagesat financiare të pronësisë dhe të taksës vendore të ndikimit të infrastrukturës, shteti do të kryejë procedurat e regjistrimit duke vendosur kufizim, i cili do të zgjasë deri në shlyerjen e plotë të pagesës. Institucioni i ngarkuar me kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informate ka përfunduar dokumentacionin ligjor dhe ka kryer procedurat e kualifikimit për 70 për qind të objekteve pa leje, për të cilat mbeten për t’u shlyer detyrimet financiare. Regjistrimi i kufizimit mbi këto pasuri të legalizuara do të garantojë moskryerjen e veprimeve me to deri në shlyerjen e detyrimeve financiare të legalizimit. Për objektet ekzistuese dhe ndërtimet me leje, që nuk i kanë të rregulluara raportet e pronësisë mbi truallin dhe të cilat kanë shtesa informale, ALUIZNI propozoi që të bëhet kalimi i pronësisë së truallit në tërësi në përputhje me përcaktimet e këtij ligji. Shtesa është bërë për të rregulluar në tërësi raportet e pronësisë mbi truallin në objektet ekzistuese apo objektet me leje, që kanë sipërfaqe shtesë apo ndryshim të funksionit të hapësirave. Mirëpo propozimet nuk kishin firmën e Ministrit që Financave, mungesa e së cilës bëri që ato të mos shqyrtoheshin nga Komisioni parlamentar i Ligjeve. Anëtarët vlerësuan marrjen e mendimit të qeverisë, pasi ndryshimet shoqëroheshin me faturë financiare.

Rimbursimi nga qeveria

Projekti që pritet të votohet shumë shpejt në seancë ka fuqi prapavepruese, pasi në dispozitat kalimtare përcakton se “personat që i kanë bërë pagesat për parcelat ndërtimore të ndërtimit pa leje përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj”. Ndërkohë që për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-it brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Pas shqyrtimit nga Komisioni i Ligjeve u vu re mungesa e përcaktimit në ligj i afateve dhe procedurave që duheshin ndjekur për rimbursimin e qytetarëve që kanë kryer deri tani veprimet e tyre për legalizimin dhe që përfitojnë nga projekti më i funti i qeverisë. Për këtë qëllim, me propozim të kryetarit të komisionit Ilir Rusmali, komisioni përcaktoi që procedurat dhe afatet e rimbursimit të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Parashikimet e këtij projekti pritet të shqyrtohen në seancën parlamentare të radhës, atë të ditës së enjte, 15 tetor. Projekti i qeverisë së bashku me ndryshimet e propozuara nga Komisioni parlamentar i Ligjeve do të miratohet në seancë plenare nga votat e të gjithë deputetëve të mazhorancës dhe do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren zyrtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›