E Diel, 1 Nëntor 2026

Shemb murin arkeologjik, do të zgjeronte banesën e vet

07/10/2009  Komuna e Fiqinit, objekti daton në shek. VI p.e.s

SARANDË - Një banor i komunës së Finiqit ka hedhur tërësisht përtokë një mur arkeologjik me dimensione 3.2 metër të lartë e mbi 6 metra të gjatë, që daton në shekullin e VI p.e.s., për t’i hapur rrugë ndërtimit të banesës vetjake, që gjendet në pjesën e poshtme të fshatit, poshtë rrugës së fshatit. Ziso Lluci, kryetari i komunës së Finiqit, ka saktësuar të martën për gazetën “Metropol” se objekti i dëmtuar nuk bëhet fjalë për murin e ujësjellësit të Justinianit, që ndodhet në rrugën kombëtare, por një mur në ndodhet në fshatin Finiq me vlera arkeologjike, që daton në shekullit VI p.e.s.”. “Sapo kemi konstatuar prishjen e murit arkeologjik, institucioni i pushtetit vendorë ka denoncuar personin që e kreu këtë akt të shëmtuar dhe për këtë arsye shtetasi Thoma Fani, autori i prishjes së objektit monumental është larguar në drejtim të Greqisë, ku është rezident”, thotë Lluci, duke sqaruar se, keqbërësi kishte ardhur nga Greqia me idenë për të liruar truallin për rikonstruksion dhe me siguri punimet do të vazhdojnë pas rrënimit të murit arkeologjik. Sipas Llucit, kjo nuk është hera e parë që përballen me sjellje të tilla asgjësuese të kulturës. Ndërkohë, Lluci ka shpjeguar se kjo vjen edhe nga mungesa e njohjes së tyre. “Mangësi në këtë njohje kemi edhe ne si komunë, pasi me gjithë këmbënguljen tonë dhe kërkesën e përsëritur ndaj misionit arkeologjik italo-shqiptar për të pasur një hartë me vendndodhjen e tyre, kjo është plotësuar vetëm dy javë më parë”, u shpreh Lluci. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës të Sarandës, të cilët pasi janë njohur më ngjarjen e lartpërmendur kanë marrë masat për të sensibilizuar komunitetin në këtë zonë.

Ilir Papa, drejtor i kësaj drejtorie, pohoi se nuk është fjala për murin e ujësjellësit të Justinainit dhe se ai ka qenë një mur “i fshehur” në thellësi të banesave të banorëve të Finiqit, të cilët në mënyrë të qëllimshme nuk raportojnë pranë institucioneve të specializuar, për shkak të përvetësimit të truallit. “Institucioni ynë ka reaguar menjëherë, duke identifikuar vlerat e shkatërruara dhe duke raportuar për atë që ka ndodhur një ditë më parë në komunën e Finiqit. Dua të falënderojë kryetarin e kësaj komune, i cili ka sensibilizuar organet kompetente për këtë shkatërrim që i ndodhi objektit monumental”, përfundon deklaratën Ilir Papa.

Rrënimi i murit arkeologjik ka ndodhur 20 metra nën rrugën kryesore që përshkon fshatin e Finiqit. Ajo nuk ka lidhje me rrugën e re që është duke përfunduar dhe që lidh me asfalt qendrën e fshatit me pjesën më arkeologjike të tij, me Akropolin, teatrin antik etj. E. Molla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›