Banesat Sociale, shpallen 86 emrat fitues të fazës së parë
Bashkia Elbasan ndodhet në fazën përmbyllëse për shpërndarjen e 86 banesave sociale me qira për të pastrehët. Prej kohësh zyra e strehimit në bashki ka grumbulluar dokumentacionin e nevojshëm dhe së fundi janë shpallur edhe emrat e atyre që janë kualifikuar për fazën e parë. Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak është miratuar sistemi i pikësimit dhe kategoritë që do të përfitojnë nga ky program strehimi për të vazhduar më tej përgatitjen e dokumentacionit. Nënkryetari i Bashkisë, Dritan Çepa, tha se apartamentet kanë përfunduar dhe janë gati për banorët e rinj që do të strehohen në banesat sociale të ndërtuara nga Bashkia në bashkëpunim me qeverinë shqiptare e Bankën Europiane për Rindërtim dhe zhvillim.
Ai theksoi se në këtë program janë përfshirë familjet që nuk kanë përfituar nga privatizimi i banesave shtetërore, që jetojnë në kushte të këqija e jashtë standardit, në ambiente institucionesh etj. Me përparësi po shihen kategoritë me nevoja të veçanta, si personat me paaftësi, para-tetraplegjikë, individët me statusin e jetimit, të verbrit, familjet e divorcuara etj. Në vendimin e Këshillit Bashkiak është vendosur edhe paga minimale dhe maksimale për numrin e pjesëtarëve të familjes që mund të përfitojnë nga ky program strehimi me qira sociale. Në rast të mosplotësimit të numrit total të 86 familjeve për banesë sociale me qira, nisur nga kriteret e vendosura, atëherë numri do të realizohet me familjet të cilat kanë plotësuar formularin tip për BKU dhe i përmbushin kriteret. Ndërkohë që 10 banesa u janë dhënë familjeve të cilave u janë prishur banesat për ndërtimin e pallateve për të pastrehët. Nga programet e strehimit në Elbasan do të përfitojnë mbi 270 familje.