Kontrabanda e naftës, 7 të arrestuar në portin e Durrësit
Doganier, agjentë dogane dhe përfaqësues kompanish u ndaluan nga policia pasi akuzohen se kanë kaluar naftë dhe mallra të tjera kontrabandë.
Një operacion në portin e Durrësit dje ka çuar në pranga 7 persona, mes të cilëve tre doganierë, një agjent dogane dhe 3 përfaqësues biznesi. Të ndaluarit, Selman Doçi, Ylli Troplini, Artur Mustafa, Klodjan Çullhaj, Laurent Beka, Afrim Meçe, Pëllumb Metollari, akuzohen se kryenin kontrabandë nafte në sektorin e portit të quajtur Romano Port. Burime nga policia e qytetit bregdetar thanë se të 7 personat ishin në ndjekje pas informacioneve të marra prej disa muajsh dhe dje policia ka ndërhyrë për të bërë arrestimin e tyre.
Operacioni
Policia duket se ka pritur momentin e duhur për të ndaluar të 7 personat. Pas ndjekjes disamujore, përgjimeve dhe informacioneve të tjera, forcat kundër krimit ekonomik kanë vendosur të ndërhyjnë duke i ndaluar të 7 në flagrancë. Sipas policisë, hetimi kishte zgjatur disa muaj dhe gjatë kësaj kohe është bërë dokumentimi i plotë i kontrabandës.
Policia nuk ka saktësuar ndërkohë nëse gjatë operacionit të djeshëm është kapur naftë apo mall tjetër i kaluar kontrabandë, por në njoftimin për shtyp ajo thekson se këta persona akuzohen se kishin kaluar naftë dhe mallra kontrabandë edhe më herët.
Të arrestuarit
Sipas policisë, të shtatë të ndaluarit kishin lidhje me doganën dhe tre prej tyre ishin punonjës të saj. Ylli Troplini, Artur Mustafa të dy nga Tirana, janë, sipas policisë së Durrësit, punonjës të doganës në port, ata janë ndaluar së bashku me shefin e sektorit të tyre në Romano Port, Selman Doçi. Ndërkohë, policia ka arrestuar edhe agjentin doganor Klodjan Çullhaj, që, sipas saj, punonte për kompaninë “Ferri” po në zonën e Romano Port. Ndërkohë tre të ndaluarit e tjerë janë përfaqësues biznesi. Kështu, Laurent Beka, sipas njoftimit zyrtar të policisë së Durrësit, është magazinier i kompanisë së naftës “Euro Petrol”, dy të ndaluarit e tjerë janë gjithashtu përfaqësues biznesi, por emrat e kompanive nuk janë bërë të ditura. Efektivët kundër krimit ekonomik bënë me dije ndërkohë se vazhdojnë hetimet në lidhje me të tjerë të dyshuar për përfshirjen në këtë rrjet kontrabande.
Të arrestuarit
Selman Doçi
Ylli Troplini
Artur Mustafa
Klodjan Çullhaj
Laurent Beka
Afrim Meçe
Pëllumb Metollari