E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat me kosto të ulët, Bashkia e Tiranës do të ndajë 1 mijë kredi



Jonida Tashi

Bashkia e Tiranës do të ndajë për vitin 2010, 750 kredi më shumë se vjet, për Programin e Banesave me Kosto të Ulët. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Bashkisë së Tiranës, të cilat sqarojnë se për vitin 2010 është duke u aplikuar Programi i Kredive të Lehtësuara nga shteti në kuadrin e Programit të Banesave me Kosto të Ulët, program i cili mundëson ndarjen e rreth 1 mijë kredive. Përcaktimi i masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për blerjen e një banese me kosto të ulët bëhet sipas përbërjes familjare. Kështu, në bazë të numrit të personave të një familjeje, varet edhe shuma maksimale dhe minimale në lekë. Bashkia e Tiranës ka detajuar të dhënat për të gjithë qytetarët që kërkojnë të aplikojnë për banesa me kosto të ulët. Sipas llogaritjes së bërë nga Drejtoria e Strehimit, një familje është llogaritur të jetë me 1 ose dy persona dhe në numrin më të lartë të saj është llogaritur që një familje e madhe të jetë 4 deri në 6 persona. Familjet me numër më të madh personash duhet të kenë të ardhura më të shumta se ato me më pak persona në përbërjen e tyre.
Të ardhurat
Përveç rritjes së numrit të kredive për banesat me kosto të ulët, Bashkia e Tiranës ka vendosur të shtojë në mënyrë të konsiderueshme edhe nivelin e të ardhurave familjare, për të aplikuar në Programin e Banesave me Kosto të Ulët. Në këtë kuadër, Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social ka nxjerrë njoftimet zyrtare në Zyrën e Informimit të Qytetarëve, në njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës, për të gjithë qytetarët/familjet që kanë paraqitur pranë zyrave përkatëse në Bashki, kërkesën për strehim në Programin e Banesave me Kosto të Ulët dhe që kanë nivelin e të ardhurave në kufijtë: 31 007 - 51 249 lekë (për familjet të përbëra nga 1- 2 persona); 41 865 – 65 964 lekë (për familjet të përbëra nga 2-3 persona); 54 153 – 84 035 lekë (për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona); 68 585 – 107 142 lekë (për familjet të përbëra nga 4-6 persona). Familjet e mësipërme kanë të drejtë të aplikojnë për të përfituar nga trajtimi me Programin e banesave me kosto të ulët sipas udhëzimit nr.6257, datë 02.09.2008 “Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve si dhe Ministrisë së Financave, me dhënien e rreth 1 mijë kredive.
Aplikimi
Të gjithë qytetarët e interesuar për t’u trajtuar me Programin e Banesave me Kosto të Ulët, mund të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar pranë Bashkisë së Tiranës, i cili shqyrtohet fillimisht nga Sektori i Strehimit në Drejtorinë e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social dhe pastaj vlerësohet nga Komisioni i Strehimit ngritur me vendim të Këshillit Bashkiak nr.63, datë 08.11.2005 “Për miratimin e Komisionit të Strehimit” (i ndryshuar). Më pas, është Këshilli Bashkiak i Tiranës si organ vendimmarrës, i cili shqyrton dhe miraton listën e përfituesve për programin e kredive të lehtësuara nga shteti. Sipas këtij programi, aktualisht janë miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.23, datë 26.10.2009, për “Trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë”, 55 familje si dhe 90 familje me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.7, datë 15.01.2010, lista emërore e të cilëve i është dërguar Bankës Kombëtare Tregtare. Ndërsa familjet që figurojnë qiramarrës në banesat, pronë e subjekteve të shpronësuar në bazë të udhëzimit nr.6257, datë 02.09.2008 mbi “Përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, (i ndryshuar), duhet të drejtohen pranë Entit Kombëtar të Banesave, pasi sipas pikës 1 të këtij udhëzimi do të paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%. I gjithë dokumentacioni i dorëzuar pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social shqyrtohet paraprakisht nga Sektori i Strehimit dhe pastaj nga Komisioni i Strehimit ngritur me vendim të Këshillit Bashkiak nr.63, datë 08.11.2005 “Për miratimin e Komisionit të Strehimit” (i ndryshuar). Ndër të gjithë aplikantët do të jenë fitues ata që kanë fituar pikët maksimale sipas sistemit të pikëzimit të miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak nr.51, datë 19.12.2008 për “Miratimin e sistemit të pikëzimit për bonusin e strehimit dhe sistemit të pikëzimit për subvencionimin e familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuar nga shteti”.

Dokumentacioni që duhet për të aplikuar
Familjet, të cilat plotësojnë kriterin e të ardhurave të sipërcituar, duhet të plotësojnë dokumentacionin e mëposhtëm:
Certifikatën e lindjes së aplikantit dhe certifikatën e gjendjes familjare;
Vërtetimin për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet strehimi ose lejen e banimit, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit;
Vërtetimin e të ardhurave neto të familjes;
Dokumentacionin përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
Dokumentin nga organet Tatimore dhe ato të Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët e familjes është i vetëpunësuar;
Vërtetimin nga zyra e ndihmës dhe përkujdesit pranë bashkive, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
Vërtetimin nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
Vërtetimin nga organet e Sigurimeve Shoqërore, për personat në pension;
Vërtetimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë;
Vërtetimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi të strehimit;
Vërtetimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja; Vendimin e gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara;
Vërtetimin përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit;
Vendimin e komisionit mjekësor të përcaktimit të verbërisë ose të komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë për punë, për individë me aftësi të kufizuara, që trajtohen sipas shkronjës “d” të nenit 5 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”;
Dokument që vërteton se familja jeton në shtëpi me ish pronarë;
Dokument që vërteton se familja ka humbur shtëpinë në firmat piramidale;
Dokument që vërteton se familja ka mbetur e pastrehë për shkak të zbatimit të projekteve publike e ndërtimit të veprave me interes publik (shembje banesave informale, lirim objektesh me funksione publike);
Deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.

Të ardhurat mujore sipas përbërjes familjare për vitin 2010

31 007 - 51 249 lekë (për familjet të përbëra nga 1- 2 persona)

41 865 – 65 964 lekë (për familjet të përbëra nga 2-3 persona)

54 153 – 84 035 lekë (për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona)

68 585 – 107 142 lekë (për familjet të përbëra nga 4-6 persona)

5 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›