E Diel, 1 Nëntor 2026

Si ti investoni paratë në bono thesari, BSH publikon udhëzuesin



Ervin KOÇI

Qytetarët shqiptarë tani kanë mundësinë për të fituar më mirë dhe në mënyrë më të sigurtë. Kjo realizohet duke i investuar kursimet në bono thesari. Borxhi publik i brendshëm i qeverisë shqiptare është një nga tregjet më fitimprurëse në vend. Banka e Shqipërisë publikoi një broshurë të re informative me synimin që të nxisë individët dhe kompanitë e vogla të zgjedhin borxhin e qeverisë për të investuar kapitalet e tyre të lira. “Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i negociueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në broshurën që doli në qarkullim dje. Në këtë treg shpërndahen rreth 300 milionë dollarë fitime nga interesat çdo vit. Investimet në bono japin interesa mbi 8 për qind në vit dhe janë gjithmonë në lekë. Interesat paguhen në çastin e emetimit të bonove, gjë që ndodh zakonisht disa ditë pasi janë dorëzuar paratë. Kjo bën që rentabiliteti real i lekëve të investuara të jetë shumë më i lartë se sa investimet në depozita. Shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është 300.000 lekë. Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10.000 lekëve. Aktualisht një numër i madh shqiptarësh i shijojnë interesat e prodhuara nga bonot e thesarit. Rreth 10 për qind e të gjithë borxhit publik të brendshëm të Shqipërisë është blerë aktualisht nga individët.

Bonoja e Thesarit
Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i negociueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga qeveria. Ato emetohen në monedhë kombëtare (Lek) dhe kanë afate maturimi 3, 6 dhe 12-mujore. Bonot e thesarit emetohen (nxirren për shitje) nga qeveria nëpërmjet ankandit. Kjo formë nënkupton që investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti. Konkurrenca realizohet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit që quhet “yield” i bonove të thesarit. Yield-i i bonove të thesarit është bazë për llogaritjen e çmimit të blerjes së bonos të thesarit. Interesi i përfituar nga investimi në bono thesari llogaritet si diferencë e çmimit të blerjes
së bonos me vlerën nominale të saj. Raporti i kësaj diference me çmimin e blerjes i llogaritur në bazë vjetore shpreh normën e kthimit të përfituar nga investimi. Bonot e Thesarit janë të tregtueshme, pasi mund të shiten/blihen para afatit të maturimit. Tregtimi i një bonoje thesari mund të bëhet deri në 7 ditë para maturimit. Tregtimi mund të
bëhet me subjektet e licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ku bëjnë pjesë
edhe bankat tregtare. Në datën e maturimit të bonos së thesarit, aplikohet tatimi mbi interesin e përfituar nga investimi. Aktualisht, tatimi është 10 për qind.

Ankandet
Kalendari i ankandeve të emetimit të bonove të thesarit përcaktohet nga qeveria. Ankandet për emetimin e bonove të thesarit me afat maturimi 3 dhe 6-mujor, organizohen një herë në muaj, ndërsa ankandet për emetimin e bonove me afat maturimi 12-mujor organizohen çdo dy javë. Ankandet normalisht zhvillohen ditën e martë, ndërsa emetimi i
letrës bëhet dy ditë më vonë, ditën e enjte. Zhvillimi i ankandit njoftohet paraprakisht nga
Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet publikimit të informacionit në faqet respektive të internetit. Individët mund të marrin pjesë në ankandet e emetimit të bonove të thesarit me kërkesa konkurruese ose jokonkurruese. Pjesëmarrja me kërkesë konkurruese nënkupton vendosjen e një interesi (yield-i) mbi bazën e të cilit do të llogaritet çmimi që investitori preferon të paguajë për blerjen e bonos së thesarit. Pjesëmarrja me kërkesë jokonkurruese nënkupton pranimin e yield-it mesatar të ponderuar, i cili do të llogaritet si mesatare e ponderuar e yield-eve të kërkesave konkurruese të shpallura fituese. Në ankand, kërkesat konkurruese renditen nga yield-i më i ulët i kërkuar deri tek yield-i më i lartë deri sa shuma e shpallur nga qeveria për emetimin e bonove, të plotësohet. Kjo do të thotë që në rast se kërkesa e pjesëmarrësve për blerjen e bonove është më e lartë se shuma e emetuar nga qeveria, kërkesat konkurruese me yield-in më të lartë, nuk do të pranohen nga qeveria dhe për rrjedhojë investitorët nuk do të mund të blejnë bono thesari në ankandin përkatës.

Shpallja e fituesve
Shuma e shpallur për emetimin e bonove të thesarit nga qeveria pas plotësimit të
pjesëmarrjes së BSH-së, ka një ndarje të barabartë ku jo më shumë se 50 për qind emetohet për kërkesat jokonkurruese dhe pjesa e mbetur për kërkesat konkurruese. Kjo nënkupton që në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese është më e lartë se hapësira në dispozicion e shpjeguar më sipër, atëherë aplikohet “prorata”, në mënyrë që të llogaritet pjesa e fondeve që do të pranohen për investim në bonot e thesarit. Prorata është raporti i shumës në dispozicion për kërkesat jokonkurruese kundrejt shumës totale të kërkesave jokonkurruese të individëve pjesëmarrës, e shprehur në përqindje. Shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është 300.000 lekë. Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10.000 lekëve. Shuma maksimale e lejuar për të marrë pjesë në ankand me kërkesë jokonkurruese është deri në 30 milionë
lekë. Kërkesa me një shumë më të madhe se 30 milionë lekë konsiderohet automatikisht si kërkesë konkurruese. Rezultatet për ankandin e bonove të thesarit shpallen në të njëjtën ditë të organizimit të tij dhe publikohen në faqen e internetit të BSH-së. Për fituesit në ankand jepet dokumenti “Vërtetim për shpalljen fitues”, i cili përmban informacionin përkatës për rezultatin e investimit në bonon e thesarit.

Pjesëmarrja e individëve
Individët mund të marrin pjesë në ankandet për blerjen e Bonove të Thesarit nëpërmjet bankave tregtare të licencuara për tregtimin e letrave me vlerë nga AMF, si dhe nëpërmjet sporteleve të BSH-së në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Gjirokastër. Për të marrë pjesë në ankandin e bonove të thesarit nëpërmjet sporteleve të BSH-së, individi duhet që përpara organizimit të ankandit të ketë përfunduar procedurën e mëposhtme: 1. Të çelë një llogari “Eskrow” pranë Zyrës së Bonove të Thesarit. Kjo llogari është personale (pra nuk mund të jetë për më shumë se një person). 2. Nëpërmjet bankave tregtare, të urdhërojë transfertën e fondeve që do të investojë, për në llogarinë Eskrow në BSH-ë. 3. Të paraqitet me një kopje të Urdhër transfertës pranë Zyrës së Bonove të Thesarit, në BSH-ë, për të plotësuar kërkesën për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit. Komisioni për pjesëmarrjen në ankandet e bonove të thesarit nëpërmjet sporteleve të BSH-së është 1,000 lekë. Në ditën e emetimit të bonos së thesarit
ose në çdo kohë pas saj, individi ka të drejtë të tërheqë pranë sporteleve të BSH-së, “Vërtetimin mbi shpalljen fitues” si dhe diferencën midis çmimit të blerjes dhe vlerës nominale (të llogaritur sipas përshkrimit në pikën 1) të paguar në cash. Nëse, shuma e kërkuar për investim nuk është pranuar e plotë (kur aplikohet prorata), mbetja i paguhet në sportelet e BSH-së në cash. Në momentin e maturimit të bonos së thesarit dhe në rastet kur kërkesa konkurruese e individit nuk është shpallur fituese, individi duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me fondet. Nëse do të kërkojë t’i tërheqë fondet, ato do t’i paguhen nëpërmjet transferimit të tyre, në llogarinë e tij në bankat tregtare. Për këtë transfertë, BSH-ja nuk aplikon komisione. Në rast të riinvestimit të tyre duhet të plotësojë një kërkesë për pjesëmarrjen në ankandin që dëshiron të marrë pjesë. Për të kryer veprimet për bonon e maturuar, individi duhet të paraqesë “Vërtetimin mbi shpalljen fitues”.

Sigurimet shoqërore të fermerëve, skadon afati për faljen e kamatëvonesave

Rreth 60 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar nga falja e kamatëvonesave dhe u përfshinë në skemën e sigurimeve shoqërore. Afati për faljen e kamatëvonesave përfundoi më një prill. Drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore ngrenë si problem mungesën e interesit të të rinjve për tu siguruar. “Shuma absolute e të ardhurave nga kjo skemë është rreth 600 milionë më shumë se e njëjta periudhë e mëparshme. U përfshinë fillimisht rreth 60 mijë fermerë të cilët e mirëkuptuan këtë falje të kamatëvonesave. “Nuk janë të prirur për sigurime shoqërore të rinjtë e moshave deri në 30 vjeç”,- shprehet drejtori i Kontributeve në ISSH-ë, Naim Balluku. Drejtuesit e ISSH-së shpjegojnë se pas datës 1 prill të gjithë fermerët do të sigurohen pa lehtësi në bazë të tarifave të përcaktuara nga ligji. Në rast se sigurimi nuk bëhet brenda 3 muajve, atëherë fillon aplikimi i kamatëvonesave.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 02.04.2010

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.15%
12M 12-mujor 7.50%
6M 6-mujor 6.49%
3M 3-mujor 5.48%
1M 1-mujor 5.13%
1Ë njëjavor 4.84%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.91%
1Ë njëjavor 6.16%
o/n njëditor 5.88%
12M 12-mujor 9.13%
6M 6-mujor 7.94%
3M 3-mujor 7.21%

5 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›