Biznesi i ri, Bashkia e Tiranës shpall formularin e regjistrimit për vitin 2010
Jonida Tashi
Bashkia e Tiranës shpall formularin e deklarimit të biznesit, për të gjithë të interesuarit që duan të hapin një aktivitet të ri gjatë vitit aktual. Përveç këtij formulari, Bashkia ka detajuar edhe deklaratën e qarkullimit vjetor, për vitin 2010. Për të regjistruar një biznes të ri në qytetin e Tiranës, hapi i parë është regjistrimi ligjor i biznesit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Për të plotësuar hapin e parë, të interesuarit duhet të paraqiten dhe të aplikojnë për regjistrim biznesi Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ose sportelit të saj pranë Bashkisë së Tiranës, duke u paraqitur me dokumentin e identifikimit. Hapi i dytë për regjistrimin e biznesit të ri është regjistrimi fiskal i biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore. Pas regjistrimit të biznesit në QKR, aplikantët duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore me qëllim regjistrimin për efekte fiskale me dokumentacionin e mëposhtëm: esktraktin e regjistrimit të marrë nga QKR-ja; një kopje të Numrit të Identifikimit të Subjektit (NIPT-i) lëshuar nga QKR-ja; një fotokopje e dokumentit të identifikimit; dokumentet e pronësisë; fotokopje e kontratës së qerasë së mjedisit nëse jeni qiramarrës, bashkangjitur planimetria e objektit dhe m2 të saj; fotokopje e dokumentit të pronësisë në rast se jeni pronar të objektit ku ushtroni aktivitet, së bashku me planimetrinë përkatëse; dokumente të tjerë për rastin e Shoqërive Tregtare të ashtuquajtura biznes i madh; akti i themelimit të shoqërisë; statuti i shoqërisë.
Regjistrimi fillestar
Aplikimi për regjistrimin fillestar mund të bëhet në sportelet e QKR-së në Tiranë ose në sportelet e shërbimit, të vendosura në bashki. Një aplikim mund të bëhet në një sportel shërbimi të QKR-së, pavarësisht nga selia apo vendi i ushtrimit të veprimtarisë së subjektit që kërkon regjistrimin. Për të filluar një regjistrim, një aplikanti i duhet të plotësojë formularin e aplikimit. Përpara se të plotësohet formulari i aplikimit, aplikanti duhet të dijë informacionin e mëposhtëm: formulari i aplikimit është specifik për lloje të ndryshme entitetesh që aplikojnë (persona fizikë që bëjnë biznes apo kompani). Prandaj, aplikanti duhet të sigurohet që ai/ajo e di, nëse aplikimi do të jetë për një person fizik, i cili do regjistrohet për të kryer biznes apo për një kompani si dhe llojin e kompanisë. Informacion mbi kërkesat ligjore të shoqërive me përgjegjësi të kufizuara, shoqërive anonime dhe shoqërive të tjera, gjendet në nr.7638, datë 19.11.1992 “Mbi shoqëritë tregtare”; formularët e aplikimit mund të merren në dy mënyra: pranë çdo sporteli të QKR-së; ose mund të shkarkohen nga faqja zyrtare e internetit të QKR-së; të gjithë formularët e aplikimit janë të pajisur me instruksione për plotësimin e tyre. Këto instruksione mund të gjenden në çdo sportel të QKR-së ose mund të shkarkohen nga faqja zyrtare e internetit të QKR-së; aplikuesi mund të plotësojë formularin e aplikimit ose duke e shkarkuar, plotësuar atë elektronikisht dhe duke e stampuar (printuar); ose në çdo sportel shërbimi të QKR-së me ndihmën e nëpunësit të sportelit ose nëpërmjet internetit duke përdorur funksionin e QKR-së “Aplikoni On-Line”.
Dorëzimi i aplikimit
Pasi formulari i aplikimit të plotësohet, aplikanti (ose përfaqësuesi i autorizuar për regjistrim) paraqet formularin e aplikimit personalisht, në çdo sportel shërbimi të QKR-së, së bashku me dokumente të tjera shoqëruese, të duhura. Aplikanti ose personi i autorizuar, identifikohet tek sporteli i QKR-së nëpërmjet një dokumenti origjinal identifikimi, si dhe (për përfaqësuesin e autorizuar) nëpërmjet një autorizimi të noterizuar, për përfaqësimin e aplikantit për qëllim regjistrimi. Nëpunësi i sportelit verifikon që aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë të plota dhe të pranueshme nga QKR-ja. Nëse aplikimi është i paplotë ose i pasaktë, nëpunësi i sportelit do të ndihmojë në plotësimin e formularit së bashku me aplikantin dhe do të stampojë (printojë) formularin e plotësuar. Pasi janë kryer të gjithë hapat e regjistrimit, nëpunësi i sportelit të QKR-së i jep aplikantit një konfirmim për aplikimin e bërë, i cili lëshohet nga sistemi elektronik i QKR-së dhe ka një numër unik dosje. Ky konfirmim nënshkruhet nga të dy, aplikanti dhe nëpunësi i sportelit. Aplikanti mund të përdorë këtë numër unik dosje, për të ndjekur statusin e procesit të regjistrimit në çdo kohë nëpërmjet kësaj faqeje zyrtare të internetit të QKR-së, duke klikuar te “Kontrollo Statusin e Aplikimit Tim”.
Lista e dokumenteve për regjistrimin fillestar
Përveç formularit të aplikimit të plotësuar, aplikuesi duhet të paraqesë dhe dokumentacionin shoqërues përkatës si më poshtë: dokument origjinal identifikimi, të cilin nëpunësi i sportelit do ta verifikojë, kopjojë dhe skanojë, dhe në përfundim do t’ia kthejë aplikantit (përfaqësuesit). Aplikanti nuk duhet të largohet nga sporteli i shërbimit pa marrë me vete dokumentin e tij të identifikimit; dokumente të tjera shoqëruese. Lista e dokumenteve të kërkuara për regjistrimin fillestar është specifike për forma të ndryshme ligjore biznesesh. Pasi është identifikuar lloji i biznesit që do të regjistrohet, aplikanti mund të gjejë listën e dokumenteve shoqëruese, të bashkëngjitur në formën specifike të aplikimit për regjistrim, e cila mund të merret ose në sportelet e QKR-së ose në faqen zyrtare të internetit të QKR-së, tek direktoria: “Si të Regjistrosh një Biznes”. Personi që aplikon e kryen pagesën tek sporteli i shërbimit ku ai aplikon. Tarifat janë të publikuara në faqen zyrtare të internetit të QKR-së. Pagesa kryhet në sportelin e QKR-së, në momentin që kjo kërkohet nga nëpunësi i sportelit dhe pasi është caktuar një numër unik nga sistemi elektronik për dosjen. Pagesa bëhet përpara firmosjes përfundimtare të formularit të aplikimit nga nëpunësi dhe aplikuesi. Në fund të ditës pasardhëse nga dita e aplikimit në QKR, aplikimi për regjistrim ose do të jetë pranuar, ose do të jetë refuzuar ose pezulluar, nëse QKR gjen se informacioni i dhënë është i paplotë ose jo në përputhje me kërkesat ligjore. Pas lëshimit të konfirmimit për aplikim, aplikimi dhe dokumentet shoqëruese shqyrtohen për vendimmarrje nga nëpunësi i autorizuar i QKR-së (regjistruesi). Pas miratimit të regjistrimit të ri, QKR-ja njofton në mënyrë elektronike njëkohësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave dhe autoritetin përkatës fiskal bashkiak, për regjistrimin e një subjekti të ri bashkë me NIPT-in e tij, për efekte fiskale si dhe transmeton të dhënat e regjistrimit të aplikantëve te këto autoritete. Për çdo subjekt të ri, të regjistruar në Regjistrin Tregtar, QKR-ja njofton gjithashtu, bashkitë e komunave ku këto subjekte kanë selinë apo vendet e ushtrimit të aktivitetit. Njoftohen gjithashtu, për regjistrimin e ri autoritetet e Inspektoriatit të Punës, të Sigurimeve Shoqërore dhe të Sigurimeve Shëndetësore. NIPT-i është Numri Unik i Identifikimit për efekt të të gjitha këtyre regjistrimeve.
5 Prill 2010