E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Prifti: “Ndërtimi i centralit Bërthamor, realitet jo i afërt”



Ervin KOÇI

Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, ka pohuar dje gjatë një konference për shtyp se nuk do të ketë central bërthamor në Shqipëri, të paktën për një kohë të gjatë. “Nuk mendoj se realiteti i një centrali bërthamor në vendin tonë është i afërt pasi ne kemi nevojë për kohë që të përgatitemi për legjislacionin e çdo hallke tjetër që duhet ta monitorojë këtë lloj industrie”. Gjatë konferencës për shtyp, Prifti bëri të ditur se aktualisht është krijuar Agjencia Atomike, e cila do të merret me hartimin e kuadrit ligjor për energjinë bërthamore. Ministri Prifti, tha më tej se, METE po punon që Shqipëria të jetë e gatshme për zhvillimin e energjisë bërthamore. Ai siguroi se, interesimi i biznesmenëve jashtë vendit për një central ka qenë shumë i madh. “Kërkesa nga investitorët për energji bërthamore vijnë çdo ditë. Në momentin që ne do të jemi gati, do të fillojmë ti lejojmë ata për të bërë investime”,- u shpreh Prifti.

Siguria
Për ndërtimin e një centrali Bërthamor në Shqipëri, mjaftë e rëndësishme mbetet siguria si brenda vendit ashtu dhe në ndërtimin e një investimi të tillë. Ministri i Energjetikës, Prifti, tha se, ky investim do të lejohet të kryhet vetëm atëherë kur vendi të jetë i gatshëm për tu garantuar shqiptarëve sigurinë e funksionimit të tij pa pasoja për ta. "Kur të jemi gati për të garantuar shqiptarët për sigurinë e investimeve, do të lejojmë zhvillimin e tyre në vendin tonë",- tha Prifti. Ai shtoi më tej se, energjia është fusha më vitale e investimeve dhe se qeveria po bënë përpjekje edhe për energjinë bërthamore. Ai u shpreh se aktualisht institucionet janë në fazën e përshtatjes se legjislacionit, por kërkesat nga investitorët e huaj nuk kanë munguar.

Energjia
“Qytetarët që kanë paguar më shumë para sesa energjia e konsumuar gjatë muajit dhjetor 2009, do të kompensohen”. Kjo është deklarata që ka bërë dje ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, gjatë një konference të dhënë për mediat. Prifi konfirmoi dhe një herë faktin e abuzimeve të ndodhura me faturat e Korporatës Elektroenergjetike gjatë muajit dhjetor, por ka theksuar se nuk ka qenë abuzim i qëllimshëm. Ai u është referuar dhe problemeve të ndodhura më parë, duke e cilësuar këtë si një mungesë koordinimi të institucioneve përgjegjëse për faturimin e energjisë. “Ka pasur mbifaturim në muajin dhjetor por çdo gjë do të kompensohet”,- është shprehur gjatë konferencës për mediat, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Ai është ndalur dhe në procesin e koncesioneve duke theksuar se “deri tani janë dhënë 114 koncesione”.

Koncesionet në energjetikë, Prifti: “Të suksesshme”

Ministri i Energjetikës Dritan Prifti e ka konsideruar të suksesshme ecurinë e koncesioneve në energjetikë. Kreu i energjetikës pranoi se në disa raste lejet koncesionare shiten ç'ka vonon edhe procesin e ndërtimit, por sipas tij kjo nuk është e paligjshme për sa kohë nuk thyhen afatet. "Mund të ketë raste që janë dhënë edhe koncesione, por nuk kanë nisur të zbatohen. Ajo që ne bëjmë si ministri, është se kur tejkalohen afatet e nënshkruara në marrëveshje, ndërhyjmë për të mos i lejuar ato",- u shpreh Prifti. Sipas ministrit Prifti shumë shpejt qeveria do t'i akordojë edhe 30 leje të tjera koncesionare, në sektorin e energjetikës.

Financat: Kasat fiskale jashtë standardeve, do të ribëhet instalimi

Ministria e Financave ka urdhëruar ribërjen nga e para të instalimit të kasave fiskale te gjithë subjektet e biznesit, duke i kërkuar 5 firmave kontraktore që të plotësojnë standardet e kërkuara sipas kontratës. MF-ja iu referua për këtë kërkesë vendimit të fundit të qeverisë, nisur nga fakti se procesi i kasave fiskale rezultoi i dështuar në pjesën më të madhe, për shkak se ato u shitën pa standarde, të pacertifikuara dhe pa lidhje me sistemin on-line të tatimeve. Kjo gjë rrezikon ta shtyjë në kohë procesin, ndërsa për biznesin do të ketë të tjera angari për shkak se i duhet ta ndërpresë përdorimin e kasës deri në riprogramimin nga e para. Javën e kaluar në ministri të Financave u zhvillua një mbledhje me të pesta shoqëritë e autorizuara të kasave fiskale, nga ku dolën në dritë një sërë problemesh, të shkaktuara nga vetë shoqëritë, me “ndihmën” e Drejtorisë së Metodologjisë dhe Kalibrimit. Tashmë ministria u ka dhënë rreth një muaj e gjysmë afat për t’i ndryshuar kasat e shpërndara, në mënyrë që t’i përshtaten standardit të ri, sipas të cilit nuk lejon programet soft, por vetëm hardwere, si dhe ndalimin në mënyrë kategorike të shitjes së kasave me dy rula letrash, sikurse ka ndodhur deri tani. I gjithë dështimi u vërtetua pas datës 1 janar, kur u lëshua sinjali i parë i transmetimit të të dhënave nga kasat fiskale, të cilat ishin instaluar në pjesën më të madhe te biznesi VIP dhe biznesi i mesëm i Tiranës. Në momentin e lëshimit të sinjalit, tatimet vunë re se të dhënat nuk transmetoheshin të qarta, ishin me gabime, ndërsa u gjetën plot raste me fshehje xhirosh. Tjetër dështim lidhej me certifikimin dhe kalibrimin e tyre. Mësohet se te biznesi janë shitur si kasa pa aparatin modem, i cili bën të mundur sinjalin. MF-ja i pranon të gjitha defektet, e për pasojë lëshoi VKM-në me nr.96, e cila përcakton nga e para modelin që duhet ndjekur. Për pasojë të gjitha kasat e shituara deri tani në treg do të instalohen nga e para, përmes programit të ri. Koston për këtë proces do ta paguajë shoqëria e autorizuar, e cila për shkaqe të ndryshme ka gabuar (me dashje ose pa dashje, kjo do verifikohet nga autoritetet përkatëse). Në rast se shoqëritë nuk marrin përsipër të paguajnë koston shtesë që rrjedh nga detyrimi i vendimit të ri, atëherë rimbursimin e bën MF-ja për llogari të bizneseve. Pas kësaj, qeverisë i lind e drejta të rishikojë të gjitha kontratat me kompanitë që kanë marrë licencën e shpërndarjes dhe vendosjes së kasave. Kostot për shoqëritë e kasave llogariten deri në 1 milion euro, ndërsa vlera e kasave fiskale të shpërndara deri tani i kapërcen tre milionë euro. Të gjitha pajisjet fiskale të shitura dhe të reja duhet të pajisen me autorizimin përkatës të lëshuar nga komisioni i posaçëm i ngritur nga ministri i Financave. Pjesë e pandarë e pajisjes fiskale është edhe modemi GPRS. Pajisjet fiskale sipas standardit të ri duhet të kenë të integruar një “modul crypto-chip” që do të mundësojë firmosjen dixhitale në mënyrë që të vërtetojë informacion fiskal të dërguar nga pajisja fiskale. Deri tani, nga shoqëritë e autorizuara janë vendosur mbi 13 mijë kasa fiskale, kryesisht te biznesi i madh i Tiranës dhe fare pak në qytetet kryesore.

5 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›