DOSJA HETIMORE, Ferhat Cullhaj: E masakrova fqinjin, sepse më shau nënën
TIRANË – Vrau të moshuarin në fshatin Grorë, pasi, sipas tij, e ofendoi rëndë, Prokuroria përfundon hetimet. Pas gati 3 muaj hetimesh, organi i akuzës ka mbyllur dy ditë më parë hetimet për vrasjen e Shefki Grorit, ku autori i saj është 67-vjeçari Ferhat Cullhaj. Sipas Prokurorisë së Tiranës, vrasja ka ardhur pas një konflikti midis dy personave, ku në dëshminë e tij i pandehuri deklaron se Grori e ka ofenduar rëndë nga e ëma dhe i ndodhur në këto kushte, Cullhaj e ka goditur në kokë Shefki Grorin duke e lënë të shtrirë në tokë dhe duke u larguar.
Zhdukja e të moshuarit
Shefki Grori, edhe pse jetonte ne Tiranë, prej disa kohësh ishte transferuar në fshatin Grorë, ku jetonte pranë pronave të tij. Më datë 25.12.2009 ai ishte rikthyer disa ditë pranë familjes ku kishte marrë ushqime dhe disa para që do t’i nevojiteshin deri më datë 31, datë në të cilën ai u kishte premtuar të afërmve se do të vinte për të kaluar bashkë natën e Vitit të Ri. Por Shefki Grori nuk erdhi në shtëpi më datë 31 dhjetor dhe kjo gjë i alarmoi të afërmit e tij, të cilët u kanë kërkuar fshatarëve të tjerë të interesohen për të moshuarin, por edhe pas kontrollit në banesën ku ai jetonte, nuk kishte asnjë të dhënë se ku mund të kishte shkuar Grori. Më datë 03.01.2010, pasi në këtë ngjarje ishin përfshirë dhe forcat e policisë, janë hedhur dyshimet e para për ndonjë veprim kriminal, e fillimisht është dyshuar te disa të afërm të viktimës me të cilët herë pas here kanë pasur konflikte për problemin e një toke të quajtur “Fjores” dhe pas një përzgjedhjeje të bërë mes të dyshuarve, është gjykuar si më i mundshmi i pandehuri Ferhat Cullhaj, pasi kishte të dhëna se ai kishte qenë personi i fundit që kishte komunikuar me të para Vitit të Ri. Pas kërkimesh të shumta nga ana e Policisë, por edhe e fshatarëve të zonës, është arritur të gjendet trupi i viktimës në kufi të pronës së tij, i rrëzuar pranë një terreni, i cili ishte paksa jashtë fluksit të lëvizjes dhe me plagë të shumta në trup, kryesisht në fytyrë.
Skema e ngjarjes
Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se më datë 31.12.2009, rreth orës 10:00, ditën kur viktima duhej të kthehej në Tiranë, i pandehuri ka nxjerrë dhitë në kullotë dhe pas pak ka vënë re viktimën tek po ia dëbonte dhitë dhe njëkohësisht shante këtë të fundit me fjalë të rënda në nderin dhe dinjitetin e familjes së tij. Pas disa replikash me njëri-tjetrin për këto sharje, dy personat janë acaruar së tepërmi dhe i pandehuri Cullhaj pretendon se viktima ka tentuar ta qëllojë atë me një shkop, të cilin e ka pasur në dorë dhe ai, duke mos e duruar këtë, e ka goditur një herë të vetme në kokë duke e rrëzuar përtokë. Pas kësaj ai është larguar për në banesën e tij pa gjykuar se çfarë kishte ndodhur me bashkëfshatarin e tij dhe pasi kishe kryer të gjitha ritualet e Vitit të Ri, është njoftuar për rastin në fjalë vetëm kur ka marrë vesh nga bashkëfshatarët e tij se nuk po gjendej Shefki Grori.
Gjatë hetimeve, Prokuroria bën të ditur se lidhur me momentin e vrasjes, i pandehuri, me përjashtim të faktit se ka pranuar autorësinë në lidhje me ngjarjen, në pjesën tjetër të shpjegimit të tij në lidhje me motivin dhe mënyrën e realizimit, nuk është treguar i sinqertë. Siç e ka pranuar dhe vetë, e ka goditur viktimën në kokë me një mjet të fortë çarës e mprehës jo një herë të vetme, por disa herë. “Ajo çfarë komprometon rëndë personalitetin e të pandehurit dhe që justifikohet prej tij me padijeninë e fatit të viktimës, është fakti se ai është pyetur nga bashkëfshatarët e tij për të, por në mënyrë të ndërgjegjshme ai nuk ka dhënë shpjegime për të dhe së paku as ka shkuar të interesohet dhe të shohë çfarë kishte ndodhur me të moshuarin që e kishte lënë të shembur në tokë”, – thuhet në kërkesën për gjykim, të përpiluar nga Prokuroria e Tiranës. Në fund të saj, organi i akuzës shprehet se pavarësisht rrethanave të pretenduara, të cilat e kanë shtyrë të pandehurin të kryejë një veprim të tillë e që ai përpiqet ta lidhë me faktin e fyerjes së madhe që ka bërë viktima në adresë të së ëmës, gjykata duhet të marrë në shqyrtim dosjen penale në ngarkim të këtij të pandehuri, mbi të cilin rëndon akuza e “vrasjes me dashje”.
Plagosi grabitësin e dyqanit, përfundojnë hetimet për ushtarakun
TIRANË – Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për nëntetarin pranë repartit të Zall-Herrit, Albin Hoxha, i cili më datë 03.01.2010, gjatë ndjekjes së grabitësve të dyqanit ka plagosur jo qëllimisht Hysni Kanushin. Sipas organit të akuzës, rreth orës 05:15 të datës 03.01.2010, ai ka ndjerë një zhurmë të madhe në një ambient të banesës së tij në katin e parë, të cilin e ka përshtatur si lokal, është ngritur nga krevati dhe ka dalë jashtë për të kontrolluar duke marrë më vete dhe armën, të cilën e kishte me leje. Sapo ka dalë jashtë ka vënë re dhe një fqinjin e tij, i cili i ka treguar se ka parë dy persona që i kanë thyer xhamin e lokalit dhe janë larguar. Albin Hoxha është nisur menjëherë në drejtim të vendit ku i kishte treguar fqinji për të ndaluar personat që i kishin thyer xhamin e lokalit. Disa metra më pas ka parë katër persona, të cilëve u ka bërë thirrje të ndalonin, por ata kanë vrapuar. Në këto kushte ai ka qëlluar në ajër dhe katër personat kanë ndaluar. I pandehuri është afruar për t’i parë personat dhe ka vërejtur se njëri prej tyre mbante në dorë një armë, të cilën ia kishte drejtuar atij, ndërsa personi tjetër i është afruar e pasi i është sulur, ka tentuar t’i marrë armën. Në këtë përleshje, gishti i të pandehurit ka qenë në këmbëz, arma është shkrepur dhe predha ka goditur Hysen Kanushin. Nga të gjitha hetimet ka rezultuar se i pandehuri ka qëlluar pa vullnetin e tij, ndërsa ishte duke u konfliktuar me grabitësit. Mbi nëntetarin Hoxha rëndon akuza e “plagosjes së rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
Kreu i Burgjeve: “Në 2010-n nuk do të ketë më celularë nëpër qeli”
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, deklaroi dje për mediat se gjatë këtij viti nuk do të lejohen më celularë nëpër qeli. Kreu i Burgjeve shpjegoi se janë shpërndarë masa të posaçme në lidhje me këtë fenomen, që aktualisht mbetet shqetësues për të gjitha burgjet e vendit. Kjo deklaratë u bë gjatë konferencës për shtyp që kreu i Burgjeve doli për të komentuar në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan te Shtetit mbi situatën e burgjeve dhe paraburgimeve në vendin tonë.
Problemi i celularëve në qeli është i hershëm nëpër burgjet tona. Pati një përpjekje për t’i eliminuar në kohën kur Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve ishte Saimir Shehri. Drejtoria e Burgjeve, me anë të një tenderi, përzgjodhi një firmë izraelite për të vendosur antenat që pengonin valët e telefonave. Investimi dështoi, pavarësisht shumës së parave që u dha, pasi antenat nuk funksionin ashtu siç duhej. Kjo e detyroi Drejtorinë e Burgjeve që të prishte kontratën me firmën, iu kërkuan sërish paratë që iu dhanë në fazën e parë të projektit. Nga drejtuesit e Burgjeve të asokohe u premtua se tenderi do të rilidhej për të kontraktuar një tjetër firmë më serioze. Mirëpo askush nuk u kujtua dhe pas më shumë se dy vitesh ky fenomen është kthyer në shqetësim jo vetëm për drejtuesit e burgjeve, por edhe për zyrtarët më të lartë të kësaj qeverie. Ndërsa për raportin e DASH-it, Gazmend Dibra u shpreh dje se mbipopullimi në burgjet shqiptare do të eliminohet për shkak se në është projektuar ndërtimi i shtatë burgjeve të reja brenda 2013-s.
Përfundon në Gjykatën e Lartë dosja për Nehat Kullën
Prej pak ditësh në Gjykatën e Lartë është hedhur shorti për dosjen e Nehat Kullës. Ky i fundit është dënuar së fundi nga gjykata për vrasjen e ish-shoferit të ministrit të Brendshëm, Halit Shamata. Për këtë ngjarje, gjykata vendosi ta dënojë Kullën me 20 vite burg dhe pas shqyrtimit në Gjykatën e Apelit do të jetë Gjykata e Lartë ajo që do ta thotë fjalën e fundit në lidhje me vrasjen e Halim Gjuzit.
Ngjarja ka ndodhur 10 vjet më parë në Golem të Kavajës, ku mbeti i vrarë Halim Gjuzi. Çështja e Kullës është hapur e mbyllur disa herë për mungesë provash. Para një viti Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e dënoi atë me 20 vjet burg. Vendimi i apelua. Ndërkohë që edhe Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke lënë kështu në burg për 20 vjet 53-vjeçarin Nehat Kulla. Gjykata e ka shpallur fajtor të pandehurin Kulla për vrasjen e Halim Gjuzit, krim i ndodhur 10 vjet më parë në Golem të Kavajës, konkretisht ne autostradën Durrës-Kavajë. Vrasja e shoferit të ish-ministrit të Brendshëm Halit Shamata ishte e pazbardhur për disa vite me radhë. Rinisja e hetimeve ishte bërë, pasi sipas institucionit të akuzës, kishte disa dëshmitarë që kanë deklaruar se ka qenë Nehat Kulla ai që ka qëlluar mbi Halim Gjuzin.
5 Prill 2010