E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi për Samitin e Sarajevës: “Kosova, si shtet i pavarur”



Pas suksesit të arritur në Bërdo të Sllovenisë, Kosova do të marrë pjesë si shtet i pavarur dhe sovran në samitin e ardhshëm të liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, rreth pjesëmarrjes së Kosovës në samitin e Sarajevës, që pritet të zhvillohet në fund të muajit maj, ose në fillim të muajit qershor, nën udhëheqjen e presidencës spanjolle të BE-së. “Sa i përket takimit të Sarajevës ajo që mund të konfirmoj sot është se në çfarëdo niveli që do të mbahet, qoftë në nivel kryeministror, qoftë në nivel presidencial apo në nivel të ministrave të jashtëm Kosova do ta ketë një pjesëmarrjes dhe trajtim të barbarët si çdo pjesëmarrës tjetër si shtet i pavarur dhe sovran”, deklaroi Thaçi. Ky do të jetë takimi i dytë i rëndësishëm ku Kosova prezantohet si e barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit, pas konferencës rajonale në Bërdo që u zhvillua më 20 mars. Në përfundim të këtij samiti, Thaçi u shpreh se pjesëmarrja mund të konsiderohej një sukses për Kosovën. Kryeministri kosovar tha se deklarata e përbashkët e nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit e samitit të Ballkanit Perëndimor, është e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe për “nevojën për të njohur njëri-tjetrin”.
Në këtë takim nuk mori pjesë Serbia, e cila vuri kusht se mund të ishte e pranishme, vetëm nëse Kosova do të përfaqësohej në bazë të re rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nga zyra e presidentit Boris Tadiç u bë e ditur se organizatorët e takimit nuk e ndoqën parimin e sugjeruar dhe si pasojë e parandaluan presidentin serb nga pjesëmarrja në konferencë. Më herët, Sllovenia kishte bërë të ditur se konferenca do të mbahej pavarësisht se kush do të merrte pjesë apo do të mungonte. Lidhur me bojkotimin nga ana e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, kryeministri Thaçi theksoi se ky ishte një vendim i Beogradit dhe ata vetë duhet ta sqaronin pozicionin e tyre. Ndërkohë analistët shprehën mendimin se Serbia në këtë mënyrë po distancohej nga të gjitha takimet e rëndësishme, çka dëmtonte pozitën e saj në lidhe me afrimin me Bashkimin Europian. Për disa ditë me radhë, diplomatët sllovenë u përpoqën të bindnin Serbinë të ishte e pranishme, duke argumentuar se propozimi për prezantimin e Kosovës si “UNMIK-Kosova”, ishte i papranueshëm.

5 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›