Minatorët: Berisha po tallet me moshën tonë për pension
Tiranë - Shoqata e Minatorëve është shprehur dje kundër vendimit të qeverisë për uljen e moshës së pensionit deri në 60 vjeç. Shoqata kërkoi uljen e moshës së pensionit për kategorinë e tyre deri në 50 vjeç, në të kundërt ata kërcënuan se do të hidhen ne protesta. Kërkesat u bënë gjatë një konference për shtyp, ku kryetari e Shoqatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, deklaroi se minatorët e konsiderojnë dhe denoncojnë këtë vendim të qeverisë si veprën e fundit dhe tallje të kryeministrit në detyrë që u bën minatorëve. “Për arsyen e thjeshtë sepse siç kemi deklaruar me qindra e qindra herë që 66 vjeç është jetëgjatësia mesatare e minatorit. Si mundet atëherë që kryeministri i nderuar, i përgjegjshëm i Shqipërisë, të dalë dhe të deklarojë që po ul moshën e pensionit 60 vjeç!?” - deklaroi dje Xibri. Shoqata e Minatorëve pretendon se kushtet e punës aktuale të minatorëve janë në gjendje të mjerueshme, gjë që u shkakton sëmundje dhe vdekje të parakohshme. Sipas tyre, 60 vjeç është mosha mesatare e një pensionisti. Shoqata konsideron se mosha ideale e daljes në pension për një minator është ajo 50 vjeç. Ata bënë thirrje që kërkesa të merret parasysh pasi në të kundërt kategoria e tyre do të shpërthejë në protesta në shkallë vendi. “Ne do të mbledhim ose kongresin e jashtëzakonshëm ose këshillin kombëtar të minatorëve ku do të vendoset protesta, e cila këtë radhë ka vetëm një përfundim, o vdekje o realizim të kërkesave”, - u shpreh Xibri.
Më datën 8 korrik, gjatë mbledhjes së qeverisë, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin i cili ul me 5 vjet moshën e daljes në pension të minatorëve. Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë mbledhjes se me këtë projektligj bënte realitet me vendime qeverie disa premtime elektorale, siç ishte dhe ulja e moshës së pensionit për kategorinë e minatorëve. Kërkesa e minatorëve për uljen e moshës së pensionit është bërë disa herë gjatë vitit të kaluar, ku me anë të protestave ata kanë kërkuar përmirësim të kushteve të punës, pagave dhe uljen e moshës së pensionit. Gjatë fushatës elektorale të dy kundërshtarët politikë, Rama e Berisha i premtuan kategorisë së minatorëve se do të rishikonin moshën e pensionit.
11 Korrik 2009