E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat sociale, gati më 2010-n

Përfundon projekti i banesave sociale. Në muajin nëntor Bashkia e Tiranës hap garën për firmën ndërtuese të objekteve

Të pastrehët, në listë, të parët ata që banojnë në Ish-Uzinë. Banesat sociale do të strehojnë 1300 persona

Banesat sociale, të premtuara nga Bashkia e Tiranës për personat e pastrehë, do të jenë gati brenda vitit 2010. Burime pranë këtij institucioni kanë bërë të ditur për gazetën “Shekulli” se, në muajin pasardhës, do të shpallet tenderi për firmën që do të marrë përsipër ndërtimin e banesave që do të shtrihen në pjesën Verilindore të kryeqytetit, në zonën e quajtur Fonderia Mekanike, në ish-Uzinën Autotraktori. Më konkretisht, sipas projektit të parashikuar nga Bashkia e Tiranës, në këtë zonë të pabanuar të Tiranës, do të ndërtohen 393 apartamente që do të strehojnë 1 300 persona të pastrehë. Banesat sociale, që priten të jenë nga investimet më të rëndësishme për zgjidhjen e problemit të strehimit, do të financohen në masën 60 përqind nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB) dhe në masën 40 përqind nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Ato do të shtrihen në një sipërfaqe prej 28 mijë metra katrorë dhe përfituesit e parë të këtyre objekteve do të jenë banorët e Uzinës që jetojnë në kushte aspak të përshtatshme për jetesën. Burime pranë institucionit vendor saktësojnë se, përzgjedhja paraprake e qytetarëve që do të përfitojnë bonusin e strehimit, do të bëhet fill pas përfundimit të banesave. Përpara se Bashkia e Tiranës të bëjë publik emrat e personave qëpërfitojnë strehim në banesat sociale, lista emërore e aplikantëve do të kalojë një për një për shqyrtim në Këshillin Bashkiak, i cili ka të drejtën të kryejë përzgjedhjen e fituesve. Banorët e parë që do të përfitojnë nga banesat sociale do të jenë të pastrehët, të cilët aktualisht jetojnë në kushte të vështira sociale, në ambientet e brendshme të ish-Uzinës. Përfitues, gjithashtu, do të jenë edhe kategoria e personave që kanë humbur banesat në firmat piramidale. Gjithsesi, përparësi në fazën e seleksionimit, do të kenë inidividët që nuk kanë asnjë shpresë për të pasur një shtëpi te tyren, apo për të përballuar një qira normale. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet në bazë të ligjit për strehimin, si edhe sistemit të pikëzimit. Studimi i KRRT-së siguron se, zona ku do të ndërtohen apartamentet, nuk do të prekë asnjë nga shtëpitë e ndërtuara në këtë pjesë të ish-Uzinës, ndërkohë që tashmë projekti është në zyrat e Njësisë së Zbatimit të Projektit, dhe shumë shpejt, në nëntor, pritet të zhvillohet dhe tenderi për ndërtimin e banesave. Qiraja që do të paguajnë të strehuarit, nuk është përcaktuar ende. Burime në Bashkinë e Tiranës informojnë se, pagesa që do të vilet nga qiraja e banesave sociale, do të shërbejë për mirëmbajtjen e godinave dhe territorit ku ata do të jetojnë. Gjithsesi, ajo që thuhet hëpërhë është se, shuma do të jetë simbolike dhe me afat të gjatë shlyerjeje.

Pallatet do të jenë 6-katëshe, ku, kati i pare, do të shërbejë vetëm për shërbime të tipit dyqane, qendra biznesi, ndërsa një nga godinat do të shërbejë si menaxhuese e gjithë kompleksit të pallateve. Godinat nuk do të kenë ashensor dhe do të kenë përafërsisht të njëjtën sipërfaqe banimi. Bashkia e Tiranës numëron deri më tani rreth 3 mijë të pastrehë, që kanë aplikuar në programet e strehimit të Bashkisë.Sistemi i përzgjedhjes është i shtrirënë dy faza. Faza e parë është përmbushja e kritereve për një familje që të përfitojë nga programet bashkiake dhe, së dyti, është miratimi i të dhënave të deklaruara nga Këshilli Bashkiak. Statusin e një familjeje, apo personi të pastrehë, nuk mund ta përfitojnë të gjithë të interesuarit. Kriteri kryesor është mungesa e një banese në pronësi dhe të ardhurat e pamjaftueshme mujore që të mundësojnëblerjen e një banese, marrjen e një kredie, apo pagesën e një qiraje. Gjithashtu, familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë, përfitojnë nga programet bashkiake të strehimit. Një ndër kushtet që të pastrehët duhet të vërtetojnë është pamjaftueshmëria e të ardhurave. Tjetër kriter që detyron Këshillin Bashkiak të njohë statusin e të pastrehëve janë edhe ato familje që kanë mbetur pa banesë, si rezultat i fatkeqësive natyrore.

Përzgjedhja

Kategoritë që përfitojnë strehim

Nga ky proces kanë përparësi individët dhe familjet, të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji i vitit 1992, "Për privatizimin e banesave shtetërore". Gjithashtu, përfitojnë edhe familjet ku, kryefamiljari është grua e divorcuar ose e ve, ato njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t‘u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror. Mes të përzgjedhurve duhet të jenë edhe individët me aftësi të kufizuara, të cilët gëzojnë statusin e të verbërit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare. Përjashtim nuk bëjnë familjet me shumë fëmijë, çiftet e reja me moshë të përgjithshme deri në 55 vjeç, familjet që kanë ndryshuar vendbanim për shkaqe punësimi, si dhe individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga jetimoret, ose nga qendrat e përkujdesit, e deri në moshën 30 vjeç.

Mbahet në Tiranë konferenca e 12-të e Unionit të Kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore

Tirana kryeqendër e zhvillimit urbanistikPër herë të parë në këto vite të zhvillimit të shpejtë, Tirana do të jetë pritësi i Konferencës së 12-të të Unionit të Kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Për dy ditë me radhë, kryeqyteti shqiptar do të jetë arena e debatit infrastrukturor, zhvillimeve sociale dhe ekonomike që prekin disa nga kryeqytetet më me emër në Evropë. I pranishëm në punimet e Konferencës, kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, u shpreh ndër të tjera se, “Kemi nderin që të organizojmë këtu Konferencën e Unionit të Kryeqyteteve të Evropës Qëndrore dhe Juglindore dhe t’ju kemi të gjithë të pranishëm, jo më në një kryeqytet në transformim, por në një metropol në formim. Për ne, si kryeqytetas të Shqipërisë, është një privilegj që ju kemi këtu të pranishëm dhe njëkohësisht një shans për të përfituar nga ky bashkëbisedim, nga kjo ditë e ngjeshur shkëmbimi eksperiencash dhe idesh dhe nga energjia e një miqësie, që në këto raste vetëm forcohet, jo vetëm në simbolikën e saj, por edhe në kuptimin e saj të përftimit të gjërave më të mira dhe më pozitive të njëri-tjetrit”. Unioni i kryeqyteteve të Europës Qëndrore dhe Juglindore është një organizatë ndërkombëtare, ku kryeqytete si, Athina, Beogradi, Bratislava, Bukureshti, Budapesti, Kievi, Ljubljana, Nikozia, Podgorica, Sarajeva, Shkupi, Sofia, Tirana, Viena dheZagrebi, janë anëtarë. Konferenca e Kryebashkiakëve ështe e njohur si një mundësi ku, takimet vjetore të vendeve anëtare, të përcaktojnë bashkëpunimin e mëtejshëm dhe të ndërmarrin hapa të tjerë për çështjet më të rëndësishme në rajon. Qëllimi i Unionit është të mbajë lidhje permanente mes bashkive të vendeve anëtare dhe të inkurajojë shkëmbimin mes qytetarëve të tyre në çdo fushë, në mënyrë që të zhvillojë ndjenjën e përkatësisë Evropiane, bazuar në mirëkuptimin e ndërsjellë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›