Në Argjentinë, nis epoka "Maradona"!
Diego Armando Maradona realizoi ëndrrën e tij: u bë trajneri i kombëtares argjentinase. Lajmin e bëri të ditur vetë "Pibe de Oro", menjëherë pas takimit me Hulio Grondonën, president i Federatës Argjentinase të Futbollit. "Do ta bëj unë formacionin dhe zgjedhjen e futbollistëve,"tha ish numri 10 i Napolit për disa medie amerikano latine, duke konfirmuar se projekti i tij kishte fituar ndaj kandidatëve.
KANDIDATI - Maradona hyri në zyrën e Federatës Argjentinase të Futbollit në Buenos Aires sapo erdhi nga Gjeorgjia, ku luajti një ndeshje bamirësie. Diego ka qenë kandidati kryesor dhe u zgjodh nga presidenti Grandona, i cili u mor personalisht me zgjedhjen e trajnerit të ri, pas dorëheqjes së Alfio Baziles, më 17 tetor. Më 19 nëntor Argjentina do të drejtohet nga trajneri provizor Serxhio Batista, ndërsa Maradona do të qëndrojë pranë skuadrës për të filluar ambientimin. Debutimi i tij do të jetë më 11 shtator, në miqësoren e "luksit" ndaj Francës.
STAFI - Pas Maradonës, ka qenë edhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Karlos Biliardo. Ky i fundit ishte trajneri i Argjentinës në vitin 1986, botërori i fundit i fituar nga çelestët. Biliardo, që do të luajë rolin e drejtorit teknik, e ka drejtuar Maradonën në vitet më të lavdishme si futbollist. "Do të kem bashkëpunim të ngushtë me Diegon, por do të jetë ai trajneri i skuadrës," - tha Bilardo, pas takimit me Grondonën. Një tjetër pjesëtar i stafit, në rolin e zv.trajnerit, është emëruar Pedro Troljo, ish futbollist në Serinë A dhe pjesëtar i skuadrës që humbi në finale botërorin
"Italia '90".
LUMTURIA - "Më parë e kisha të lehtë të thosha se nuk e drejtoj Argjentinën, sepse Grondona nuk ma jep mundësinë,deklaroi Maradona për "El Carin". - Mendoja se të tjerët nuk donin të më jepnin përgjegjësi, por, në të vërtetë, unë nuk isha gati. Sot është një histori krejt ndryshe. Unë jam i lumtur." Maradona tha se nuk e besonte mundësinë për të drejtuar Argjentinën, derisa Grondona e ftoi në zyrat e federatës. "Në fillim mendova se mos ishte kamera e fshetë,tha ai, që shumë specialistë e konsiderojnë si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave. - Pastaj, Grondona më tha se i kishte sheshuar problemet me Biliardon dhe ky i fundit e pranoi rolin e drejtorit teknik. Atje e kuptova se unë do të isha trajneri i Argjentinës. Hulio më tha se më kishte zgjedhur që në fillim, por se i duhej kohë për të sistemuar gjërat. Kjo ka bërë që unë të kem mundësinë të punoj me një staf të mrekullueshëm. Zyrtarisht, nuk kam firmosur asnjë kontratë, por do të ishte diçka e shkëlqyer, nëse do të ndodhte diçka e tillë ditën e ditëlindjes."
Shtypi, "pro" dhe kundra...
Mungon vetëm firma mbi kontratë dhe prezantimi zyrtar para gazetarëve, por tani të gjithë e dinë se Diego Armando Maradona do të jetë trajneri i ri i kombëtares argjentinase. Lajmi është konfirmuar nga Federata Argjentinase e Futbollit dhe nga vetë "Pide d'Oro". Në Argjentinë, mëngjesin e së mërkurës, të gjitha gazetat (pa asnjë përjashtim) kishin si titull kryesor emërimin e "legjendës". Legjendë si futbollisti, ndoshta më i miri i parë ndonjëherë, por si trajner nuk ka ndonjë karrierë për t'u vlerësuar. Maradona ka punuar me Mandiju, një skuadër province, në vitin 1994. 12 ndeshje në turneun e Aperturës me një fitore, 6 barazime dhe 5 humbje. Vitin tjetër e provoi me Rejsingun: 11 ndeshje, 2 fitore, 6 barazime, 3 humbje. Pikërisht me këtë ekip ka arritur edhe kënaqësinë më të madhe si trajner, duke mundur 1 0 Boka Zhuniorsin "e tij" në "Bombonera"; diçka e tillë nuk ndodhte prej 20 vitesh. Por, edhe te Rejsingu shkarkimi u bë i domosdoshëm. Mbi mungesën e eksperiencës, përveçse mosbesimin te një karakter i paqendrueshëm, janë rreziqet më të mëdha që shfaq emërimi i Diegos. Në një sondazh të bërë nga gazeta "La Nacion", rreth 70% e argjentinasve janë kundër zgjedhjes së Grondonës. Gjithsesi, ka një pjesë opinionistash që e kanë pëlqyer emërimin e Maradonës ose, të paktën e justifikojnë atë. "Maradona dhe Biliardo,shkruan "El Dia", - janë emrat që nuk do të harrohen ndonjëherë nga tifozët argjentinas, sepse përfaqësojnë periudhën më të lavdishme të futbollit që ata kanë parë. Të dy së bashku fituan më 1986 n dhe humbën vetëm në finalen e vitit 1990. Nga "Meksikë '86" deri në "Gjermani '08", kombëtarja jonë ka shumë emra dhe stile të ndryshme, por asnjë nuk krahasohet me lavdinë e Maradonës dhe Biliardos. Ku i dihet, ndoshta rikthimi i tyre do të shënojë rikthimin e një tjetër "gjenerate të artë." "Diego,shkruan "La Nacion",di si të përfitojë nga lavdia e tij. Në një ndeshje pokeri është si dikush që vë bast dyfishin e parave, duke rrezikuar shumë. Po kështu ka bërë ai gjatë gjithë jetës së tij."