E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Durrës: Në zgjedhje, LSI në koalicion me PS '91

Tiranë-Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka njoftuar publikisht se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë në koalicionin me partinë e re të formuar, PS 91, kryesuar nga Petro Koçi.

Deklarata është bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta në qytetin e Durrësit, vetëm pak çaste më parë, në një takim për zgjedhjen e kryetarit të degës së kësaj partie për qytetin bregdetar.

Sipas Metës, koalicioni do të jetë në kuadër të fushatës. “Do të jetë një koalicion vlerash në dobi të politikës shqiptare dhe për progresin e të majtës së vërtetë”- ka deklaruar Meta.

Vetëm një ditë më parë, po në kuadër të zgjedhjeve u firmos shkrirja mes partive të djathta, PD dhe PDR, ku firmosën marrëveshjen liderët e partive, Sali Berisha dhe Genc Pollo.

“Degët tona do të bashkëpunojnë sipas një programi të rënë dakord për ta arritur shkirjen në atë nivel dhe për të vazhduar më tej. Procesi do të mbyllet në fillimet e vitit 2009. Ky është proces pozitiv dhe një kontribues më shumë për mazhornacën në zgjedhjet e 2009-ës”- tha dje Pollo.

Ndërkohë që Berisha, duke e konsideruar të shumëpritur lajmin e bashkimit të partive, ka theksuar se “nuk mund të injorohet se si vit elektoral që është kjo përbën një përgatitje shumë të rëndësishme për suksesin në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit aktual qeverisës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›