E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mekein Obama: Beteja për Floridën dhe Pensilvaninë

Kandidati republikan për president, Xhon Mekejn dhe rivali i tij demokrat, Barak Obama, vazhdojnë sot betejën në shtete me rëndësi kritike, si dhe në valët televizive, ndërkohë që, sipas anketave, gara po ashpërsohet, 6 ditë para zgjedhjeve.

Senatori Obama do t’i drejtohet vendit përmes një reklame të paguar 30 minutëshe, që do të transmetohet në disa rrjete të mëdha televizive, në kohën me shikueshmëri më të lartë. Dyshja demokrate do të bëjë sot fushatë në Karolinën e Veriut dhe në Florida, dy shtete që votuan për republikanët në dy zgjedhjet e mëparshme. Anketat tregojnë se, zoti Obama, ka një epërsi të lehtë në këto shtete.

Fushata e zotit Mekein publikoi sot një reklamë televizive prej 30 sekondash, për t'ju kundërvënë reklamës së zotit Obama. Sipas ndihmësve të zotit Mekein, reklama u tregon amerikanëve se, propozimet e zotit Obama për ekonominë, do të shtojnë shpenzimet dhe taksat, duke dëmtuar më tej ekonominë.

Një mesatare e anketave në shkallë vendi tregon se, zoti Obama, është ende përpara senatorit Mekein, megjithëse diferenca është ngushtuar 1 përqind dhe ka arritur në pak më shumë se 6 përqind për senatorin e Ilinoit.

Edhe zoti Mekein do të bëjë sot fushatë në Florida dhe në Ohajo dhe do të intervistohet në programin “Larry King Live”, të CNN-it.

Në vitin 2000, Xhorxh Bushi, fitoi Shtëpinë e Bardhë, pas një beteje ligjore lidhur me votat e Floridës, betejë që zgjati disa javë.

Votat latine, rëndësi në zgjedhjet presidenciale

Hispanikët janë tani pakica më e madhe në Shtetet e Bashkuara. Ata janë gati 40 milionë banorë. Por përbëjnë vetëm rreth 9 përqind të elektoratit. Shumë hispanikë nuk janë shtetas amerikanë dhe një përqindje e madhe e atyre që janë shtetas, janë nën moshën për të votuar. Siç njofton nga Hjustoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus, anketat me votuesit hispanikë, tregojnë një mbështetje të fuqishme për kandidatin presidencial Barak Obama. Por, ndikimi i tyre, do të varet nga numri i tyre që do të votojnë më 4 nëntor. Në zonën me shumicë hispanike, në rrethinat e Hjustonit, çështjet kryesore janë ekonomia, kujdesi shëndetësor dhe imigracioni.

Demokrati, Barak Obama, është kandidati i preferuar mes hispanikëve këtu.

Megjithatë, shumë hispanikë, janë gjithashtu shumë fetarë dhe disa janë të shqetësuar nga mbështetja e zotit Obama, për të drejtën e abortit.

Por, në shkallë kombëtare, një në dy hispanikë, mbështet zotin Obama. Republikani, Xhon Mekein, e ka patur të vështirë të tërheqë këta votues, megjithë projektligjin e sponsorizuar prej tij për imigracionin, dy vjet më parë, që do t’u ofronte status ligjor qindra mijëra punëtorëve pa dokumente.

Zoti Mekein iu përgjigj kritikave brenda partisë së tij, duke e forcuar pozicionin e tij mbi imigracionin. Dhe kjo, sipas profesorit të Shkencave Politike në Universitetin e Nju Meksikos, Gabriel Sanches, i ka kushtuar atij probleme me votuesit hispanikë.

"Për të dalë fitimtarë në zgjedhjet paraprake, atij iu desh të ndryshonte qëndrimin në çështjen si, imigracioni dhe, fatkeqësisht, për hispanikët që u intereson kjo çështje, po anojnë nga Partia Demokratike".

Por imigracioni ka kaluar në plan të dytë, pas ekonomisë, thotë profesori Sanchez dhe nuk ka asnjë çështje tjetër që i veçon hispanikët nga votuesit e tjerë.

"Shumë njerëz supozojnë se votuesit hispanikë, në mbarë vendin, ose këtu në Nju Meksiko, votojnë bazuar në etnicitetin e tyre dhe kjo thjesht nuk është e vërtetë. Hispanikët janë si gjithë të tjerët. Ata u kushtojnë vëmendje çështjeve që janë të rëndësishme për ta, dhe si u përgjigjen këtyre problemeve kandidatët".

Numri i hispanikëve që shkojnë në votime është shumë më i vogël sesa numri i atyre që kanë të drejtë të votojnë.

Në përpjekje për të nxitur votën latine, Shoqata Kombëtare e të Zgjedhurve Latinë, organizoi një qendër informacioni për votuesit në Los Anxhelos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›