Partizani, Duro kënaqet me seriozitetin e lojtarëve
Që nga fillimi i kësaj jave dhe në vazhdim drejtimin e Partizanit e ka marrë trajneri Shpëtim Duro. Ardhja e Duros në krye të pankinës së kuqe është konsideruar një mënyrë shpëtimi për të larguar skuadrën nga zona e rënies. Që në hapin e parë, trajneri Duro u ka kërkuar futbollistëve të besojnë më shumë në forcat e tyre dhe kërkesa kryesore ka qenë që elementët me përvojë të marrin më shumë barrë mbi supe. Në dy seancat e para stërvitore trajneri Duro ka punuar shumë me skuadrën, ku një theks i veçantë i është vënë ngritjes së gjendjes psikologjike që po kalon Partizani. Dje janë luajtur ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë dhe Partizani ka qenë mysafir në Tepelenë. Trajneri Duro ka debutuar me sukses, pasi të kuqtë kanë fituar 5-1 ndaj tepelenasve. Të kuqtë nuk shfaqën asnjë nënvleftësim ndaj kundërshtarit, pasi në Tepelenë udhëtuan futbollistët me gjendjen më të mirë. Megjithëse mungojnë edhe 90 minuta të tjera, duhet thënë se Partizani e ka arritur kualifikimin që ndeshjen e parë. Për trajnerin Duro nuk ka shumë rëndësi rezultati që u arrit dje, pasi më shumë vlera pati serioziteti dhe impenjimi i skuadrës në fushën e lojës. "Takimin e kupës e kishim vlerësuar maksimalisht, pasi udhëtuam të plotë, ku përjashtim bënë vetëm lojtarët e dëmtuar. Me thënë të drejtën, jam i kënaqur nga paraqitja që bëri skuadra, ku për mua rezultati që u arrit nuk ka shumë rëndësi, para seriozitetit dhe impenjimit të lojtarëve në fushën e lojës. Pra, pashë një reagim të mirë të ekipit, por dihet se provën e madhe e kemi të shtunën me Shkumbinin. Të gjithë po punojmë që skuadra të reagojë shpejt dhe, nëse këtë gjë e bëjmë që në përballjen me peqinasit, atëherë jemi në rrugën e duhur për të ndryshuar situatën. E dimë se na pret një takim i fortë, pasi dihet se Shkumbini ka një ekip të mirë, sepse me meritë mbajnë edhe vendin e tretë. Kështu që në këtë takim presioni më i madh bie mbi Partizanin, prandaj do të kërkoj që skuadra të ketë të njëjtin seriozitet dhe impenjim ashtu siç veproi sot (dje) me Tepelenën. Kam shumë besim se Partizani se do të gjejë forca dhe përqendrimin e duhur për të reaguar drejt edhe ndaj Shkumbinit,"- u shpreh dje trajneri i "demave të kuq", Shpëtim Duro, pas përfundimit të ndeshjes me Tepelenën.
Përveç fitores, takimi i djeshëm i kupës ka dhënë një tjetër sinjal të mirë për Partizanin, pasi sulmuesit kanë gjetur rrugën e golit. Pjesa e parë e takimit ka përfunduar 3-0 për Partizanin, ku një gol e shënoi mesfushori Babamusta dhe dy të tjerët u realizuan nga braziliani Roma. Me fillimin e pjesë së dytë, trajneri Duro nxori nga fusha dyshen sulmuese Roma-Bakaj dhe në vend të tyre u futen dyshja tjetër Bruno-Ngjela. Sulmuesi korçar Marius Ngjela shënon golin e katërt për të kuqtë dhe serinë e mbyll mesfushori Arbër Capa. Duhet theksuar se në këtë takim të kuqtë kanë humbur edhe një 11-metërsh, ku golashënuesi më i mirë i skuadrës, Artan Karapici, ka gabuar nga pika e bardhë. Sot skuadra do të vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen me Shkumbinin dhe pritet që grupit t'i bashkohen edhe mbrojtësit Hallaçi e Shala, që nuk udhëtuan në Tepelenë për shkak të dëmtimeve që kanë.
Kupa e Shqipërisë
Ndeshjet e turit të parë
Dje
Grupi A
Albpetrol – Dinamo 0-1
Iliria – Besa 0-2
Gramozi – Shkumbini 0-2
Sopoti – Vllaznia 0-4
Pogradeci – Teuta 0-1
Dajti – Apolonia 0-3
Luftëtari – Kastrioti 1-1
Laçi – Skënderbeu 2-1
Grupi B
Tepelena – Partizani 1-5
Tomori – Elbasani 1-3
Tërbuni – Tirana 1-1
Naftëtari – Flamurtari 1-6
Bilisht Sport – Bylis 0-1
Turbina – Lushnja 0-0
Skrapari – Besëlidhja 2-2
Ada – Burreli 1-1