Banesat sociale, mënyra se si do të merren me akt pronësie
Emanuela Sako
Qytetarët mund të bëhen pronarë të banesave sociale duke u regjistruar pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme banesën që do ta përfitojnë nga Bashkia e Tiranës. Mjaft ndërtesa të tjera të paprivatizuara kanë mundësinë të kthehen në banesa sociale, përveç atyre që do të ndërtohen në Shkozë. Këto ndërtesa do të shpërndahen për banorët që do të aplikojnë pranë Drejtorisë së Strehimit në Bashkinë e Tiranës. Njëkohësisht këto do të verifikohen dhe do të jenë pjesë e Listës së Inventarit të Pronave të Paluajtshme. Projekti i Bashkisë së Tiranës synon të strehojë të gjitha familjet në nevojë nëpërmjet marrjes me kredi, shitjes me kosto të ulët, apo dhënies me qira të disa apartamenteve. Në bazë të këtij projekti Bashkia synon të strehojë familjet e pastreha duke paraqitur si zgjidhje strehimin e tyre nëpërmjet ndërtimit me kredi të disa apartamenteve sociale me qira. Projekti parashikon ndërtimin e 350 apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë. Në Drejtorinë e Strehimit Social pranë Bashkisë së Tiranës deri tani janë dorëzuar rreth 3372 formularë, mes të cilëve do të bëhet përzgjedhja në bazë të kritereve të përcaktuara.
Projekti
Në kuadrin e këtij programi, Bashkia e Tiranës, përveç ndërtimit të banesave të reja, konsideron si prioritet të sajin kthimin e një baze asetesh në banesa sociale, që do të jepen me qira ose do të shiten me kosto të ulët për qytetarët e pastrehë, të cilët kanë kërkuar të trajtohen sipas programit të parashikuar në këtë ligj. Kjo do të mundësohet nëpërmjet identifikimit dhe studimit të plotë të ndërtesave apo banesave, të cilat rezultojnë të paprivatizuara. Kjo është pjesë e Listës së Inventarit të Pronave të Paluajtshme, të cilat do të përshtaten në banesa sociale në ndërthurje me planet trevjeçare të veprimit dhe studimet urbanistike pjesore.
Seleksionimi
Seleksionimi i këtyre ndërtesave për t’i kthyer në banesa sociale për strehimin e qytetarëve që rezultojnë të pastrehë do të bëhet çdo tre vjet. Disa prej këtyre objekteve do të kthehen komplet ose pjesërisht në banesa duke zbatuar projektet e duhura për transformimin e tyre në shtëpi të banuara nga qytetarët. Këto banesa mund të jenë ndërtesa të vogla, por që do të krijohen në mënyrë që të plotësojnë kushtet e jetesës së familjarëve që do t’i blejnë apo do t’i marrin me qira. Sipas programit të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës, çdo 3 vjet do të bëhet verifikimi i tyre nga Zyra e Pasurive të Paluajtshme sipas trevjeçarëve: trevjeçari i parë (2007 – 2009) i programit do të përbëjë bazën nga e cila do të mund të arrihen objektivat e parë konkretë dhe do të projektohen objektivat afat mesëm (2010 – 2012) dhe afat gjatë (2013 – 2017). Aplikimi për përfitimin e banesave me kosto të ulët kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në database-n elektronik të Drejtorisë.
31 Tetor 2008