E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, rastet ku do të investojnë qytetarët në buxhetin e 2009-s



Emanuela Sako

Një pjesë e fondit të mbledhur prej qytetarëve, që është 10 për qind e fondit total të Bashkisë së Tiranës, do të shkojë për krijimin e qendrave të reja sociale. Kështu, në të gjitha njësitë bashkiake do të ngrihen 8 qendra sociale për njerëzit në nevojë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, zhvilloi dje dëgjesën publike në Njësinë Bashkiake Nr. 3, ku u ka kërkuar qytetarëve për mbledhjen e fondit dhe mënyrën e shpërndarjes së tij. Rama u ka kërkuar qytetarëve që të investojnë për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara dhe për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë, si dhe në zonat e tjera të kryeqytetit. Banorët, në të gjitha njësitë bashkiake do të përcaktojnë një fond të posaçëm, për të cilin do të propozojnë vetë shpërndarjen, sipas problematikës që do të paraqesin.
Projekti
Projekti i parashikuar për këtë njësi synon t’i nxisë qytetarët të identifikojnë hapësirat mes pallateve që kanë infrastrukturë të rrënuar për të bërë më pas rehabilitimin e këtyre zonave. Po kështu, ngritja e një fondi solidariteti është një nismë e re, për të cilën do të investojnë vetë qytetarët. “Gjëja që unë dua të theksoj është ngritja e një fondi social të solidaritetit, i cili do të nxisë krijimin e qendrave të reja sociale, nëpërmjet rehabilitimit dhe financimit të shërbimit me të tretët”, - u shpreh Rama. Një nismë e re që do të prezantohet në buxhetin e vitit 2009 është përfshirja në një program të vetëm e fondeve sociale dhe atyre të solidaritetit. Programi do të trajtojë disbalancat në statusin shoqëror dhe social të kategorive në risk të komunitetit, duke rritur ndjeshmërinë e gjithsecilit për të kontribuar në mënyrë direkte kundrejt problemeve për këto kategori.
Zbatimi
Ndërhyrja në Njësinë Nr. 3 është parashikuar të bëhet në projektimin për rikualifikimin urban në Bllokun Nr. 56, i cili është kufizuar nga bulevardi “Zhan D’Ark”, rruga “Arkitekt Sinani” dhe rruga “Hoxha Tahsim”. Po kështu, do të ndërtohen edhe 5 kënde sportive, të cilat do të shërbejnë për të rinjtë e kësaj njësie. Ky është viti i dytë që Bashkia e Tiranës planifikon shpërndarjen e buxhetit, duke marrë edhe mendimin e qytetarëve të zonave përkatëse. Njëkohësisht, është edhe viti i parë ku do të aplikohet investimi i vetë qytetarëve për plotësimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Rikualifikimi i rrjetit rrugor përfshin:

Sistemin e furnizimit me ujë dhe të kanalizimit
Ndriçimin rrugor
Gjelbërimin dhe mobilimin urban
Sistemim - asfaltim për rrugët dhe ndërhyrjet e identifikuara nga komuniteti, të cilat do të përfshihen në programin “Fondi i komunitetit”
Rikonstruksionin e pjesshëm të shkollës së mesme “Çajupi”
Rikonstruksionin e pjesshëm të shkollave 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” dhe “Xhezmi Delli”
Rikonstruksionin e Kopshtit Nr. 22 (rruga ”Kongresi i Manastirit”)
Rikonstruksionin e palestrës në shkollën 9-vjeçare “Nikel Dardani”

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›