Kreditë me probleme, sa është rritur portofoli i keq në 8 muajt e 2008-s
Portofoli për individët, sipas BSH-së, është 43 për qind. Kreditë e dhëna nga bankat janë 351 miliardë lekë
Ervin Koçi
Gjatë periudhës janar-gusht 2008, me gjithë ngadalësimin në 41.8 për qind të rritjes vjetore, kreditimi i ekonomisë vazhdon të jetë faktori kryesor i zgjerimit të ofertës së parasë. Rritja e portofolit të kredisë ka mbështetur kryesisht bizneset, ritmi vjetor i të cilit është barazuar me rritjen e portofolit të individëve prej 43 për qind, thuhet në analizën e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kredia për ekonominë gjatë 8 muajve të parë të vitit 2008 ka vijuar të rritet me një normë vjetore mesatare prej 45.5 për qind nga 55 për qind që ka qenë në vitet e kaluara, duke arritur në 34 për qind ndaj PBB-së dhe 45.3 për qind ndaj parasë së gjerë (e gjithë paraja që ndodhet në qarkullim). Megjithatë, normat e rritjes së kredisë kanë ndjekur përgjithësisht prirjen në rënie prej më shumë se dy viteve, me përjashtim të muajve qershor dhe korrik, kur u regjistruan norma rritjeje më të larta se në muajt paraardhës. Kjo erdhi si pasojë e fluksit më të lartë mujor të kredisë gjatë qershorit, kryesisht për bizneset. Gjithsesi, fluksi mujor i muajit korrik i është rikthyer nivelit mesatar vjetor prej rreth 8 miliardë lekësh. Në nivele mesatare, gjatë 8 muajve të parë të vitit 2008, kredia në valutë përbën rreth 72 për qind të portofolit të kredisë, me një rritje prej 2 për qind më shumë se viti 2007. Sipas ekspertëve, kjo vjen si pasojë e normave më të larta të rritjes së kreditimit në valutë kundrejt atij në lekë, të cilat në nivele mesatare për 2008-n ishin përkatësisht 49 për qind dhe 37 për qind.
Kreditimi sipas kategorive
Konkretisht, kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore mesatare prej 40.6 për qind, për 8 muajt e parë të vitit. Kontributin kryesor e ka dhënë kredia për biznese, por në muajt e fundit është vërejtur një rritje më e theksuar e këtij kontributi kundrejt atij të dhënë nga kredia për individë. Sektorët e tregtisë, ndërtimit dhe industrisë thithin rreth 77 për qind të kredisë për biznese. Sipas BSH-së, pjesën më të madhe të kredisë, bizneset e përdorin për të mbuluar nevojat e tyre për para (48%), ndërsa 22 për qind e saj përdoret për investime. Kjo hedh poshtë pretendimin e kryeministrit Berisha se bizneset i marrin kreditë vetëm për investime. Më ndryshe duket situata e kreditimit për individët. Kredia për ata është rritur mesatarisht me 51 për qind, për periudhën janar-korrik 2008. Rritja e kredisë për individët është karakterizuar nga një tendencë rënëse, duke arritur në 44.3 për qind në korrik, nga 57.5 për qind që ishte në fund të vitit 2007. Ky ngadalësim i ndjeshëm i atribuohet në një masë të madhe ngadalësimit të kredisë për konsum. Nga ana tjetër, kredia për pasuri të paluajtshme, e cila përbën rreth 66 për qind të portofolit të kredisë për individë, ruan ritme të larta rritjeje, duke dhënë kontributin më të madh në rritjen e këtij portofoli. Qëndrueshmëria e ritmeve të larta të kredisë për pasuri të paluajtshme për individët, si dhe përshpejtimi i saj për biznese, kanë rritur peshën e kësaj kredie, duke e çuar në nivelet 12.5 për qind ndaj PBB-së, dy pikë përqindjeje më shumë se në fund të vitit 2007.
Kreditë në vitin 2007
Në 3-mujorin e katërt të vitit të kaluar, kreditë e akorduara për sektorin publik u rritën 2.4 miliardë lekë ose 71 për qind. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, për stabilitetin financiar për vitin 2007 portofoli i kredive për sektorin publik rezulton në nivelin e 5.8 miliardë lekëve. Sipas strukturës së kredive sipas afateve, vitin e fundit dallohet një zhvendosje graduale e kredisë afatshkurtër në afatmesme, drejt asaj afatgjatë. Po për tremujorin e fundit të vitit 2007, kreditë në monedhë të huaj rezultonin 2 herë më shumë se kreditë në lekë, përkatësisht 14.8 për qind, kundrejt 7.1 për qind. Ndërkohë gjatë një harku kohor prej një viti, rritja e portofolit të kredisë në lekë dhe në valutë ka qenë e balancuar. Po sipas raportit, rritja e kredisë në lekë vlerësohet në 44.3 për qind dhe e kredisë në valutë 49.1 për qind. Sipas të dhënave të raportit nga 32400 kredimarrës në monedhë të huaj, 16917 prej tyre të ardhurat i kanë në lekë. Ndërkohë kreditë me probleme në valutë, ku të ardhurat e kredimarrësve janë në lekë, përbën 48 për qind të totalit të kredisë me probleme në valutë.
Si konsiderohet një kredi “e keqe”
Sipas ekspertëve të bankave, një kredi quhet “e keqe” atëherë kur personi apo subjekti që e ka tërhequr atë në bankë kthehet në një problem për shlyerjen e saj. Fillimisht nisin vonesat me ditë e më pas ato kthehen në vonesa javore e mujore. Në të tilla raste bankat detyrohen që t’i lajmërojnë me dhjetëra herë klientët, madje detyrohen që të vendosin edhe “gjoba” që i shtohen shumës mujore që duhet paguar në bazë të përqindjes së caktuar për kredi. Sipas raportit të BSH-së, për gjendjen financiare të vitit 2007, 3-mujori i katërt i këtij viti rezultoi me një rritje të kredive me probleme. Sipas raportit, kreditë me probleme të sistemit bankar u rritën me rreth 1.1 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar kjo evidenton një rritje me rreth 3.8 miliardë lekë. Ndërkohë treguesi i kredisë me probleme me tepricat e kredisë, i cili mat madhësinë në neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, llogaritet në nivelin 1.8 për qind nga 1.7 për qind në 3-mujorin e mëparshëm. Banka e Shqipërisë kreditë i klasifikon në kredi në standard, kredi në ndjekje, kredi nën standard, kredi të dyshimta dhe kredi të humbura. Për 3-mujorin e katërt të 2007-s, 0.8 për qind e kredive ndaj tepricës së kredive rezultojnë të humbura, ndërsa 1.7 për qind e kredive rezultojnë nën standard.
Të dhëna mbi kreditë
351 miliardë lekë kredi të dhëna nga bankat private
64.7 për qind e kredisë ka shkuar për sektorin privat
33.9 pë qind ka shkuar për nevoja të qarkullimit të parasë nga subjektet
35.3 për qind ka shkuar për qëllime investimesh në biznes
35.3 për qind e kredisë është marrë nga individët
8.7 për qind ka shkuar për konsum nga familjarët
23.2 për qind ka shkuar për blerje të pasurive të paluajtshme
31 Tetor 2008