E Shtunë, 31 Tetor 2026

Butaforia politike e rikthimeve në PD



Zyrtarizimi plot zulmë i procesit të shkrirjes së partisë së zotit Pollo dhe i bashkimit të saj me Partinë Demokratike shënoi një nga butaforitë më groteske të pluralizmit politik në Shqipëri. Ky proces, të cilin të përbashkuarit duan ta shesin si ngjizje të natyrshme dhe ribashkim strukturor nga baza në qendër të “ish bashkëluftëtarëve të së njëjtës parti”, nuk është tjetër veçse bashkim mekanik me urdhër nga lart-poshtë, i ngjashëm me procesin kinse “vullnetar” të kolektivizimit të anëtarësisë dhe bagëtive të kooperativistëve në vitet ‘60 apo me tufëzimin e viteve ’80. “Shënomëni edhe mua”, - kjo devizë propagandistike aq e njohur, pardje u rikthye si slogan plot bujë para kamerave, me ç’rast kryetari i “kooperativës” ,Berisha, plot gazmend shpërndau dëshmitë e para të anëtarësimit dhe aderimit vullnetar të të ardhurve, duke filluar nga Pollo. Ky proces, me të cilin mburren politikisht protagonistët e sapo “tufëzuar” në PD, gjithsesi ka paravajtës të tjerë, të cilët i shkurorëzojnë nga pretendimi se ishin ata që u rikthyen të parët në plëngun e dikurshëm të shprishur, pasi i “lutën” plot përgjërim për vite të tëra, për hatër të të “mbeturve në vatrën e vjetër, me sytë e përlotur nga dera”. Ishin Imami e Zogaj ata që u rikthyen të parët në derën e Berishës, por vetëm pasi i përzuri Ceka me hunj dhe policë, ngaqë zunë shamatanë në parti dhe deshën ta heqin kryetarin historik e legjendar, sapo i shkarkuan nga postet ministrore. Do të mjaftonin hunjtë e asaj dite të nxehtë gushti të vitit 1992, në të ashtuquajturën konferencë e PD-së, mbi shpinat e Imamit, Zogajt, Peshkëpisë, Demetit, Tetës etj., që këta të tuboheshin në PAD-në që Ceka i dorëhequr nga PD-ja në fundvitin 1991 kishte regjistruar dhe bërë gati, në pritje të të kopanisurve të etiketuar si këlyshë të së majtës, “që synonin të çonin majtas PD, në aleancë me PS”. Përsëritja e kopanisjeve me hunj mbi shpinat e studentëve dhe themeluesve të dhjetorit ’90 edhe pas dy vitesh apo një dekade, për t’i përzënë nga PD dhe PAD, është elementi përbashkues më unikal i të rikthyerve të “penduar”, në mbarë historinë e pluralizmit në Lindjen ish-komuniste. Fyerjet, hunjtë dhe etiketimet si “spiunë të grekut” apo të të “majtëve”, në adresë të Pollos, Demit, Xhaferrit, etj., pas vitit 1999, që pasonin ato të ngjashmet deri në akuza si “vegla të Millosheviçit”, pas vizitës së krerëve të PAD në Beograd në vitin 1993, u derdhën mbi shpinat e ikanakëve të përzënë me dhunë nga PD-ja e që sot qëllimisht i quajnë “bijtë plëngprishës të rikthyer te strehëza e vjetër”, ndërkohë që të tillë quhen vetëm ata që e braktisin vatrën me dëshirë dhe jo që i dëbojnë me pahir. Por sot këta të gjithë janë të lumtur që u rikthyen te dera e plakut të moçëm Berisha, të cilin e kanë shpallur patriark të përjetshëm me skeptrin e bariut të grigjës. Jo më kot thotë populli se “ai që të rreh, të do të mirën”. Dhe patriarku i PD-së, Berisha, ua do të mirën të gjithë këtyre “bijve” të rikthyer, të cilët ai dhe të tijtë i kanë etiketuar si “bij plëngprishës”, pra të tillë që “janë larguar me dëshirë dhe po me dëshirë janë rikthyer”, duke i dhënë fund “ankthit” të “patriarkut sypërlotur e të braktisur nga ikja e bijve bredharakë”. Jo! Më shumë se imazhi emotiv i një ribashkimi në partinë e parë opozitare, nismëtare dhe misionare e pluralizmit, çka mund të ndikojë pozitivisht në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, Berisha me joshjen drejt rikthimit në strehëzën e vjetër synon rihipotekimin e primatit politik nga “bashkëthemeluesit” dhe vijimësinë në krye të patriarkisë pëdëiste, pikërisht në kulmin e shtrëngatës politike në prag të fundmandatit qeverisës. Këtij synimi i shërbeu edhe qerasja e Cekës me postin e nënkryetarit të Kuvendit, e Demit para tij me postin e kryekomisionerit të komisionit parlamentar të Sigurisë. Pa harruar këtu njeriun “hije” të kryeministrit në kabinetin qeveritar, apo “kryeideologun” e dikurshëm dhe të tashëm të PD-së. Ishte pikërisht filozofia e “rikthimit në strehëzën e vjetër” ajo që bashkoi në mort, brenda një viti, të gjithë miqtë bashkëthemelues politikë të të ndjerit “ish-i kopanisur” Teta, apo të ish-kopanisësit Gazidede. Gjithsesi për tufën ka rëndësi besnikëria ndaj bariut që i kullot dhe u jep tagji dhe jo shkopi i uruar që nxjerr nga “xheneti” dajakun dhe të mirat që blaton gunëmbajtësi që të do aq shumë. Ndofta nuk e kanë gabim ata që thonë se “kënaqësia e plëncit është më e madhe sesa dhembja e kurrizit”.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›