Për një rol më aktiv të studentëve në universitete
Prof. Dr. Fatbardha Gjini*
Debatet mbi edukimin zënë një nga vendet e para në diskutimet mbi të tashmen dhe të ardhmen e një vendi. Edukimi konsiderohet si një parakusht i domosdoshëm në zhvillimin e shoqërisë, në realizimin e ndryshimeve në të gjitha fushat e aktivitetit social dhe ekonomik.
Evolucioni i botës dhe i problemeve të saj kërkon konceptime të reja dhe refleksione të reja mbi shkollën. Është fjala për të vënë edukimin në themel të shoqërisë dhe për të ndërtuar një shkollë të aftë për të formuar persona aktivë, të aftë për të perceptuar problemet, të pasur në formim e me një individualitet të fortë, të frymëzuar me shpirt iniciative dhe vetërealizimi. Një shkollë që përforcon sensin e përgjegjësisë dhe kriticizmit konstruktiv, që i bën nxënësit dhe studentët të aftë për të vepruar në rrugën e ndryshimit.
Për pasojë, kjo shkollë do të duhet t’u lejojë nxënësve e të rinjve të kuptojnë dhe të kundërshtojnë padrejtësitë sociale dhe violencën, t’i bëjnë ballë të panjohurës dhe të kenë shpirtin e iniciativës, të mësojnë t’i bëjnë ballë sfidave, të jenë të aftë të identifikojnë problemet, të dinë se ku dhe si të kërkojnë, të identifikojnë dhe të analizojnë informacionet e nevojshme dhe, së fundi, të përcaktojnë zgjidhjen më të mirë për kushtet ekzistuese, të fitojnë aftësi të reja dhe të jenë të aftë të ndryshojnë mentalitetin, të zotërojnë mënyra të reja për të punuar dhe për të marrë përgatitje sa më të larmishme, të mund të punojnë e të bashkëveprojnë në grupe.
Përmes vizioneve humaniste, që afirmojnë dinjitetin dhe vlerën e gjithë njerëzve, duke u bazuar në aftësinë për të ndarë të mirën nga e keqja nëpërmjet cilësive humane, në mënyrë të veçantë, racionalitetit, edukimi duhet të sigurojë zhvillimin total të shoqërisë dhe të individit, si entitet autonom dhe anëtar i shoqërisë, duke inkurajuar shërbimin e tij në dobi të komunitetit.
Pengesat për studentët
Cilat janë disa nga problemet me të cilat ndeshen studentët? Sa përgatiten ata sipas vizioneve të sipërpërmendura?
Studentët tanë ndeshen me probleme që në hapat e parë të regjistrimit fillestar në universitet, që lidhen me problemet e Maturës Shtetërore, me udhëzimet e ardhura nga MASH me shumë vonesa dhe spostimet e etapave të lëvizjeve të studentëve në degët e preferuara edhe pas një muaji nga fillimi i vitit të ri akademik. Studentët e rinj nuk gjejnë organizimin dhe strukturat përkatëse me studentët e viteve më të larta dhe pedagogë-tutorë, siç ndodh në universitetet e tjera në botë, për pritjen, orientimin e përshtatjen me kërkesat e reja në universitet.
Studentë të disa degëve, si ata të Psikologjisë, Punës Sociale etj., nuk gjejnë mundësi për vazhdimin e studimeve në “Master” për të marrë DNP, për arsye të mosmiratimit të hapjes së tyre në UE dhe pamundësisë për të vazhduar në universitete të tjera për arsye ekonomike apo të kuotave të pranimit në to. Jo rrallë studentët tanë ndeshen me nivele jocilësore të mësimdhënies, për arsye të përgatitjes së pedagogëve dhe metodave të përdorura, për arsye të mungesës së një disipline pune dhe neglizhencave të pajustifikuara. Ata kërkojnë pedagogë të kualifikuar, me pasion për rinovim dhe krijimtari, pedagogë të kualifikuar jo vetëm në aspektin akademik por edhe psiko-pedagogjik. Probleme të shumta ndeshin studentët me provimet, me objektivitetin dhe transparencën e tyre. Nuk kanë të gjitha lehtësirat në shërbimet dhe marrjen e informacioneve, për arsye të strukturave tepër të reduktuara të administratës në shërbim të tyre. Teknologjitë e reja edukative do të duhet të transformojnë mënyrën e të mësuarit të studentëve, mënyrat e vjetra të mësimdhënies dhe të të nxënit e kërkimit në AL.
Në këtë aspekt, studentët, por edhe pedagogët, nuk i kanë akoma të gjitha mundësitë. Rritja e numrit të studentëve nuk është shoqëruar edhe me rritjen e mundësive për shfrytëzimin e teknologjive të reja, me pasurimin e bibliotekave, me aksesin e shpejtë dhe të mundshëm për 24 orë në internet. Ato pak salla të informatikës janë tepër të kufizuara edhe për zhvillimin e lëndës së Informatikës. Studentët nuk kanë organizime e bashkëpunime në shoqata të ndryshme, të cilat mund të jenë profesionale, shkencore dhe kulturore, por edhe në kuadër të qeverive studentore nuk ndjehet shume roli i tyre, angazhimi në evidentimin e zgjidhjen e problemeve dhe qëndrimi kritik i tyre.
Roli i studentëve
Por, realisht, cili është roli i studentëve në zgjidhjen e këtyre problemeve? Studentët do të bëhen drejtuesit e ndryshimeve në të ardhmen, jo vetëm si studentë individë, por edhe në varësi të përkatësive të tyre nëpër grupe të ndryshme studentore apo bashkime studentore. Edhe roli i stafit që drejton dhe asiston këto bashkime nuk është i pakët. Ata duhet të stimulojnë, drejtojnë dhe artikulojnë me mirë kërkesat e studentëve dhe t’i frymëzojnë ata duke i dhënë vizione, mjete dhe mënyra për të ndikuar në politikat publike dhe qytetarinë e së nesërmes. Shembulli i universiteteve në Francë ku mijëra studentë u ngritën për të demonstruar kundër politikave të edukimit dhe kontratave të punës, të ndërmarra nga qeveria në 2006-n, patën efekt mjaft të gjerë dhe konstruktiv. Shembulli i universiteteve angleze, p.sh., i Oksfordit, ku fushatat e studentëve kundër testeve shkencore mbi kafshët kanë arritur të ngrenë probleme madhore të etikës së kërkimeve dhe kanë nxitur debate konstruktive midis aktorëve të ndryshëm pjesëmarrës. Grupe artistike, kore muzikore, ngjarje mediatike, spektakle për komunitetin, fushata sensibilizuese etj., sa e sa shembuj të tillë gjenden këto ditë nëpër botë duke filluar nga Greqia dhe Italia e afërt, e duke vazhduar deri ne Amerikë, Australi dhe vendet më të zhvilluara. Përhapja e internetit u jep studentëve mënyra të reja për të protestuar dhe për t’u organizuar, për t’u bashkuar me grupe të ndryshme për një kauzë te caktuar, për të koordinuar bashkëpunim në nivele të ndryshme, për të shkëmbyer informacione, për të firmosur peticione on-line, për të marrë pjesë në debate on-line etj. Pra, promovimi i internetit si pasuri informacioni dhe mjet ndërlidhjeje është thelbësor në ditët e sotme dhe duhet stimuluar. Të gjitha këto ide dhe përvoja duhet të frymëzojnë studentët tanë të të gjitha degëve në universitet për angazhime, bashkëpunime dhe aktivitete konkrete në të ardhmen. Studentët shqiptarë duhet ta gjejnë veten dhe aktivizimin e tyre në këtë kontekst, gjë që nuk është e lehtë.
Nëse arrihet një aktivizim më i lartë i studentëve dhe pjesëmarrje e tyre në politikat e një shoqërie, ajo shoqëri ecën përpara.
------------------------------------
* Autorja e shkrimit është anëtare e Institutit të Sociologjisë dhe pedagoge në Universitetin “Fan Noli” në Korçë
31 Tetor 2008