E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejet dhe licencat, si do të mund të merren pas vitit 2009 nga bizneset



Ervin Koçi

Brenda gjysmës së parë të vitit 2009 në Shqipëri do të nisë të funksionojë stacioni me “një ndalesë” edhe për licencat dhe lejet. Krijimi i një qendre me një “ndalesë” parashikon edhe rishikime, si: reduktimin masiv të numrit dhe llojeve të licencave e lejeve, si dhe thjeshtëzimin e qartësimin e kritereve për dhënien e tyre. Ngritja e qendrës me një “ndalesë” përfshin edhe zbatimin e parimit të “miratimit në heshtje”. Aktualisht po punohet për përzgjedhjen e modelit më të përshtatshëm duke u bazuar në përvojat ndërkombëtare, si dhe duke e marrë në konsideratë mjedisin shqiptar. Ministria e Ekonomisë, me mbështetjen financiare të programit gjerman “GTZ”, ka përfunduar hartimin e një dokumenti, i cili hedh themelet e para për mënyrën se si do të funksionojë kjo qendër. GTZ-ja do të mbështesë edhe përgatitjen e ligjit dhe akteve nënligjore të nevojshme për ngritjen dhe funksionimin e Qendrës së Licencimit. Sipas hartuesve të këtij dokumenti, klima rregulluese është e favorshme për të nisur krijimin e qendrës. Për këtë ekspertët i referohen raportit “Të Bësh Biznes të vitit 2009”, të Bankës Botërore, e cila e rendit Shqipërinë ndër vendet e para në reformimin e sistemit rregullator, ku renditja e vendit u përmirësua nga vendi i 135-të në të 86-tin në renditjen botërore, për lehtësinë e të bërit biznes. Sipas hartuesve të këtij dokumenti, për hartimin e tij është shfrytëzuar baza e të dhënave dhe produktet e reformës rregullatore, që është ndërmarrë në tre vitet e fundit nën drejtimin e Task-Forcës”. Deri në këtë fazë ky dokument është konsultuar me disa nga anëtarët e Task-Forcës, si dhe ekspertë të administratës publike të fushave të ndryshme. Synimi është që i gjithë kuadri ligjor të jetë gati dhe në fuqi brenda vitit 2008.

Reduktimi i lejeve dhe i licencave

Nga rreth 170 licenca e leje të llojeve të ndryshme do të mbeten në fuqi rreth 65 prej tyre. Pra me fjalë të thjeshta, nëpërmjet krijimit të kësaj qendre qeveria synon të eliminojë një numër të madh lejesh e licencash, duke i reduktuar ato me rreth 2/3. Sipas këtij projekti do të rishihen kriteret për dhënien e çdo leje dhe licence, do të thjeshtëzohen dhe do të qartësohen. Një pjesë e mirë e licencave dhe lejeve, që do të mbeten do të shndërrohen në format vetëdeklarimi nga subjektet kërkuese apo në një proces verifikimi të zotërimit dhe vërtetësisë së dokumenteve. Përmirësime do të ketë edhe në llojet e dokumenteve që do të kërkohen, përfshirë rastin që nëse këto dokumente zotërohen nga autoritete publike, subjekti nuk do të ketë nevojë të dorëzojë kopje të tyre, por ekzistenca e dokumentit do të sigurohet nga lidhja në rrjet e autoriteteve dhe “sistemin e të dhënave” të tyre. Parimi i “miratimit në heshtje” do të mbështetet nga përdorimi i teknologjisë së informacionit, pasi në mungesë të këtyre mjeteve të komunikimit shkresor joelektronik do të ishte thuajse i pazbatueshëm. Projekti parashikon edhe ndryshime të tjera. Në dokumentin e hartuar nga Ministria e Ekonomisë bëhet e ditur se në të ardhmen disa licenca dhe leje do të hiqen dhe gjithashtu do të shtohen disa të tjera.

Penalitetet

Gjatë procesit të licencimeve parashikohet edhe përcaktimi i penaliteteve mbi subjektet, që pas inspektimeve do të rezultojnë me shkelje ligjore në përmbushjen e kritereve. Bëhet fjalë për parashikim të pezullimeve, apo anulimeve të licencës a lejes bashkëshoqëruar apo jo edhe me gjoba. Edhe në këtë rast hartuesit e këtij dokumenti parashikojnë disa mundësi: a) -Mundësia e parë është që qendra nëpërmjet inspektimeve merr vetë vendim për penalizime të mundshme. b) -Mundësia e dytë është se bazuar në inspektimet e inspektorateve të autoriteteve të tjera përkatëse dhe në kërkesën e tyre, qendra gjykon nëse duhet marrë një penalitet apo jo, pra qendra shërben si filtër. c) -Mundësia e tretë është se qendra ekzekuton automatikisht aktet e autoriteteve të tjera, që rezultojnë sipas inspektimit, por nuk kryen vetë inspektime. d) -Mundësia e katërt është kombinim i këtyre opsioneve.

Afatet kohore për aprovim

Licencat dhe lejet me autodeklarim, sipas këtij modeli, do të mund të trajtohen në një kohë mjaft të shkurtër, 2-3 ditore. Ato të thjeshtat, që kërkojnë vetëm verifikim të zotërimit të dokumentacionit dhe ndonjë verifikim të vërtetësisë së tij mund të kërkojnë rreth një javë kohë (5 ditë pune). Licencat, që bazohen në kryerjen e testimeve apo provimeve, do të kërkonin një procedure tjetër. P.sh., autoritetet përkatëse mund të kryejnë testime 2 herë në vit. Në secilin rast shpallet paraprakisht koha e kryerjes së provimit, zbatimet dorëzohen në qendër me dokumentacionin përkatës, aplikantët, që kualifikohen për t’u testuar apo marrë në provim, lajmërohen po nëpërmjet rrjetit të qendrës për datën, orën dhe vendin e kryerjes së testimit dhe rezultatet e tij i dërgohen qendrës nga autoriteti përkatës pas kryerjes së testimit brenda një afati të arsyeshëm disa ditor. Aplikantët që kanë kaluar me sukses testimin, marrin licencë menjëherë. Për licencat apo edhe lejet me vendimmarrje kolegjiale e për të cilat do të duhet të përdoret inspektim “ex-ante” (paraprake), në terren do të kërkojnë një kohë më të gjatë. Afati 30-ditor është propozuar si më i arsyeshëm për shumë raste. Nuk përjashtohen rastet kur do të ketë licenca, që do të kërkonin afate më të gjata. Për shkaqe të arsyeshme, autoriteti përkatës publik mund të njoftojë edhe shtyrje të afatit. Licenca do të hyjë në fuqi me shpalljen e saj në regjistrin elektronik.

BOX//////////////////////////////////////
Si do të funksionojë Qendra

Parimi i tarifës “1 euro” mendohet se mund të jetë zgjedhja e përshtatshme për licenca dhe lejet e thjeshta, ndërsa mund të ruhen tarifa të përshtatshme, më të larta, që mbulojnë kostot që kërkojnë vlerësime të kushtueshme. Qendra Kombëtare e Licencimit mendohet se mund të jetë një institucion i pavarur, por nën “ombrellën” e Ministrisë së Ekonomisë. Përveç rolit të dhënies së licencave e lejeve, si funksion kryesor të saj, qendra do të ketë grumbullimin e informacionit, të kryerjes së analizave dhe ofrimit të këshillimeve për hapat e mëtejshëm në reformë. Sipas ekspertëve, qendra mund të përhapë njohuri dhe të ofrojë trajnime dhe këshillime për ngritjen e qendrave të tjera të modelit “one-stop shop” nga autoritetet vendore për shërbime apo licenca ekskluzivisht vendore. Tarifat e qendrës do të mbahen të ulëta. Parimi i tarifës “1 euro” mendohet se mund të jetë zgjedhja e përshtatshme për licenca dhe lejet e thjeshta, ndërsa mund të ruhen tarifa të përshtatshme, më të larta, që mbulojnë kostot që kërkojnë vlerësime të kushtueshme. Për lehtësimin e aksesit të publikut, Qendra, mund të ngrejë vetë sportele në territor ose të lidhë marrëveshje për ofrimin e shërbimit me autoritetet e tjera publike.

Aksesi në Qendër

Ashtu edhe si te QKR-ja, mundësia e aplikimit “on-line” do të mbetet e hapur dhe synohet që kjo qendër të ketë sportele pritëse të shpërndara në të gjithë territorin.
Sipas opsioneve ai i parë është që: Qendra ngre sportelet e saj; i dyti: Sportelet pritëse të QKR-së (pranë Dhomave të Tregtisë dhe bashkive) shërbejnë edhe si sportele pritëse të qendrës së licencimit; i treti: Shërbimi i sportelit pritës mund të nënkontraktohet te subjektet private; i katërti: Sistem i kombinuar i tre opsioneve të qendrës si një vendim menaxherial dhe jo si një rregullim ligjor i bazuar në funksionin e deleguar.

Lejet e ndërtimit me “ndalesë” më vete

Modeli i hartuar deri tani për funksionimin e Qendrës Kombëtare të Licencimit, duket se do të përqendrojë në duart e qeverisjes lejet e ndërtimit. Në këtë raport thuhet se
një opsion i mundshëm mund të jetë se ndonjë licencë apo leje mund të mbetet jashtë veprimit të qendrës, për shkak të komplikimit të lartë të procedurave, numrit të autoriteteve me kompetencë për t’u shprehur dhe natyrës komplekse të kritereve. “Për shembull, lidhur me lejet e ndërtimit për shkak të procedurës dhe kritereve mjaft komplekse dhe numrit të madh të autoriteteve, që sipas ligjeve të ndryshme duhet të përfshihen njëkohësisht në vendimmarrje, do të meritonte një sistem më vete, trajtimi. Në fakt, projekt-ligji për planifikimin e territorit parashikon një one-stop-shop të dedikuar për këto lloj lejesh”,- shkruhet në këtë dokument. Sipas ekspertëve, në lidhje me këtë nënçështje është e nevojshme që të përcaktohen ato licenca apo leje që, si në rastin e lejeve të ndërtimit, do të veprohet më vete dhe jashtë sistemit të qendrës. Një gjë e tillë, nënvizohet në këtë dokument, kërkon që lista e licencave dhe lejeve që mendohet të mbeten në fuqi të studiohet një për një dhe të merret vendim për secilën prej tyre nëse do procedohet nëpërmjet qendrës apo do procedohet drejtpërdrejt nga autoritet përkatëse sipas procedurës së sotme (apo me një procedurë dhe instrument të ri si në rastin e lejeve të ndërtimit).

Shoqata e Ndërtuesve kërkon ngritjen e tarifës së kontrollit për ndërtimin

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkon nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ngritjen e tarifës së pagesës për studimin, projektin dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit. Kjo nisëm është ndërmarrë në bashkëpunim edhe me dy shoqata të tjera atë të Arkitektëve dhe të Inxhinierëve Konsulentë. Sipas sekretarit të zëvendësdrejtorit të kësaj shoqate, Ilir Hebovija, kjo kërkesë tashmë është parë nga specialistët e Ministrisë dhe është në rrugë të mbarë për ndryshimin e VKM-së në mënyrë që të punohet me tarifat e reja dhe puna intelektuale të gjejë vlerësimin e duhur. Problemet që dalin nga ky fenomen janë të shumta që nga projektet e dobëta analizat e parregullta dhe deri te standardet primitive që kanë ambientet ku punohet.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›