AMC prezanton shorteun më fitimprurës “Rimbush dhe fito”
AMC shpërblen të gjithë abonentët e saj me parapagesë duke u dhënë mundësinë të fitojnë çdo ditë 100.000 lekë në dorë dhe një herë në javë 1.000.000 lekë në dorë dhe kjo me anë të fushatës “Rimbush dhe fito”. Për herë të parë në Shqipëri abonentët mund të marrin pjesë në shorte pa asnjë kosto, vetëm duke rimbushur numrat. Shorteu promocional është i thjeshtë, i qartë dhe pa kosto shtesë. Shumën e rimbushjes abonentët mund ta shpenzojnë sipas dëshirës. Shorteu promocional “Rimbush dhe fito” fillon këtë javë dhe ofron mundësi të shumta fitimi. Çdo abonent AMC me parapagesë që rimbush numrin me karta rimbushëse ose me “AMC Fleksi” si zakonisht, hyn automatikisht në shorte. Abonentët, me çdo rimbushje të kryer, bëhen pjesëmarrës në shorteun e përditshëm dhe mund të fitojnë 100.000 lekë. Ata do të jenë automatikisht pjesëmarrës në shorteun javor të asaj jave kalendarike dhe kanë mundësi të fitojnë 1.000.000 lekë. Edhe një rimbushje e vetme mund të të bëjë fitues, por sa më shumë pikë mbledh, aq më të mëdha janë mundësitë për të fituar. Shuma e rimbushjes konvertohet në pikë për pjesëmarrjen në shorte. Nëse abonenti rimbush 400 lekë, merr 400 pikë pjesëmarrjeje, d.m.th. numri i tij regjistrohet 400 herë në shorte. Sa më e madhe të jetë shuma e rimbushjes, aq më të shumta janë mundësitë për fitore. AMC jep edhe pikë bonus, në varësi të shumës së rimbushjes. Për rimbushje prej 500-1000 lekësh, jepen 250 pikë shtesë. Për rimbushje prej 1001- 2000 lekësh, jepen 500 pikë shtesë. Për rimbushje prej 2001-5000 lekësh, jepen 1000 pikë shtesë. Për rimbushje prej 5001-10.000 lekësh, jepen 2500 pikë shtesë. Abonentët do të shpërblehen edhe më shumë nëse përhapin lajmin. Nëse ftohen miqtë me numër AMC të marrin pjesë në shorte, secili prej abonentëve fiton 250 pikë shtesë. Nëse dërgohet numrin i një miku si SMS, me çmimin e zakonshëm, tek numri 1519 dhe nëse miku kryen rimbushje brenda të njëjtës ditë, abonenti përfiton 250 pikë shtesë. Çmimet u jepen në dorë të gjithë fituesve. Shorteu promocional fillon në 9 nëntor 2009 dhe përfundon në 3 janar 2010. Çdo shorte do të hidhet në praninë e përfaqësuesve të Ministrisë së Financës, të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, të një noteri dhe një përfaqësuesi të AMC. Fituesit do të lajmërohen me telefon nga AMC për mënyrën e tërheqjes së çmimit. Fituesit do të publikohen edhe në faqen e internetit të AMC. Tashmë të gjithë abonentët me parapagesë të AMC mund të përdorin shërbimet e shumta të AMC, të rimbushin numrin sipas nevojës dhe njëkohësisht të kenë mundësi të fitojnë çmime të përditshme e të përjavshme.
Fluturimet nga Kukësi, nisin negociatat mes qeverisë dhe Aeroport Partneres
Ministria e Transportit do të nisë këtë muaj negociatat me kompaninë koncesionare “Tirana Aeroport Partners”, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për të vënë në punë aeroportin e Kukësit. Kompania gjermane që ka marrë me koncesion aeroportin e Rinasit ka ekskluzivitetin e fluturimeve. Në këto kushte, vetëm në rast se ajo do të lëshojë pe aeroporti i Kukësit mund të vihet në punë. Ministri Sokol Olldashi ka pranuar sot se brenda këtij muaji do të nisin bisedimet për të arritur një marrëveshje. Sipas tij është gjetur mirëkuptimi i kompanisë koncesionare për të vënë në punë jo vetëm aeroportin e Kukësit por edhe atë të Sarandës, që qeveria ka në plan të ndërtojë. Sipas të dhënave nga ministria punimet në aeroportin e Kukësit kanë përfunduar prej kohësh dhe pista është brenda të gjitha kushteve teknike dhe të sigurisë, për pritur ulje- ngritjet e avionëve. Për ndërtimin e aeroportit të Kukësit janë shpenzuar më shumë se 22 milionë dollarë, por fillimi i fluturimeve nga ky skaj verior i vendit mbetet ende në pikëpyetje. Ky aeroport është nën administrimin e qeverisë shqiptare.
Kursi valutor, euro rikthehet në 138 lekë pas dy javësh
Leku shqiptar shënoi dje kuotën më të ulët në dy javë kundrejt monedhës së përbashkët europiane euro, në një ditë të karakterizuar nga një luhatshmëri relativisht e lartë në treg. Euro e nisi ditën në kuotën 138.7 lekë në tregun ndërbankar sipas të dhënave të agjencive ndërkombëtare të këmbimit valutor, por u tërhoq pa kaluar mesdita në kuotën 138 lekë. Fiksi i Bankës së Shqipërisë ishte 137.97 lekë, kuota më e lartë e shënuar që nga 26 tetori. Sipas ekspertëve të bankave, megjithëse euro është kuotuar kaq lart, pjesa më e madhe e bankave nuk po nxitojnë ta blejnë dhe po presin për të parë nëse leku do të stabilizohet nën këtë kuotë. Euro është kuotuar më poshtë se 138 lekë gjatë dy javëve të fundit, sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, por lëvizjet për më lart nuk kanë munguar.
11 Nentor 2009