E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti: Çmimet e konsumit dhe shërbimet rritje 20 për qind deri në fund të vitit



Ervin KOÇI

Banka e Shqipërisë konstaton me shqetësim një rritje të pandërprerë të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të ndryshme që prej disa muajsh po shënojnë vetëm rritje. Duke e analizuar me kujdes situatën, BSH-ja jep alarmin se deri në fund të vitit 2009 konsumatorët do të përballen me rritje të çmimeve në shumë zëra deri në 20 për qind. Kjo vjen si pasojë e thellimit të inflacionit në Shqipëri i cili edhe pse ka qëndruar i ulët gjatë 12 muajve të fundit, e ardhmja mund të mos jetë kaq pozitive. Sipas raportit të BSH-së, të publikuar së fundmi, dy janë shkaqet kryesore të pritshmërisë për inflacion të moderuar: rritja e pritshme e çmimit të energjisë elektrike dhe efekti i kursit të këmbimit në çmimet e mallrave të importuara. Sipas raportit, problemet e krijuara në ecurinë e çmimeve si pasojë e zhvlerësimit të lekut janë parë sakaq gjatë tre muajve të fundit. "Ecuria e normës së inflacionit të kategorisë ‘Ushqime të papërpunuara’ merr një rëndësi të veçantë në shpjegimin dhe në parashikimin e luhatjeve afatshkurtra të inflacionit. Kontributi negativ përgjatë gjithë vitit 2008 i kësaj kategorie në inflacionin total ndihmoi në zbutjen e presioneve të forta inflacioniste që u gjeneruan kryesisht nga ana e ofertës", thuhet në raport. Kontributi i kësaj kategorie pësoi një rritje progresive gjatë vitit 2009, ndërkohë që në muajin shtator 2009, ai kulmoi në vlerën 2.4 pikë përqindjeje.

Inflacioni

“Inflacioni i cili ka përfshirë grupin e produkteve të konsumit dhe shërbimeve kryesore në vend, rezultoi në vlera dyshifrore në tre muajt e fundit të vitit 2009, duke arritur nivelin më të lartë në muajt gusht e shtator me rreth 13.3 për qind”, - thuhet në raportin e BSH-së. Ky raport vijon më tej duke shpjeguar se: inflacioni mujor i lartë (2.8 për qind) në dy muajt respektivë, ishte kryesisht rezultat i veprimit të nënçmimit të monedhës vendase kundrejt monedhës europiane, faktor i cili ndikoi në rritjen e çmimeve të këtyre mallrave të konsumit të përditshëm të importuara kryesisht nga vendet fqinje. “Në mënyrë të veçantë, çmimet e grupit të mallrave ‘perime’ dhe ‘fruta’ kontribuuan në masën 67 për qind në formimin e shifrës të përgjithshme të inflacionit gjatë këtij tremujori",- vijon më tej argumentimin Banka e Shqipërisë. Indeksi i Çmimeve të Konsumit paraqet ecurinë e çmimeve të mallrave kryesore në ekonominë shqiptare dhe përbëhet në masën 50 për qind nga çmimet e ushqimeve. Gjatë këtij viti, çmimet e mallrave në tregun ndërkombëtar pësuan rënie të ndjeshme pas rritjes marramendëse të vitit të kaluar, gjë që kompensoi përkohësisht rritjen e kostos së importimit të shkaktuar nga zhvlerësimi i lekut. "Kategoria ‘ushqime të përpunuara‘ regjistroi një rënie të çmimeve, duke manifestuar një ecuri krejtësisht të ndryshme krahasuar me një vit më parë. Inflacioni vjetor i kësaj kategorie një vit më parë ishte 10 për qind, ndërsa këtë vit shënoi vlerën negative -0.2 për qind. Pjesa e importuar e këtyre produkteve ka pasur një periudhë qetësie si rezultat i rënies së ndjeshme të çmimeve të tyre në tregun botëror prej rreth një viti", thotë Banka e Shqipërisë.
Çmimet

Inflacioni i ulët është shkaktuar pjesërisht edhe nga mosrritja e çmimeve të administruara në ekonominë shqiptare, veçanërisht mosrritja e çmimit të energjisë elektrike gjatë këtij viti. Por edhe në këtë drejtim, situata pritet të ndryshojë. Sipas marrëveshjes së privatizimit të OSSH-së, në vitin 2010, çmimi i dritave duhet të rritet njëkohësisht si për vitin 2009, ashtu edhe për vitin 2010. Çmimet pritet të rriten gjithashtu edhe për shkak të rritjes së akcizës për disa mallra si duhan dhe kafe. Rritja e akcizës hyri në fuqi pak javë më parë. "Inflacioni për mallrat e tregtueshëm në muajin shtator, rezultoi i njëjtë me atë të muajit paraardhës, 3.1 për qind. Vlera relativisht e lartë e tij, është përcaktuar më së shumti nga dobësimi i pozitës së lekut kryesisht kundrejt euros, si edhe nga prania e luhatjeve relativisht të forta në tregun e brendshëm valutor që nga fillimi i vitit 2009. Ndërkohë, koniunktura botërore e çmimeve të lëndëve të para dhe bazë ka vijuar të luajë një rol favorizues në frenimin e presioneve inflacioniste me origjinë jashtë ekonomisë së vendit",- thotë BSH.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›