E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezart Taçi kërkon në Gjykatë revokimin e masës së sigurisë



Laureta Rryçi

Biznesmeni Rezart Taçi kërkon në Gjykatë revokimin e masës së sigurisë që mori katër ditë më parë. Kërkesa e tij u paraqit dje zyrtarisht nga avokatët në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës. Nëpërmjet kësaj kërkese, biznesmeni që akuzohet për rrahjen për shkak të detyrës të gazetarit Mero Bare, tenton për të rifituar lirinë. Sipas burimeve zyrtare pranë kësaj gjykate mësohet se kërkesa për revokim të masës së sigurisë ndaj Rezart Taçit, e dorëzuar nga avokatët Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, ka si objekt kërkesën ndaj gjykatëses Farije Budo që të ndryshojë masën nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Të njëjtat burime sqaruan se avokatët u shprehën se kjo kërkesë, sipas ligjit, duhet të shqyrtohet brenda pesë ditësh. Pritet që në ditët në vazhdim të jepet edhe vendimi në lidhje me këtë kërkesë.
Masa e sigurisë
Presidenti i kompanisë “Taçi Oil” nuk i shpëtoi qelisë katër ditë më parë, edhe pse ishte i gatshëm që të ngrinte në bankë një llogari prej 100 mijë eurosh. Rezart Taçi, i cili akuzohet për rrahjen e gazetarit Mero Baze, u shoqërua me një nga grupet e togës së shoqërimit nga qelitë e paraburgimit për në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Shoqërimi i tij u bë për t’i komunikuar masën e sigurisë së dhënë në mungesë dy ditë më parë nga e njëjta gjykatë. Për pozicionin dhe kërkesat e biznesmenit ka folur vetëm avokati i tij, Maks Haxhia. Ndërkohë, prokurori i çështjes, Gjergji Tako, ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke i kërkuar Gjykatës për së dyti që ndaj Taçit të linte në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë në mungesë. Gjyqtarja Fahrije Budo ka lënë në fuqi të njëjtën masë, duke rikthyer kështu sërish biznesmenin në qelitë e paraburgimit. Avokatët, pasi kanë dalë nga Gjykata, mësohet se janë shprehur se do të apelojnë menjëherë vendimin e djeshëm.
Pretendimet
Burime që ishin prezente në sallën e gjyqit treguan se avokati Haxhia i ka kërkuar gjyqtares masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” për klientin e tij. Sipas avokatit, Taçi ishte një person me integritet që po sulmohet qëllimisht gjatë këtyre ditëve për të denigruar figurën dhe biznesin e tij. Po kështu, avokati është shprehur se ndaj klientit po ushtrohej dhunë psikologjike nga ana e gazetarit Mero Baze prej një muaji, nëpërmjet shkrimeve në gazetën e tij dhe emisionit në televizion. Së fundi, avokati, për t’i dhënë më shumë garanci Gjykatës se klienti do të respektojë të gjitha detyrimet ndaj Drejtësisë dhe se nuk përbën rrezik shoqëror lënia e lirë e tij i ka ofruar si garanci pasurore shumën 100 mijë euro. Me të njëjtën masë sigurie Gjykata pati lënë pesë ditë më parë edhe dy truprojat e Taçit, po për të njëjtën akuzë.

Procesi për Ilir Pajën
Mungon oficeri i policisë, lexohet dëshmia

Duke qenë se njëri nga oficerët e policisë që mori pjesë në arrestimin e Ilir Pajës ndodhet jashtë vendit në një operacion tjetër policor, Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar të lexojë deklarimet e tij dhënë gjatë hetimeve paraprake. Oficeri i policisë konsiderohet si një ndër dëshmitarët kyç okularë, pasi ai ndodhej në të njëjtin motor nga i cili, gjatë përplasjes me të shumëkërkuarin mbeti i plagosur kolegu i tij, Bledi Alimeni.
Oficeri kishte thënë në deklarimet e tij se i shumëkërkuari Paja i kishte dalluar që po e ndiqnin dhe në momentin që policët e kanë bllokuar në rrugë, ai ka qëlluar dhe në drejtim të tyre, ku dhe mbeti i plagosur Alimeni. Ndërkohë, gjykata ka vendosur që në seancën e ardhshme të marrë edhe dëshminë e Ilir Pajës, i cili po gjykohet për përplasjen me Policinë shqiptare. Paja njihet si mjeshtër i arratisjeve pas dy të tillave në burgjet italiane.

Dy britanikët
Prokuroria dorëzon në Gjykatë provat kundër të pandehurve
Dy britanikët e akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, kanë dëgjuar dje në seancën e radhës provat që akuza ka kundër tyre në lidhje me skandalin seksual ndaj fëmijëve në fondacionin “Fëmijët e tij”. Prokurorja e çështjes i dha trupës gjykuese të kryesuar nga Shefkie Demiraj provat të tilla si akt-ekspertimet ndaj 10 minorenëve të abuzuar seksualisht, përgjimet ndaj e-mail-eve të shkëmbyera mes të dhunuarve dhe të pandehurve, si dhe dëshmitë e marra më letër-porosi nga ish-punonjës të fondacionit, që aktualisht ndodhen në Angli. Gjykata njoftoi psikologen e të miturve se njëri nga fëmijët e abuzuar, me inicialet G. B. dhe birësuesi i tij që ndodhet në Amerikë, do të mbërrijnë për të dëshmuar mbi këtë proces javën që vjen, ditën e martë.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›