Banesat sociale,në nëntor tenderi
Banesat sociale për të pastrehët do të jenë gati në vitin 2010. Muajin që vjen, bashkia do të shpallë tenderin për firmën fituese, që do t'i ndërtojë këto banesa në verilindje të kryeqytetit, te Fonderia Mekanike. Këtë pohojnë burime nga ky dikaster. Në këtë zonë të pabanuar është planifikuar ndërtimi i 393 apartamenteve, në të cilat pritet të strehohen 1.300 persona. Ndërtimi i këtyre banesave sociale, që pritet të jenë ndër investimet më të mëdha për të pastrehët në Tiranë, do të financohet 60% nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, (CEB) dhe 40% nga fondet e Bashkisë së Tiranës. Të 393 apartamentet e reja do të zënë një sipërfaqe prej 28 mijë metra katrorë, ku përfituesit e parë do të jenë banorët e ish-Uzinës së Autotraktorëve, që jetojnë në kushte të papërshtatshme në mjediset e brendshme të saj.