E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiakët braktisin ambasadorët

 

SHKODER / RITVAN DIBRA

Pushtetarët vendorë braktisin konferencën e ambasadorëve në ditën e katërt të saj. Veç Kryebashkiakut të Shkodrës, në qytetin e të cilit u zhvillua dita e djeshme e konferencës, asnjë prej kolegëve të tij nuk ka preferuar të jetë i pranishëm. Ftesën e ka neglizhuar dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ndonëse në të njëjtin orar po zhvillonte një takim me elektoratin socialist në Shkodër, vetëm 15 km larg sallës ku mbahej mbledhja e diplomatëve. Në qendër të vëmendjes të konferencës ditën e djeshme ishte pikërisht bashkëpunimi i diplomatëve shqiptarë që përfaqësojnë vendin tonë në botë me njësitë vendore. Por këta të fundit nuk kanë denjuar të marrin pjesë fare. "Edhe pse drejtuesit vendorë ishin njoftuar për një takim të tillë, dhe ata ishin në fokusin e punës së ambasadorëve, është e pafalshme dhe e turpshme që kryetarët e bashkive qendrore të vendit tonë nuk kanë begenisur që të jenë në një takim të tillë", u shpreh dje Zv.ministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi. Të pranishëm në konferencën e mbajtur në Shkodër ishin rreth 70 përfaqësues të diplomacisë shqiptare. Qëllimi ishte shkëmbimi i përvojave dhe kërkesën për mbështetje nga ana e ambasadorëve në lidhjet dhe shkëmbimet e ndryshme mes këtyre njësive vendore, me homologët e tyre apo dhe me organizma të fuqishëm ndërkombëtarë, në vendet e huaja ku ato janë me shërbim, në kuadër të decentralizimit të njësive vendore. Në panelin e kësaj konference ishte parashikuar që të ishin të pranishëm veç zv.ministrit Gurakuqi dhe Kryetari i Bashkisë së Korçës apo dhe ai i Kukësit, bashkë me atë të Vlorës, Lezhës, Durrësit etj. Numri dy i Ministrisë së Jashtme është treguar i ashpër, duke e nënvizuar një fakt të tillë kur kjo ministri organizon këtë takim për të mundësuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave të njësive vendore me ambasadorët tanë në botë. Gjatë këtij takimi oratorët e ndryshëm sollën shembuj të përvojave të njësive vendore, të ministrisë dhe të eksperiencave të diplomatëve shqiptarë për rritjen e bashkëpunimit të lidhjeve të marrëdhënieve mes njësive vendore shqiptare dhe atyre homologe në botë. Hysen Osmanaj, drejtor i politikave të zhvillimit dhe integrimit në Ministrinë e Brendshme prezantoi punën e bërë nga qeveria, me qëllim decentralizimin e njësive vendore dhe të integrimit të shpejtë të tyre me vendet e rajonit. Më tej fjalën e morën përfaqësues të diplomacisë, të cilët u shprehën në lidhje me kontributin që ata mund të japin për të vendosur urat lidhëse mes njësive vendore në Shqipëri me organizma botërore apo kompani e biznese të ndryshëm.

Luka: Puna e diplomatëve, zero

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ishte i vetmi pushtetar lokal i përpiktë në konferencë. Veç pranisë së tij, Luka ka mbajtur dhe një fjalim, ku ka kritikuar punën e deritanishme të ambasadorëve tanë në krijimin e mundësive konkrete për njësitë vendore me homologet e tyre jashtë. "Megjithëse nuk kemi kompetencat e ambasadorëve, ndihmesa e tyre në krijimin e lidhjeve me homologë apo kapërcimin e burokracirave që ekzistojnë për shkëmbim marrëdhëniesh, si dhe lidhje me organizma ndërkombëtarë, është pothuajse zero. Njësitë vendore edhe ato arritje që mund të kenë në lidhjen e tyre me botën i kanë krijuar falë kontakteve të tyre dhe në ndonjë rast të rrallë në saj të ndërmjetësimit të ambasadorëve tanë nëpër botë", pohoi Luka. Sipas tij, kërkohet më shumë mbështetje për të njohur shtetet ku ata punojnë me realitetin më të fundit të Shqipërisë, me reformat që po bëhen në të gjitha nivelet e shtetit, me përçimin e nevojave dhe të kapaciteteve të njësive vendore, me qëllim që të shkurtohet koha e burokracive që kërkojnë shërbime të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›