Kapet i shumëkërkuari, ekzekutoi emigrantin
DEVOLL - Policia e Devollit arrestoi dje një të shumëkërkuar prej tetë vitesh për vrasje. Ilir Qose, 38 vjeç u prangos në banesën e tij në fshatin Kapshticë, në orët e para të mëngjesit. Ai është dënuar me 20 vjet burg, pasi në vitin 2000, në tentativë për të grabitur në bashkëpunim, vranë një emigrant që kthehej nga Greqia. Që prej asaj periudhe, Qose jetonte i fshehur, në më të shumtën e kohës në Greqi. Ai ishte kthyer vetëm pak ditë më parë në banesën e tij. Policia e Devollit kishte arritur të siguronte në rrugë operative informacionin se i shumëkërkuari ndodhej në banesë. Blutë organizuan natën operacionin, kur gjithë fshati ishte ende në gjumë. Ata rrethuan fillimisht lagjen, e më pas shtëpinë e Qoses. Pritën deri në mëngjes, gjersa i kërkuan Qoses të dorëzohej, duke i bërë të qartë se ishte i rrethuar. I gjendur i papërgatitur dhe i rrethuar, Qose u detyrua të dilte nga banesa me duart lart, pa tentuar të bënte rezistencë. Sipas policisë, ai është dënuar me 20 vjet me akuzën e "Vjedhjes me pasojë vdekje e kryer në bashkëpunim". Ngjarja ndodhi më 4 nëntor 2000. Bashkë me një bashkëfshatarin e tij, ai kishte ndaluar në hyrje të fshatit të tyre një autoveturë që vinte nga Greqia. Nën kërcënimin e automatikut, emigranti që po kthehej në familjen e tij në Shqipëri, është ndaluar, por nuk ka pranuar të hapë xhamat. Qose dhe bashkëpunëtori i tij, të cilët kishin synim ta grabisnin, i thyen xhamat dhe e tërhoqën zvarrë. Gjatë përleshjes ata e qëlluan me armë duke e lënë të vdekur në vend. Që prej asaj periudhe, Ilir Qose ishte larguar në Greqi. Ndonëse pala shqiptare e kishte çuar emrin e tij si person të kërkuar te homologët grekë, ai kishte arritur të shijonte lirinë duke ndryshuar emrin dhe disa herë vendet e punës. j.gj