E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas operacionit, 40% e pacientëve me stafilokok

 

zirina llambro

Metodat e vjetra të sterilizimit dhe mungesa e kushteve të higjienës kërcënojnë seriozisht jetën e pacientëve. Risku më i madh është në klinikat kirurgjikale, sidomos të spitalit "Nënë Tereza". Rreth 40% e pacientëve infektohen me stafilokok, pasi futen "në thikë". Ndërsa zyrtarisht deklarohet se 25% e të sëmurëve, veç sëmundjes që kanë marrin infeksione brenda spitalit, shifrat janë disa herë më të larta. Të paktën këtë pohojnë specialistët e mirëfilltë të infeksioneve nozokomiale (spitalore). Dje në konferencën 16-të mediko-kirurgjikale, bluzat e bardha prekën këtë problem duke sugjeruar marrjen e një sërë masash. Rritja e nivelit të higjienës mbetet prioritare, por fort i mëshohet edhe pajisjes me aparatura cilësore sterilizuese, sidomos në kirurgji. Me kushtet aktuale vendi ynë renditet ndër të parët në Evropë për shifrat e larta të infeksioneve spitalore.
Infeksionet
Gjatë konferencës së djeshme, kirurgu Arben Gjata prezantoi studimin e kryer me pacientët e operuar në QSU. Nga të dhënat rezultoi se një e katërta e pacientëve që operohen, preken nga infeksionet spitalore. "Rreth 12 për qind e personave të operuar marrin infeksione spitalore në plagë dhe në 40 % të rasteve ata preken nga stafilokoku", shpjegoi kirurgu Arben Gjata. Ndërsa sipas përfaqësuesve të sindikatës së shëndetësisë, aktualisht  dorezat e alkooli që cilësohen si mjetet elementare të sterilizimit nuk mjaftojnë. "Është e kotë të themi që gjërat shkojnë vaj. Ka raste kur mungojnë dezinfektantët e rëndësishëm. Por nga ana tjetër nuk mund të themi që në këtë drejtim jemi në krizë", u shpreh kryetari i kësaj sindikate Ruzhdi Merja. Kirurgu Besim Elezi tha se infeksionet spitalore jo rrallë merren si pasojë e mungesës së higjienës edhe te personeli mjekësor. "Është problem i higjienës së pastërtisë dhe shpesh problemi i duarve të palara. Po ashtu ka edhe probleme me përdorimin e materialeve bazë disa herë, por edhe metodave tashmë të vjetëruara të sterilizimit të mjeteve", theksoi Elezi. Sipas tij, në spitalin "Nënë Tereza", problemi është shumë kompleks. "Me gjithë studimet që janë bërë, akoma nuk kemi statistika të sakta për përqindjen e pacientëve që mund të marrin një infeksion spitalor. Por këtë problem e kanë edhe vend të tjera, nuk është vetëm i yni", tha Elezi. Përpos këtyre të dhënave, nëse prek nga afër realitetin që të ofrohet në spitalin më të madh në vend, nuk mund të arrish në tjetër konkluzion veçse se higjiena sanitare është përtokë. Edhe në sallat e operacionit që duhet të jenë ambientet më sterile të spitalit, mjekë e infermierë hyjnë e dalin sipas dëshirës. Sa i përket dezinfektimit e pastrimit, vetëm në tre muajt e fundit i është dhënë drejtim krizës së detergjentëve e dezinfektantëve. Për shkak të mos bërjes së tenderave, pavijonet që nga fillimi i vitit laheshin vetëm me ujë.

Godo:Protokolle trajtimi për sëmundjet

"Çdo strukturë paraprakisht dhe detyrimisht duhet të hartojë në mënyrë të detajuar protokollet e diagnozës dhe trajtimit të sëmundjeve". Këtë deklaratë Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo e bëri dje në konferencën e 16-të mediko-kirurgjikale. Sipas saj, ky hap do të ndihmonte në reformimin e sistemit shëndetësor në vend. "Duke shkëmbyer rezultatet tona me ato të kolegëve të huaj, mund të jesh më i bindur, i saktë dhe shkencor në hartimin e protokolleve të unifikuara, të bazuara në mundësitë reale dhe të përshtatura me hapin e kohës", tha Godo. Ajo shtoi se edukimi mjekësor i vazhdueshëm mbetet një nga prioritetet e dikasterit që drejton çka do të konkretizohet edhe me hapjen e shkollës në fund të vitit. "Do të dëshiroja që në nëntorin e ardhshëm të kemi edhe një sesion mbi menaxhimin shëndetësor, që do të jetë ndër objektivat kryesorë të reformës spitalore", nënvizoi ministrja. Godo e vuri theksin te reforma spitalore që po ndërmerret. "Në vija të përgjithshme ajo përkthehet; decentralizim, vetadministrim dhe lëvizje financiare të mirëkontrrolluar. Çdo hap dhe lëvizje në reformë, do të bazohet kryesisht dhe vetëm në kostifikimin e çdo shërbimi të ofruar qytetarit", u shpreh Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›