E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat sociale,si do të llogaritet qiraja për ndërtimet e shtetit dhe të bashkive

Qeveria miraton formulën e llogaritjes së të ardhurave për familjet që përfitojnë banesa sociale

Jonida Tashi

Qeveria miraton formulën e llogaritjes së të ardhurave për familjet që do të përfitojnë banesa sociale gjatë vitit 2010. Ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për metodikën e llogaritjes së masës së qirasë, kur banesat sociale financohen nga buxheti i shtetit, buxheti i bashkive apo nga kombinimi të dyjave, i cili, pas 15 ditësh merr fuqi ligjore për t’u zbatuar në praktikë. Sipas vendimit të qeverisë, për llogaritjen e masës së qirasë për banesat sociale me qira që sigurohen nëpërmjet ndërtimit të banesave të reja, në koston e ndërtimit përfshihen të gjitha shpenzimet e kryera për ndërtimin e ndërtesës së banimit, si: vlera e investimit për ndërtimin e ndërtesës; vlera e plotë e projektit teknik; kostoja e blerjes së tokës, kur ajo nuk është pronë e bashkisë; vlera e investimit për lirimin e sheshit të ndërtimit; vlera e mbikëqyrjes së punimeve; taksat, tatimet dhe tarifat e aplikueshme gjatë ndërtimit të objektit; kostot e menaxhimit të zbatimit të projektit; kostot për kolaudimin dhe tarifën e regjistrimit të pronës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP). Ndërkaq, në koston e ndërtimit nuk do të përfshihen: vlera e truallit, kur investimi është bërë në truall, pronë e bashkisë; investimet për lidhjen me rrjetin kryesor të infrastrukturës, si ujësjellës, kanalizime, telefoni, energji elektrike; vlera e investimit për katet e para, kur këto nuk janë të parashikuara për banesa sociale; taksat, tatimet dhe tarifat vendore, të cilat, për projektin në fjalë mund të jenë konsideruar si kontribut i bashkisë.
Blerja në treg
Për banesat sociale që blihen në treg, masa e qirasë do të llogaritet në bazë të vlerës së blerjes së banesës në treg. Në këtë vlerë përfshihen: vlera e investimit për blerjen e banesës; shpenzimet për riparime; shpenzimet administrative të kryera për blerjen e banesës; kostoja për regjistrimin e pronës në ZRPP; taksat dhe tarifat e aplikueshme; çdo shpenzim tjetër i paparashikuar. Shumatorja e të dhënave, pjesëtuar në mënyrë proporcionale për çdo njësi banimi, sipas përqindjes që zë sipërfaqja e çdo apartamenti ndaj sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit të objektit të banimit, do të përdoret për llogaritjen e nivelit maksimal të qirasë, sipas formulës së pasqyruar më poshtë. Ndërkaq, e njëjta procedurë si për llogaritjen e nivelit maksimal të qirasë do të ndiqet edhe për llogaritjen e qirasë për objekte të dala jashtë funksionit, të transformuara në banesa sociale. Në këtë rast, llogaritja e kostos bëhet në bazë të: vlerës kontabël të objektit; kostove të investimit për transformimin në banesë sociale; tarifës për regjistrimin e pasurisë. Kurse në rastin kur në katet e para të objektit të ndërtuar janë parashikuar mjedise shërbimi, qiraja e tyre, në varësi të destinacionit, përcaktohet sipas nivelit të qirave të objekteve të ngjashme në treg.
Niveli minimal
Niveli minimal i qirasë do të llogaritet sa 50 për qind e nivelit maksimal të qirasë. Për familjet e përcaktuara si kategori prioritare, niveli minimal i qirasë do të llogaritet sa 25 për qind e qirasë maksimale. Kurse për çdo objekt të ri që ndërtohet apo blihet në treg, masa e qirasë do të llogaritet vetëm një herë dhe do të miratohet me vendim të këshillit bashkiak. Ky nivel qiraje do të përdoret deri në fund të muajit janar të vitit pasardhës. Çdo vit, niveli i qirasë së miratuar nga këshilli bashkiak shumëzohet me indeksin e çmimeve të konsumit dhe miratohet nga këshilli bashkiak. Kur në objekt janë kryer investime për riparime apo rinesime, që nuk bëjnë pjesë në mirëmbajtjen rutinë, kostot e investimit i shtohen kostos aktuale të banesës. Me kosto aktuale nënkuptohet kostoja fillestare e shumëzuar çdo vit me indeksin e çmimeve të konsumit. Për çdo njësi banimi, zyrat përkatëse në bashki mbajnë evidenca të plota, sipas formularit tip, me shpjegimet përkatëse. Të ardhurat që mblidhen nga qiratë derdhen në llogari të veçantë. Këshilli bashkiak vendos
për të çelur një llogari të veçantë në një bankë të nivelit të dytë ose në Degën e Thesarit, duke përcaktuar, për çdo rast, përgjegjësitë e entit menaxhues dhe të strukturave përkatëse në bashki, për mënyrën e përdorimit, të raportimit e të kontrollit të përdorimit të këtyre të ardhurave.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve
Familjet që klasifikohen për t’u trajtuar me programe sociale të strehimit miratohen me vendim të këshillit bashkiak, sipas kritereve të mëposhtme: nuk kanë në pronësi një banesë; zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje; kanë mbetur të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore.
Familjet që klasifikohen janë si më poshtë:
Familjet, të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga Ligji Nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”;
Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar; familjet njëprindërore, që kanë në ngarkim fëmijë; të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror;
individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare; familjet me shumë fëmijë;
çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç;
familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi; individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.

Përcaktimi i qirasë për banesat sociale që ndërtohen nga shteti ose bashkitë

Kur banesat sociale me qira financohen nga buxheti i shtetit ose buxheti i bashkive apo kombinimi i të dyjave, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi, llogaritet nga zyra përkatëse në bashki, brenda kufirit të përcaktuar dhe miratohet me vendim të këshillit bashkiak, sipas metodikës që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Qiraja mbulon kostot e administrimit dhe të mirëmbajtjes. Qiramarrësi, përveç qirasë, paguan për të gjitha shërbimet e tjera që lidhen me shfrytëzimin e banesës. Këshilli bashkiak miraton rregulloren për shfrytëzimin e banesave sociale me qira nga qiramarrësit, ku përcaktohen, me hollësi, të drejtat dhe detyrat e qiramarrësit dhe të entit menaxhues. Masa e qirasë vjetore nuk duhet të jetë më e madhe se 4 për qind e kostos së ndërtimit të banesës nga shteti, për banesat e reja, apo 4 për qind e vlerës së banesës të blerë në treg, përveç rastit kur banesat sociale me qira financohen nga burime të tjera. Për objektet e dala jashtë funksionimit dhe ato të kthyera në fond banesash sociale me qira, masa e qirasë përcaktohet nga këshillat bashkiakë, bazuar në vlerën kapitale të transferuar dhe kostot e ndërhyrjes për përshtatjen e tyre. Kur banesat sociale me qira financohen nga burime të tjera, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet për çdo rast specifik, në bashkëpunim ndërmjet subjekteve që kanë financuar dhe bashkisë ku zbatohet projekti dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Formula e llogaritjes së të ardhurave
Për llogaritjen e kufirit minimal dhe maksimal të të ardhurave të familjes që përfiton banesa sociale me qira përdoren formulat e mëposhtme:
1. Kufiri minimal i të ardhurave (Kmi) =
a- ku Vb është vlera e banesës

b- (Vb x 0,04)
12
është masa mujore e qirasë, vlera vjetore e së cilës llogaritet sa 4% e vlerës së banesës;

c - treguesi 0,25 përcaktohet nga ligji për programet sociale të strehimit;

ç - treguesi 0,5 është masa e subvencionit të qirasë;

2. Kufiri maksimal i të ardhurave (Kmax) = Vb x 0,04
12 x 0,25

Shembull: Vlera e banesës është 3 000 000 lekë. Masa e qirasë mujore të pasubvencionuar është Vb x 0,04/12 = 1 000 lekë. Kufiri minimal i të ardhurave të familjes është 10 000/0,25 x 0,5 = 20 000 lekë (±10%), ndërsa kufiri maksimal i të ardhurave është 10 000/0,25 = 4 000 lekë (±10%).

Llogaritja e të ardhurave për nivelin maksimal të qirasë
Për llogaritjen e nivelit maksimal të qirasë, jepet
shembulli, si më poshtë vijon:
Kostoja e përgjithshme e ndërtimit K = 95,155,001.00 lekë;
Sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit: S = 3,370 m2;
Sipërfaqja e apartamentit tip 1: S1 = 55.25 m2;
Përqindja që zë sipërfaqja e apartamentit ndaj totalit P = 55.25/3,370 = 1.63%;
Kostoja e apartamentit tip 1: KS1 = a x d = 95,155,001 x 1.63% = 1,522,480 lekë;
Qiraja mujore maksimale: Q = KSl x 0.04 = lekë 5,170.00

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›