Ligji i ri “Për arsimin e lartë”, Dhori Kule konteston ndryshimet
Kryetari i Konferencës së Rektorëve, njëherësh dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka folur dje publikisht për kontestimet që ai ka për ligjin e ri “Për arsimin e lartë”. Ndryshimet që i janë bërë ligjit të arsimit të lartë nga Ministria e Arsimit, sipas rektorit Kule, duhet të rishikohen për disa çështje. Më konkretisht, sipas tij, duhet të rishikohet kohëzgjatja e cikleve të studimit “Master”, të cilat duhet të kenë të njëjtën kohëzgjatje, pavarësisht emërtimeve të ndryshme. “Nuk është normale që ata të jenë të diskriminuar në kohë. Pra, nëse masteri shkencor është dy vjet studim, është e natyrshme dhe normale që po kaq të jetë në kohë edhe masteri profesional, po aq kredite të ketë dhe njëri, dhe tjetri. Seleksionimi dhe diferencimi bëhet te fakti i kritereve”, - shpjegon kryetari i Konferencës së Rektorëve. Më tej, sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, një ndërhyrje tjetër që duhet të bëhet në ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë, është dhe vlerësimi që duhet t’u bëhet diplomave që janë shpërndarë në vitet e kaluara. “Diplomat e dhëna para daljes së këtij ligji, sikurse aktualisht ligji ka bërë një vlerësim, ne nuk mund t’i zhvlerësojmë në kohëzgjatje dhe në vlerësimin në raport me diplomat e reja. Dhe në këtë pikë projekti do të korrigjohet”, - vijon Kule. Sipas tij, viti i ri akademik do të nisë me cikle të reja studimi në master, por përpara se ato të zbatohen në universitete, do të duhet miratimi unanim i ndryshimeve, nga aktorët e interesit, dhe më pas nga Parlamenti.
Polonia ofron 12 të drejta studimi për vitin akademik 2010-2011
Ministria e Shkencës dhe Arsimit të Lartë të Polonisë ofron 12 të drejta studimi për studime universitare dhe pasuniversitare në universitetet publike të Polonisë, për vitin akademik 2010-2011. Të interesuarit për këto të drejta studimi duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dokumentet e mëposhtme. Për studime universitare: kërkesën për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë; vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria ose Zyra Arsimore e rrethit përkatës; raportin mjekësor për aftësi studimi; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; 4 fotografi, 4 cm x 6 cm. Për studime pasuniversitare: kërkesën për studime pasuniversitare; fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë; listën e notave; CV-në; dy letra rekomandimi; programin e studimit; raportin mjekësor për aftësi studimi; fotokopjen e kartës së identitetit ose të pasaportës; 4 fotografi 4cm x 6 cm. Aplikantët fitues për studime universitare do t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës polake, i cili fillon në shtator të këtij viti, ndërsa aplikantët për studime pasuniversitare duhet ta njohin gjuhën polake. Ata duhet të mbulojnë vetë shpenzimet e udhëtimit për në Poloni, si dhe shpenzimet e ushqimit dhe të akomodimit, të cilat shkojnë afërsisht 350 euro në muaj. Pala polake merr përsipër tarifën e shkollimit dhe mundësinë për akomodimin dhe ushqimin me pagesë në konviktet dhe mensat e studentëve. Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është data 11 qershor 2010.
14 Maj 2010