E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi, Ministria e Drejtësisë, regjistër elektronik për shqiptarët e dënuar nga gjykatat e huaja



Laureta Rryçi
TIRANË - Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të hartojë një regjistër elektronik për të gjithë shqiptarët që do të figurojnë të dënuar nga gjykatat e huaja. Udhëzimi që mban firmën e ministrit Bujar Nishani përcakton procedurën si do të hartohen dosjet për secilin, si dhe institucionet që do të kenë akses te ky regjistër për të përdorur të dhënat. Sipas udhëzimit, zyra e Gjendjes Gjyqësore do të krijojë një regjistër të posaçëm për regjistrimin e vendimeve penale të autoriteteve gjyqësore të huaja, të dhëna ndaj shtetasve shqiptarë. Regjistri i posaçëm përfshin regjistrin shkresor dhe regjistrin elektronik, të cilët do të krijohen sipas modelit të regjistrit shkresor të gjendjes gjyqësore dhe regjistrit elektronik të gjendjes gjyqësore të administruar nga kjo zyrë, në përputhje me Ligjin Nr.9614, datë 21.9.2006 “Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore”. Regjistri i posaçëm do të përmbajë gjeneralitetet e të dënuarit, ku shënohet vendqëndrimi i të dënuarit, si dhe shtetësia e dytë, nëse ai ka, një kolonë të veçantë mbi shtetin dënues, një kolonë për
vendimet që janë njohur nga gjykatat shqiptare dhe një kolonë për përputhshmërinë e dënimit me legjislacionin shqiptar. Në këtë kolonë të fundit shënohet dispozita penale që i korrespondon veprës penale sipas legjislacionit shqiptar ose shënohet “nuk parashikohet nga ligji penal shqiptar”.
Procedura
Zyra e Gjendjes Gjyqësore do të regjistrojë shkurtimet e vendimeve të autoriteteve gjyqësore të huaja, të dhëna ndaj shtetasve shqiptarë. Këtu përfshihen edhe vendimet e dhëna ndaj shtetasve shqiptarë të lindur jashtë vendit. Shkurtimet e vendimeve në regjistrin e posaçëm regjistrohen: në regjistrin shkresor dhe në regjistrin elektronik. Drejtoria e Marrëdhënieve juridiksionale me jashtë në Ministrinë e Drejtësisë do t’i përcjellë vendimet gjyqësore në zyrën e gjendjes gjyqësore brenda pesë ditëve nga marrja e vendimeve gjyqësore nga autoritetet e huaja gjyqësore. Zyra e Gjendjes Gjyqësore përditëson menjëherë regjistrin shkresor dhe elektronik çdo herë që Ministra e Drejtësisë dërgon informacion mbi vendime të dhëna ndaj shtetasve shqiptarë. Përpunimi i të dhënave në regjistrin elektronik bëhet vetëm nga personi i autorizuar nga titullari i zyrës së gjendjes civile.
Të dhënat
Zyra e Gjendjes Gjyqësore do të mbajë dhe do të përpunojë të dhënat mbi vendimet e autoriteteve gjyqësore të huaja që jepen ndaj shtetasve shqiptarë, në përputhje me Ligjin Nr.9614, datë 21.9.2006 “Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore” dhe Ligjin Nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Të drejtën e aksesit në regjistrin elektronik të vendimeve gjyqësore që mbahet sipas këtij udhëzimi e kanë:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Interpoli, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Shërbimi Informativ Ushtarak.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›