E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i pijshëm, në Tiranë janë 5 zona të ndotura



Jonida Tashi

Banorët e pesë zonave në kryeqytet kanë konsumuar ujë të ndotur përgjatë muajit prill pa qenë në dijeni të këtij fakti. Për rrjedhojë, epidemia e Ballshit mund të përsëritet edhe në kryeqytet nëse nuk merren masa për të ndërhyrë në rrjetin e Ujësjellësit. Alarmi jepet nga Drejtoria e Shëndetit Publik të Tiranës, e cila ka vërejtur ndotje bakteriale të ujit të pijshëm në 5 zona të Tiranës. Më konkretisht bëhet fjalë për zonën e Rrugës së Durrësit, ku ndotja është përsëritur tri herë gjatë muajit prill, për rrugën “Thanas Ziko”, në Rrugën Bardhyl, në sheshin “Avni Rustemi” dhe në Tiranën e Re. Sipas inspektorit sanitar, Sazan Skuka, situata paraqitet më problematike në zonën pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku ndotja është përsëritur 6 herë gjatë muajit prill.
Analizat
Nga 913 analiza që specialistët e higjienës kryejnë çdo muaj, pas marrjes së mostrave të ujit në 31 pika fundore në rrjetin e Ujësjellësit në Tiranë, 41 analiza treguan se ka ndotje bakteriale në pesë zona. Megjithëse u konstatua ndotja e ujit të pijshëm në pesë zona të kryeqytetit, ekspertët e higjienës theksojnë se ndotja nuk ka pasur vazhdimësi. Sipas tyre, ajo që vlen të theksohet është fakti se uji që del nga depot është i pastër, por ndotja vihet re në rrjetin shpërndarës, si pasojë e ndërhyrjeve të shumta të qytetarëve.
Klori
Ministria e Shëndetësisë, duke marrë shkas nga situata e fundit në qytetin e Ballshit, ku 300 persona janë helmuar nga ndotja e ujit të pijshëm, ka vendosur të shtojë sasinë e klorit në rrjetin e ujësjellësit. Për këtë arsye, dje, në Ministrinë e Shëndetësisë, ministri Petrit Vasili ka mbledhur drejtorët e drejtorive të shëndetit publik në rrethe, ku u ka komunikuar udhëzimin për shtimin e dozës së klorit në rrjetin e ujësjellësit, nga 0.5 miligram deri në 1 miligram. Përsa i përket sasisë së klorit në ujë për kryeqytetin, Drejtoria e Shëndetit Publik vëren se ajo është respektuar nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Kurse në Ballsh, nga mostrat e ujit që u analizuan, është vënë re se sasia e klorit në rrjet ishte 0.2 miligram në raport me 0.5-0.6 që është norma e OBSH-së. Për të parandaluar ngjarje të tilla dhe në rrethe të tjera të vendit, Ministria e Shëndetësisë do të nxjerrë një udhëzim të ri, “Për shtimin e dozës së klorit në rrjetin e ujësjellësit”, duke qenë se gjendemi në prag të afrimit të sezonit të verës, ku rreziku për epidemi të tilla është i madh.

Mbetjet urbane, Mediu: “Menaxhohen shumë keq, pasojat janë të rrezikshme”

Sistemi aktual i menaxhimit të mbetjeve urbane në Shqipëri paraqitet mjaft problematik dhe nuk u përshtatet kushteve të kohës, duke krijuar probleme mjedisore. Një fakt të tillë e ka pranuar edhe vetë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë një fjalimi të mbajtur në takimin për strategjinë e mbetjeve urbane. Në fjalën e tij kreu i Mjedisit ka qenë mjaft kritik ndaj problemeve reale që paraqiten në lidhje me trajtimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane në vendin tonë. “Deri sot, praktikat mjedisore i konsiderojnë mbetjet si objekte që duhen hedhur, duke aplikuar tarifa minimale për pastrimin e tyre dhe kemi një nivel shumë të ulët të menaxhimit të mbetjeve, ku ato urbane dhe të rrezikshme depozitohen në vende të hapura dhe të pakontrolluara, duke shkaktuar kështu ndotje të ujërave, tokës dhe ajrit”, - deklaroi ministri në fjalën e tij. Sipas tij, edhe trajtimi pa kritere i mbetjeve spitalore dhe farmaceutike, është një nga problemet jo të pakta që ka Shqipëria, sidomos kur aty hapen zjarre dhe përbëjnë rrezik gazet toksike që lëshohen për shëndetin e qytetarëve. Për të gjitha problemet e ndotjes që po e rrezikojnë vendin tonë nga veri në jug, Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se do të ketë një Strategji Kombëtare për Mbetjet Urbane, dokument që do të zbatohet për ndryshimin e situatës.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›