Lehtësitë, invalidëve dhe veteranëve u falen tarifat e prapambetura të qarkullimit
Qeveria ngushton gamën e automjeteve të përdorura që mund të importohen nga persona me status të veçantë në shoqëri duke u përjashtuar nga taksat siç janë, invalidët, veteranët e luftës, etj. Ndryshimet e propozuara së fundi nga qeveria parashikojnë importin duke u përjashtuar nga taksat për personat ne fjalë vetëm të autoveturave tip 4+1 dhe me cilindratë jo më të madhe se 2500 kubikë. Në ligjin e vjetër "Për taksat Kombëtare", nuk përcaktohej asnjë limit që kishte të bënte me cilindratën apo tipin e automjetit që mund të importohej nga ata që mbanin statusin e invalidit të punës ose luftës, veteranit, të verbrit, etj. Në grupin e personave që përfitojnë nga kjo lehtësi përfshihen edhe invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Për të gjitha kategoritë e sipërpërmendura, ligji u lejon atyre të mos paguajnë taksa vetëm për automjetet që importohen me qëllim përdorimi vetjak pasi në të kundërt, ata do të duhet t'i nënshtrohen regjimit të zakonshëm të detyrimeve. Invalidët dhe veteranët gjithashtu janë përjashtuar edhe nga disa tarifa të tjera sipas ndryshimeve të propozuara në ligj. Kështu, këta të fundit nuk do të paguajnë tarifën vjetore për Radiotelevizionin Publik, tarifën për shërbimet konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, apo të ambasadave tona jashtë vendit. Në morinë e ndryshimeve të propozuara në ligjin "Për taksat kombëtare", i cili pritet të shqyrtohet së shpejti në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, përfshihet edhe tarifa e shërbimit për qarkullimin për automjetet me targa të huaja që hyjnë në vend. Ekzekutivi ka shfuqizuar pikën në të cilën përcaktohej tarifa në fjalë duke falur gjithashtu edhe detyrimet e prapambetura të përdoruesve të automjeteve me targa të huaja. Pritet që pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, MF-ja të nxjerrë një udhëzim në të cilën do të përcaktohen edhe procedurat, se si do të veprohet për faljen e tyre. Pikë tjetër e shtuar në ligj ka të bëjë me taksat për automjetet e bllokuara me vendim gjykate apo prokurorie. Pronarët e tyre nuk do të paguajnë taksa për të gjithë periudhën në të cilën automjeti ka qenë i bllokuar. Krahas ndryshimeve të mësipërme, ndërhyrja e qeverisë në ligjin e taksave kombëtare ka qenë më e thellë duke vendosur një regjim të ri taksash për automjetet e përdorura, në varësi të vjetërsisë, madhësisë së fuqisë motorike apo edhe karburantit që përdorin.
14 Maj 2010