E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bangladeshi, vendi i skllevërve

U premtohet një jetë më e mirë, por vendi i vetëm ku përfundojnë pas premtimeve janë bordellot. Ky është fati i djemve dhe vajzave të panumërta nga Bangladeshi që, nga ëndërrimtarë për një jetë më të mirë, shndërrohen në skllevër pa shpresë lirie

Kjo është historia e tregtisë së skllevërve në shekullin XXI. Është një rrugëtim në kontinentin ku varfëria, shthurja dhe prostituimi i qenies njerëzore kapin pikat më të larta. Në Azi, sipas llogaritjeve të Kombeve të Bashkuara, 1 milion fëmijë tregtohen çdo ditë. Një udhëtim që të çon në toka që nuk e mendon kurrë se kanë ekzistuar mbi sipërfaqen e kësaj bote. Është një histori që si të gjitha historitë e kësaj natyre nis me një vajzë dhe një gënjeshtër. Ajo është Sufia, që ndodhet tani në duar të sigurta, por pas shpine ka lënë një histori të dhimbshme. Është e tëra e mbështjellë me një sari (veshje indiane) të kuq dhe poshtë syve ka dy "torba" të nxira, karakteristikë e përhershme e pamjes së saj. Ajo u rrit në një fshat në afërsi të kryeqytetit të Bangladeshit dhe ishte fëmija i tetë i prindërve. Dhe një ditë, kur ajo kishte mbushur 14 vjeçe, e ishte në mes të varfërisë, erdhi edhe gënjeshtra e madhe. Një fqinj u tha prindërve se kishte gjetur për vajzën e vogël një punë shumë të mirë në Kalkuta dhe se para saj shtriheshin mundësi të pafund. Vajza u ndje më e lumtur se kurrë nga perspektiva që i hapej përpara. Kur mbërriti në qytet, ajo nuk e dinte se çfarë ishte një shtëpi publike dhe kur hyri në të u gëzua fillimisht tek shihte shumë vajza të reja si ajo që hynin e dilnin. Me të mbërritur fqinji që e kishte shoqëruar deri në atë moment, mori disa para nga një burrë i panjohur dhe para se të ndahej i tha vajzës që nëse e donte jetën, duhet të bënte ashtu siç do t‘i thoshin zotërit e shtëpisë. Ajo që vjen më pas është rrëfimi i një drame të vërtetë për një 14-vjeçare. Sufia tregon se ishte e detyruar të shihte 10 burra në ditë. Kur hidhte sytë rrotull, shihte gra me barrë që prostituonin deri ditën e fundit para lindjes dhe më pas fëmijët ua merrnin për t‘i rritur e për t‘i rifutur sërish në xhiron e prostitucionit, në një zinxhir të pafund vuajtjesh nga brezi në brez. Më në fund, së bashku me disa vajza, përpiloi një plan arratisjeje. Hapjet që ua jepnin për të fjetur natën do t‘ia fusnin djalit që i ruante në gotën e ujit dhe kështu do të mund të largoheshin. Kjo gjë funksionoi. Ato më në fund ndodheshin në qytet, të vetme, pa ndonjë ide se çfarë të bënin, por ishin të gjitha vajza shumë të zgjuara dhe të mësuara me vuajtje të mëdha. Sufia vendosi të kthehej në shtëpi dhe i premtoi vetes që të mos u thoshte kurrë prindërve se çfarë i kishte ngjarë, pasi nëse do ta bënte, askush nuk do ta merrte për grua. Kjo është vetëm një histori deri diku fatlume e tregtisë së mishit, që është ndër më të lulëzuarat në Azi, por edhe gjetkë.

Në shtëpitë publike

Në një lagje të ndyrë të Jamalpuri-t, një qytet i vogël i Bangladeshit, ndodhet një derë e hekurt. Pas saj ka ca si kasolle të vogla e në secilën prej tyre ndodhet një grua në pritje të klientëve. Njëra prej tyre është Liza, e cila mban veshur veshjen e një geishe, por në fytyrë i lexohet dukshëm trishtimi. Është një adoleshente e rritur para kohe. Kur e pyesin se si përfundoi në këtë vend të ndyrë, ajo rrëfen një histori të shkurtër, e cila nis me dashurinë e saj për një djalë e përfundon me jetën në një bordello. Ndërsa Liza flet, dëgjohen të qarat e një foshnje. Kjo shtëpi është e mbushur me fëmijë të lindur nga puna e përditshme e nënave të tyre. Më tutje ndodhet Ela, një 34-vjeçare, e cila kur e pyesin të rrëfejë për jetën e saj, buzëqesh hidhur. Edhe ajo u shit me pabesi nga i kunati, kur ishte vetëm 13 vjeçe. I vetmi moment lumturie për të ishte kur në moshën 19-vjeçare një nga burrat që vinte rregullisht në bordello i tha se kishte rënë në dashuri me të dhe i propozoi martesë. Ai madje pagoi një shumë të mirë parash për të dhe kur erdhi radha që t‘i shkonte në familje, njerëzit e shtëpisë nuk e mbështetën, pasi i kunati i kishte thënë se ishte Ela ajo që kishte zgjedhur të bëhej prostitutë. I lodhur nga kjo situatë, i dashuri i saj e rishiti sërish në bordellon nga e kishte marrë. Por tani situata ishte shumë më keq. Tani ajo e di se fati i saj është i paracaktuar. Ajo nuk do të ketë kurrë familje dhe do të plaket në këtë vend të mallkuar. E vetmja "karrierë" që mund të bëjnë gratë e bordellove është që në një moshë të caktuar të hapin vetë një të tillë dhe kësisoj të fitojnë lirinë e të hyjnë në biznes. Por shumë nga vajzat e urrejnë rolin e "madamës". Ato e pranojnë që tanimë hyjnë në kategorinë e "vajzave të këqija", por "madamat" janë monstra të vërteta.

Në kufi

Kufiri mes Indisë dhe Bangladeshit është një lum i gjatë e shpesh i rrëmbyeshëm. Nëse do të shohësh në lindje, përpara teje ndodhet republika demokratike më e madhe në botë, ndërsa pas shpine Bangladeshi, një burg i vërtetë për njerëzit që bëhen lënda e parë e shitjeve për në tregun indian. Pikërisht në një pikë të lumit që ndan dy kufijtë ndodhet edhe "tregu" i qenieve njerëzore. Po a lejohet një gjë e tillë? Sigurisht që jo, por ligjet e trafikantëve janë shumë më të egra se ato të një shteti gjysmak. Nëse dikush do të zbatojë ligjet e shtetit, do të përfundojë shumë keq. Edhe vetë policët janë të korruptuar deri në fyt dhe janë të parët që të denoncojnë te trafikantët nëse ke idenë të shpëtosh nga kthetrat e egërsirave ndonjë qenie njerëzore.

Në rrugët e Dhaka-s

Dhaka është kryeqyteti i Bangladeshit dhe një vend ku zvarriten 14 milionë banorë të varfër e të zhytur në një ambient llumi. Në rrugë të zë syri makina të mira perëndimore, që ecin ose parkojnë ndanë rrugëve apo godinave gjysmë të shkatërruara e shumë të ndotura. Në tarracat e shtëpive syri të zë njerëz që punojnë në makina qepëse. Në rrugë burra e gra mundohen që të të shesin ndonjë produkt ushqimor. Në këtë rrëmujë të madhe, të paktën sipas shifrave zyrtare, "lëvrijnë" 300 mijë fëmijë të rrugës, të gjithë të braktisur, që jetojnë e vdesin pa i vënë re njeri. Ata flenë kudo ku munden, në të gjithë qytetin, duke u shndërruar kështu në lëndën e parë për trafikantët, të cilët joshen nga mosha dhe situata e pambrojtur e tyre. Këta fëmijë sorollaten pa qëllim në rrugët e Dhaka-s, duke mbledhur herë pas here plehra e duke i futur nëpër thasë. Në fund të ditës mund t‘i shesin për aq para sa u duhet për të blerë një copë bukë e për të pritur të nesërmen të gjallë. Historitë e tyre janë nga më të dhimbshmet. Njëri është larguar nga shtëpia sepse e rrihte njerka, një tjetër kishte ikur sepse në rrugë kishte më shumë mundësi të jetonte se në një shtëpi mbytur me fëmijë e me halle. Këta fëmijë kanë një gjë të përbashkët: të gjithë rrëfejnë histori të tmerrshme. Ndoshta janë edhe fantazi fëminore, por jeta e tyre nuk është aspak ajo e fëmijëve të zakonshëm. Disa nga fëmijët kanë lënë fshatrat, me shpresë se në kryeqytet do të mund të takojnë nënat të cilat thonë se kanë shkuar në Dhaka për të bërë pastrueset. E ndërsa flenë në cepa rrugësh, fëmijët lahen në ujërat e qelbur të lumit, i cili është aq i ndotur, sa ua infekton lëkurën. Pasditeve, kur munden, futen vjedhurazi në kinematë ku shfaqen filmat e "Bollivudi"-t e ku jeta që rrëfehet e njerëzit që shfaqen nuk kanë asgjë të përbashkët me ekzistencën e tyre. Në darkë zënë prita në dyert e restoranteve për ndonjë mbeturinë. Kur i pyet këta fëmijë, ata e dinë që jeta e tyre ka marrë fund dhe se jetojnë për ta ngrysur, pasi e nesërmja është një shans i madh që nuk e kanë të gjithë. E ndërsa jetojnë në mënyra të tilla, ata të gjithë kanë një frikë të madhe: trafikantët. Shumë prej tyre i joshin fillimisht me premtime të mëdha, por ka edhe nga ata që i marrin me forcë, pasi askush nuk u del për zot. Shpesh nëpër qytet gjenden trupa të pajetë fëmijësh, në më të shumtën e rasteve të përdhunuar e të therur. Zakonisht këto ndodhin kur fëmijët refuzojnë të besojnë përrallat e trafikantëve, apo t‘u shkojnë nga pas. Kur i pyet se cilat janë dëshirat më të mëdha që kanë në jetë, shpesh në vend të përgjigjeve që mund të jepnin fëmijët që kanë një jetë normale, pra që duan të kenë shtëpi të mëdha, apo makina të bukura, fëmijët e rrugës të thotë: duam prindërit.

Kundërshtia

Edhe pse janë të pakët në numër dhe me mjete të kufizuara, ka njerëz në Bangladesh që i kundërvihen këtij realiteti tepër të rëndë. Janë njerëz që nuk e marrin rrezikun në sy teksa shohin se si grabiten, përdhunohen e vriten të miturit. Një grup i tillë quhet "Të pamposhturit", një shoqatë që drejtohet nga disa intelektualë e që përbën një nga forcat më të mëdha në vend kundër trafikimit. Ata kanë marrë në patronazh shkolla, kanë ngritur e menaxhojnë streha për të vegjlit e braktisur dhe paguajnë me para në dorë për marrjen e fëmijëve të ndryshëm nga rrjeti i prostitucionit. Gjithashtu u mësojnë fëmijëve të rrugës se si të njohin dhe të shmangin njerëzit grabitqarë. Ata që mund të shpëtojnë janë vërtet të paktë në krahasim me viktimat, por mjaftueshëm sa për të mbajtur ndezur një shpresë. Ajo që i bashkon të gjithë janë ëndrrat e prishura. Pjesa më e madhe janë marrë nga familjet me premtime të bukura, për një jetë që diku i priste krahëhapur, por që në të vërtetë u shndërrua në një zhgjëndërr të madhe e të pafund. Mes të shpëtuarve nga rruga dhe prostitucioni ka nga ata që kanë vazhduar shkollën, kanë ndjekur më në fund pasionet dhe pas disa vitesh janë bërë dikush. Pikërisht ky është edhe kontingjenti që mbështet më shumë fushatat dhe përpjekjet e njerëzve, por edhe të organizatave në luftën kundër trafikimit. Një ndër arritjet më të mëdha është kur njerëzit arrijnë qoftë edhe pas vitesh të tëra vuajtjesh të mëdha të gjejnë njëri-tjetrin: kur nënat gjejnë fëmijët e shitur, apo vëllai motrën, burri gruan. Bangladeshi është vendi i dramave të mëdha familjare, ku njerëzit për shkak të varfërisë e gjithë të këqijave që pjell ajo, janë deformuar e shtrembëruar në atë masë sa të arrijnë të shesin për një copë bukë edhe të afërmit. Po a ka shpresë? Gjithmonë ka dhe do të ketë, për sa kohë që ka ende dashuri mes nënës dhe fëmijës, mes motrës e vëllait, mes burrit e gruas e për sa kohë që ka njerëz të gatshëm për t‘u flijuar për të parë një tjetër realitet në një vend të zhytur në llum.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›