E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Mazhoranca do të mbrohet me ndryshime në qeveri

Partia Demokratike ka përcaktuar strategjinë për t‘u mbrojtur nga sulmet e partisë më të madhe opozitare për dështimin e punës së qeverisë. Deputetët demokratë kanë pranuar punën e dobët në qeverisje, duke u bërë gati për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Deputeti i PD-së, Preç Zogaj, duke iu përgjigjur sulmeve të opozitës ka bërë me dije se "opozita ka detyrë të sulmojë, ndërsa mazhoranca do të mbrohet duke bërë ndryshimet në qeveri, të cilat priten të ndodhin pas Samitit të Bukureshtit". Nga ana tjetër, deputetët e PD-së kanë nisur lobingjet për t‘u përfaqësuar në kabinetin qeveritar. Pak ditë pasi Kryeministri Berisha ka konfirmuar ndryshimet në kabinetin qeveritar, deputetët demokratë nuk kanë humbur shans për të qenë më pranë Kryeministrit Berisha. Demokratët presin vetëm mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për t‘u bërë faktor përpara syve të liderit të qeverisë, me shpresë që të sigurojnë një pjesë të mirë të tortës qeveritare pas Samitit të Bukureshtit. Një pjesë e mirë e deputetëve demokratë kanë nisur lobingun për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Një pjesë tjetër kanë lënë zonat e tyre elektorale për t‘u ndodhur më afër kryeqytetit dhe zyrës së Kryeministrit Berisha. Burime pranë selisë blu pohojnë se deputetët kanë lënë zonat e tyre elektorale për të qëndruar më shumë kohë në Tiranë në selinë e PD-së, duke kërkuar nga segmente të caktuara brenda PD-së edhe një takim të mundshëm me Kryeministrin Berisha për të kërkuar "benefite" për zonat e tyre elektorale, por në të vërtetë ata kërkojnë që të bëhen faktorë në sytë e Kryeministrit për të siguruar një post qeveritar. Ajo çka është e konfirmuar për momentin, është fakti se qeveria do të ndryshojë radikalisht, por ende nuk dihen emrat që do të përfaqësojnë qeverinë në sy të elektoratit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›