E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të largohet Berisha, duhet qeveri e re

Edi Rama kërkoi dje dorëheqjen e Kryeministrit Berisha dhe krijimin e një qeverie të aftë për të realizuar rimëkëmbjen e familjeve dhe shtëpive të bombarduara. Sipas tij, tragjedia e Gërdecit, nuk është rasti i vetëm, por është pa asnjë dyshim, rasti më spektakolar në monstruozitetin e kapjes së shtetit me litarin e interesave personale. "Një Kryeministër dhe një shpurë ministrash të papërgjegjshëm, të paaftë dhe të korruptuar, që përmes ligjesh dhe vendimesh qeverie, emërimesh nepotike dhe klanore, në pozicione kyçe shtetërore, kanë krijuar infrastrukturën e përfitimeve të paligjshme", nënvizoi kreu socialist. Rama nënvizoi se qeveria e dalë nga vota e lirë e qytetarëve, i ka dhënë vetes lirinë të minojë të gjithë ngrehinën e shtetit, në funksion të një korrupsioni me përmasa që askush nuk është në gjendje t‘i kundërvihet. Ai konstatoi me keqardhje dhe shqetësim të thellë se nuk ka as plan dhe as transparencë për t‘i kuruar këto plagë në kohën e duhur dhe në mënyrën më të efektshme. "Është e turpshme që familjet e ngujuara në godinat e shtetit në Durrës pas arratisë me rrobat e trupit në orët e tmerrit, të mos kenë akoma sot këpucë e ndërresa për fëmijët, të mos kenë rroba e ngrohje, të mos kenë mjekim e ilaçe falas për të sëmurët", theksoi Rama. Socialistët ngrenë pikëpyetje për planin e kompensimit të familjeve të dërrmuara moralisht e të rrënuara materialisht. "Nuk konstatojmë dot asgjë tjetër që të na qetësojë lidhur me fatin e me ardhmërinë e qindra familjeve që presin të kthehen në shtëpi, si edhe lidhur me dëmshpërblimin e mbi 1000 familjeve të tjera apo plot sipërmarrjeve që jetojnë aktualisht në banesa e godina të dëmtuara", u shpreh Rama. Sipas tij, s‘ka asnjë shqiptare e shqiptar që nuk është i gatshëm të kontribuojë për të ringritur në këmbë atë komunitet të bombarduar nga papërgjegjshmëria, paaftësia dhe korrupsioni i kësaj qeverie, që s‘duhet të rrijë asnjë minutë më shumë në detyrë, sepse vetëm dëme di të bëjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›