E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta dhuron para për Gërdecin

Lëvizja Socialiste për Integrim angazhohet për rindërtimin e laboratorëve dhe kabineteve në shkollat e dëmtuara nga shpërthimi tragjik në Gërdec. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, dha dje kontribut edhe në ndihmë financiare për familjet më të dëmtuara. Në emrin e LSI-së ai premtoi se do të kthehet sërish për të parë përballimin e situatës dhe realizimin e angazhimeve të shprehura deri tani. Sakaq, kryetari i Bashkisë së Vorës shprehu vlerësime për angazhimin dhe kontributin e LSI-së, duke e quajtur mjaft të vlefshëm dhe solidar për popullin e Gërdecit. "Në përballimin e kësaj situate mendoj që rruga më e mirë është për të bashkuar forcat edhe energjitë, për t‘u ardhur në ndihmë banorëve më të dëmtuar, për të qenë pranë atyre që kanë humbur të afërmit dhe për të punuar për rikuperimin e gjithë atyre dëmeve të jashtëzakonshme", u shpreh Meta. Pavarësisht nga debatet politike, shtoi ai, në Parlament, apo në qendër, ne kemi qenë edhe jemi të preokupuar për ta kapërcyer me një kosto sa më të pranueshme këtë tragjedi shumë të madhe. "Ne kemi qenë edhe më parë këtu dhe sigurisht do të vijmë sërish, sepse për fat të keq kur ndodhin tragjedi të tilla vëmendja sa fillon dhe bie, ndërkohë ne e dimë që këto janë pasoja afatgjata për këtë komunitet", theksoi Meta. Ai premtoi se do të gjenden format dhe mënyrat për të kontribuuar drejtpërdrejtë. LSI-ja do të vazhdojë të kontribuojë e të apelojë edhe tek anëtarët dhe simpatizantët e saj për të kontribuar edhe në llogaritë e hapura për këtë qëllim. "Ndërsa unë sot do të doja që ju si kryetar i Bashkisë së Vorës të zgjidhnit dy familje si më të dëmtuarat nga kjo tragjedi, për një ndihmë prej 1 mijë eurosh. Njëkohësisht do të ndihmojmë me një kontribut prej 5 mln lekësh të vjetra si LSI për familjen më të dëmtuar nga kjo tragjedi, që është familja Deliu", nënvizoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›