E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, shtyhet seanca e lënë për dje

Në seancën e sotme parlamentare do të nisë sërish debati për tragjedinë e Gërdecit. Opozita është e vendosur në qëndrimin e saj për të mos e lënë në heshtje këtë tragjedi pa u ndëshkuar fajtorët e saj. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar dje pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se opozita do të jetë në Kuvend në seancën e sotme dhe do të kërkojë që të rinisë debatin për tragjedinë e Gërdecit. Duke mos harruar të përsërisë edhe një herë qëndrimin e opozitës për dorëheqjen e Kryeministrit Berisha dhe dorëzimin e imunitetit të tij me qëllim që organi i akuzës ta ketë më të lehtë hetimin e kësaj çështjeje. Që pas tragjedisë së Gërdecit, salla e Kuvendit është kthyer në një "arenë" debati mes opozitës dhe opozitës. Në seancën e parë, opozita i la mundësi Kryeministrit që të shprehte mendimin në lidhje se çfarë dinte dhe çfarë nuk dinte rreth trafikut të armëve dhe cilat ishin masat që kishte marrë qeveria për lehtësimin e dhimbjes së banorëve të Gërdecit, të cilët janë prekur nga kjo tragjedi. Më pas debati me akuza dhe kundërakuza vazhdoi për gati shtatë orë me radhë. Në seancën e dytë parlamentare, opozita kërkoi sërish që të debatonte rreth tragjedisë së Gërdecit, por deputetët e mazhorancës e kundërshtuan një gjë të tillë dhe kjo u pranua edhe nga Kryetarja Topalli, e cila nuk e lejoi zhvillimin e debatit. Pas këtij refuzimi nga Kryetarja Topalli, opozita u largua nga salla e Kuvendit. Në seancën e sotme pritet që të nisë sërish ky debat, megjithëse mazhoranca është e vendosur për ta kundërshtuar një gjë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›