E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarko dhe Bruni, në oborrin e Mbretëreshës Elisabetë

Presidenti francez, Nikolas
Sarkozi, dhe bashkëshort
ja e tij, Karla Bruni, u pritën
në Uindsor nga Mbretëresha
Elisabetë, në fillimin e një vizite
shtetërore, dyditore në Britani.
Sarkozi i shtrëngoi dorën
Mbretëreshës dhe princit Filip,
ndërsa bashkëshortja e tij e re u
përkul këndshëm, para se çifti të
ngjitej mbi një pajton, i cili i çoi
më pas në kështjellën Uindsor.
Sarkozi shprehet se do të donte
që Britania e Madhe dhe Franca
të punonin bashkërisht për çështje
si energjia dhe emigracioni.
Kryeministri Gordon Braun,
gjithashtu, parashikon një erë të
re marrëdhëniesh më të ngushta.
Gjatë vizitës së tij, Sarkozi foli
para dhomave të bashkuara të
Parlamentit britanik, si edhe u
takua me Kryeministrin Braun
në Uestminster. Çifti Sarkozi
gjithashtu do të jetë i ftuar nderi
në një darkë shtetërore në kështjellën
Uindsor. Ndërkohë, është
paralajmëruar se temat kryesore
të bisedimeve mes Sarkozisë dhe
Braunit do të jenë disa, që nga financat
globale e deri tek Afganistani.
Dy liderët pritet gjithashtu
të zbulojnë një bashkëpunim të
ri mbi emigracionin e paligjshëm
dhe energjinë bërthamore.
Sarkozi shoqërohet në këtë
udhëtim nga bashkëshortja e re,
supermodelja tashmë e shndërruar
në këngëtare, Karla Bruni, e
cila ishte veshur me një kostum
serioz gri e mbante në kokë një
kapele të stilit të Xheki Kenedit,
e bashkë me çiftin e parë të
Francës, është edhe nëna e Karlës.
Ata u pritën në aeroportin
Hithrou prej princit Çarls dhe
bashkëshortja e tij, dukesha e
Kornuellit. Pas udhëtimit të shkurtër
drejt Uindsorit, Presidenti
francez inspektoi rojat e nderit,
i shoqëruar nga duka i Edinburgut,
ndërsa Zonja e Parë e
Francës bisedonte me
Mbretëreshën. Bruni, një anglishtfolëse
e mirë, do të ketë një
rol të rëndësishëm në këtë vizitë
të profilit të lartë, pasi është edhe
e ftuar nderi në një drekë të organizuar
nga bashkëshortja e
Kryeministrit Braun, Sara, të enjten.
Në një intervistë dhënë
BBC-së, pak para udhëtimit,
lideri francez shfaqi admirimin e
tij për atë që e cilësoi si "rëndësinë
dhe dinamizmin britanik". Ai
kërkoi krijimin e një "vëllazërie të
re franko-britanike", duke thënë
se Evropa nuk mund të bënte pa
gjuhën angleze, pa ekonominë
dhe mbrojtjen e saj të fortë. Presidenti
Sarkozi, duke folur në
frëngjisht, tha se respektonte
lidhjet e hershme të Britanisë me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
por nënvizoi se kjo nuk duhej të
interferonte me faktin e të qenit
të Britanisë në zemër të Evropës.
"Unë e kuptoj fort mirë se Britania
dëshiron ta ruajë marrëdhënien
e saj speciale me Shtetet
e Bashkuara, por kjo nuk e
pengon Britaninë të zërë vendin
që i takon asaj në Evropë", tha ai.
Të gjithë atyre britanikëve që
këmbëngulin për zhvillimin e një
referendumi mbi marrëveshjen
evropiane, ai i tha: "Ne kemi
nevojë për ju, britanikët, brenda
Evropës". "Kjo marrëveshje respekton
dallimet, askush nuk i
kërkon Britanisë të ndryshojë
identitetin e saj. Ruani gjuhën
tuaj, kulturën tuaj, interesat tuaja",
tha ai. Sarkozi përmendi angazhimin
e Francës në koalicionin
e kryesuar nga NATO-ja në
Afganistan, duke thënë se vendi
i tij nuk ka ndër mend t‘i tërheqë
trupat, por përkundrazi, mund të
dërgojë edhe më shumë ushtarë.
Ndërkohë, Sarkozi ka nënvizuar
se Franca dhe Britania, si dy fuqi
bërthamore, duhet të punojnë së
bashku, si anëtare të Këshillit të
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
dhe si partnere me të njëjtin
vizion për reformimin e institucioneve
ndërkombëtare. "A
nuk besoni edhe ju se Franca dhe
Britania janë më të forta nëse
punojnë së bashku se sa nëse i
kthejnë shpinën njëra-tjetrës?" -
pyeti ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›