Komision hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit
Kuvendi pritet që të ngrejë një komision hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit. Vendimi është marrë dje në Konferencën e Kryetarëve pas propozimit të bërë nga grupi parlamentar i LSI-PDS-së. Komisioni do të drejtohet nga opozita, pasi kjo është e përcaktuar në rregulloren e Kuvendit, ku thuhet se komisionet hetimore drejtohen nga forcat politike nismëtare të kësaj kërkese. Sipas LSI-së, ngritja e komisionit hetimor nga Kuvendi kërkohet për hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me zhvillimin e reformave në fushën e mbrojtjes, që siguron anëtarësimin në NATO dhe çështjet e sigurisë kombëtare, që rrjedhin nga problematika që ka krijuar procesi i çarmatimit të ushtrisë në veçanti. Këtë të drejtë për ngritjen e një komisioni hetimor, LSI-së dhe PDS-së, ua jep neni 77 dhe 78 i Kushtetutës, si dhe nenet 3 dhe 5 të ligjit 8891, datë 2.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit". Në kërkesë thuhet se "duke qenë se tashmë Shqipëria është përfshirë në një proces të rëndësishëm të reformimit të ushtrisë dhe përgatitjes së saj për t‘u anëtarësuar në strukturat e NATO-s, është e domosdoshme që Kuvendi të vihet në dijeni lidhur me zbatimin e Strategjisë Kombëtare që ka për këtë qëllim, si edhe në ç‘fazë ndodhet ky proces aktualisht". Gjithashtu është e domosdoshme që Kuvendi i Shqipërisë, brenda funksioneve që ai kryen, të vihet në dijeni se çfarë hapash konkrete dhe efektive ka ndërmarrë qeveria shqiptare në përgjithësi, dhe Ministria e Mbrojtjes në veçanti, për përgatitjen e kushteve që do të bëjnë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO. Nëpërmjet këtij komisioni, i cili pritet të miratohet në Kuvend, LSI-ja kërkon të dijë nëse ka qenë apo është i mjaftueshëm kuadri ligjor në fuqi, i cili bën të mundur këtë proces, si edhe me faktin se mbi ç‘akte ligjore apo nënligjore kanë vepruar deri tani strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Kuvendi duhet të vihet në dijeni nëse ka pasur një strategji apo plan veprimi mbi këtë proces nga Ministria e Mbrojtjes. Katastrofa në zonën e Gërdecit zbuloi një problematikë të rënduar, që lidhet me trajtimin dhe eliminimin e municionit të vjetër. Ndaj Kuvendi duhet të njihet me faktin se si paraqitet aktualisht gjendja me stokun e armatimit që duhet eliminuar, me rrezikshmërinë që ai paraqet në këtë moment, me faktin se si është trajtuar ai deri më sot dhe si mendohet që të veprohet në të ardhmen për parandalimin e katastrofave dhe ngjarjeve të rënda. "Është e domosdoshme që brenda kompetencave dhe detyrimeve që kanë organet përkatëse, Kuvendi duhet të informohet nëse kanë qenë të rregullta dhe të bazuara në ligj, orientimet, veprimet dhe procedurat e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes (Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoritë Operative, MEIKO etj.) për operacionet e zhvilluara në drejtim të trajtimit, asgjësimit apo shitblerjes së armatimit dhe të municioneve stok", thuhet në kërkesën e LSI-PDS-së. Deputetët e opozitës gjykojnë se veprimtaria e Komisionit Hetimor të Kuvendit do të ketë për qëllim, jo vetëm njohjen e problematikës së rëndësishme që trajtuam më sipër, me zhvillimet pozitive, apo negative të elementëve të veçantë të kësaj veprimtarie të trajtuara nga ëeveria apo nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe me faktin se e tërë kjo problematikë ka nevojë jo vetëm për një transparencë të gjerë, por edhe me përmirësime të kuadrit ligjor të nevojshëm që duhet të rregullojnë problematikën e fushës së mbrojtjes dhe e sigurisë kombëtare.