E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimi “Furtuna” çoi në qeli falsifikatorët e dokumenteve të pronave

TIRANË - Operacioni “Furtuna”, ku u vunë në pranga 6 persona, u realizua falë përgjimeve telefonike dhe një hetimi disamujor, duke përdorur metoda të tjera speciale të hetimit. Burimet thanë se ishin këto të fundit që mundësuan dokumentimin e veprimtarisë kriminale, që këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer. Gjashtë persona, të cilët akuzohen se kanë kryer veprime të kundërligjshme për regjistrimin e pronave dhe lëshimin e certifikatave të falsifikuara të pronësisë, mes të cilëve edhe tre specialistë të zyrës së Hipotekës në Tiranë, u prangosën gjatë operacionit të koduar “Furtuna”, që u zhvillua mbrëmjen e së martës, nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Task-Forcën. Policia e Shtetit bëri të ditur se Ramiz Hykaj, 42 vjeç dhe Enton Babameto, 33 vjeç, që të dy me detyrë specialistë në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, si dhe Veiz Senko, 55 vjeç, u arrestuan mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Tiranës. Dy ditë më parë kjo gjykatë kishte vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të korrupsionit pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “falsifikim dokumentesh” të kryera në bashkëpunim. Ndërsa, me urdhër të prokurorit u ndaluan edhe Dali Hakorja, 52 vjeç, oficer policie i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, akuzuar për “falsifikim të dokumenteve”, “falsifikim të formularëve, stampave dhe vulave”, “ushtrim të ndikimit të paligjshëm të personit që ushtron funksion publik”, si dhe Halil Hima, 47 vjeç, akuzuar për “falsifikim të dokumenteve”, “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Pasi ishin vënë në pranga pesë persona, mbetej ende i shpallur në kërkim nga Drejtorisë e Policisë së Qarkut të Tiranës Artan Mehmeti. Ai u arrestua në orët e vona të së martës në qytetin e Elbasanit, ku edhe qëndronte i fshehur. Burime të policore thanë se uniformat blu bënë të mundur kapjen e personit të sipërpërmendur pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte marrë për të vendimin “arrest me burg” për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike”. Pas arrestimit nga policia e Elbasanit, ky person i është dorëzuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranë. 6 të arrestuarit akuzohen, se kanë kryer veprime të kundërligjshme për regjistrimin e pronave dhe lëshimin e certifikatave të falsifikuara të pronësisë për një numër të konsiderueshëm shtetasish, në këmbim të marrjes së parave si përfitime të paligjshme dhe përvetësimin e pronave padrejtësisht. Gjatë kontrollit të banesave të personave të mësipërm, policia gjeti 13 vula të institucioneve të ndryshme, si hipotekë, bashki, noter, avokat etj., dokumente shkresore që i implikon plotësisht në aktivitetin kriminal. Materialet për hetime të mëtejshme i kanë kaluar Prokurorisë Task-Forcë të Krimit Ekonomik në Tiranë.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›